Edhe kjo ndarje nuk na duket arbitrare; ajo shpjegohet nga fakti se emri Illyricum përfshinte një popullsi homogjene, të përbërë në atë kohë vetëm nga pellazg, që mbanin emra të ndryshëm si maqedonë, epiriotë, albanë, dalmatë dhe të tjerë ilirë, dhe flisnin po atë gjuhë: pellazgjishtën ose shqipen". Madje, edhe gjatë mesjetës Maqedonia është quajtur si Illyricum. Ardhacakët sllavë nisën të zbrisnin dhe të kolonizonin Maqedoninë aty rreth shekullit VII të mesjetës, duke ndjekur brigjet e Aksiosit ose Vardarit, e që sipas K.Amantos, ata nuk gjetën në vend veçse pellazgë ose shqiptarë.
Fatmir LIMANI
Maqedonia dhe kufijtë e saj kanë nxjerrë përherë probleme për popujt e shtetet përreth dhe për historianët. Për shumë studiues termi Maqedoni na çon në lashtësi në vitet e mbretërimit të Filipit II. Maqedonia e lashtësisë ka ngërthyer një territor të ndryshueshëm, kufijtë e së cilës vazhdimisht kanë ndryshuar. Homeri nuk e përmend emrin 'Maqedoni' dhe 'maqedonas'. Për të, luftëtarët që vinin nga viset rrëzë lumit Aksios (Vardari i sotëm) njiheshin si paionë. Edhe gjeografi i lashtë grek Straboni, maqedonasit i njëson me paionët. Paionët, siç na dëshmon shkenca historike, kanë qenë një nga fiset më të konsoliduara ilire që shtriheshin në jug të Dardanisë, që kishin si kryeqendër të mbretërisë së tyre Bylazorën (Velesin e sotëm). Robert D'Angely në veprën e tij kopernikiane "Enigma" shkruan se "në epokën romake Maqedonia u përfshi në Illyricum.
Edhe kjo ndarje nuk na duket arbitrare; ajo shpjegohet nga fakti se emri Illyricum përfshinte një popullsi homogjene, të përbërë në atë kohë vetëm nga pellazg, që mbanin emra të ndryshëm si maqedonë, epiriotë, albanë, dalmatë dhe të tjerë ilirë, dhe flisnin po atë gjuhë: pellazgjishtën ose shqipen". Madje, edhe gjatë mesjetës Maqedonia është quajtur si Illyricum. Ardhacakët sllavë nisën të zbrisnin dhe të kolonizonin Maqedoninë aty rreth shekullit VII të mesjetës, duke ndjekur brigjet e Aksiosit ose Vardarit, e që sipas K.Amantos, ata nuk gjetën në vend veçse pellazgë ose shqiptarë.
"Në Maqedoni sllavët, qoftë vetëm,qoftë së bashku me bullgarët e Simeonit, për shembull, nuk kanë paraqitur asnjë kundërveprim ose qëndresë serioze dhe nuk kanë bërë asnjë kryengritje të përmasave të mëdha; dhe kjo provon se ata kanë qenë në numër të pamjaftueshëm Nga ana tjetër, pushtimi i Maqedonisë nga serbët në epokën e Stefan Dushanit me siguri nuk e ka shtuar shumë numrin e popullsisë sllave të këtij rajoni" - shkruan D'Angely. Në veprat e humanistit shqiptar Marin Barleti, heroi kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti - Skënderbeu e quan veten: "Princ i Epirit dhe Maqedonisë". Madje, Gjergj Kastrioti e ka cilësuar veten si pasardhës të Lekës së Madh të Maqedonisë dhe Pirros së Epirit, gjë që shpreh padyshim një vetëdije dhe ndërgjegje historike për një vazhdimësi iliromaqedone dhe në mesjetë. Profesor Otto Müller shkruan: "Mbretërit e këtyre tri provincave: Epir, Iliri dhe Maqedoni, vishnin rroba të njëjta dhe ishin lidhur me krushqi e me gjini përherë në mes tyre.
Kështu gjyshja e Aleksandërit të Madh ishte Iliriane dhe e ëma Olimpia prej Epiri nga dera e Pirros". Ndërkaq, sa i përket gjuhës së tyre, më së miri e dëshmon studiuesi amerikan Xhorxh Uiliams, kur shkruan se: "Gjuha amtare e Aleksandrit të Madh që pushtoi Botën, ka qenë gjuha shqipe". Monedha shqiptare është quajtur "Lek" në vitin 1925 për nder të Aleksandërit të Madh, e që kurrë nuk është kundërshtuar nga grekët, të cilët në kundërshtim me politikën ndaj IRJM-së të cilës nuk i njohin të shkuarën. Mora një sërë shembujsh të autorëve të huaj, për të ardhur natyrshëm se tapia e këtij vendi na takon ne shqiptarëve të heshtur dhe si identiteti i sllavëve maqedonas të ngulitur në territorin e IRJM-së së sotme, është kontestuar e vënë në pikëpyetje një kohë bukur të gjatë, si nga grekët, serbët, bullgarët e për habi shumë më pakë nga ne shqiptarët. Për të trajtuar shkurt situatën e ditëve tona, nga viti 1990 e këndej vërehet qartë se sikundër, që nuk i fsheh pretendimet e saj Bullgaria mbi IRJM, ashtu edhe Serbia lakmon viset veriore të IRJM-së. Ndërkaq, politika zyrtare e Sofjes mbetet e pandryshueshme,ajo vazhdon ta konsiderojë popullsinë sllave të IRJMsë me etnogjenezë bullgare duke e denoncuar dhe mos njohur 'kombin maqedonas'. Në të vërtetë gjuha e sllavëve të IRJM-së është një dialekt bullgar. Për herë të parë, 'kombi maqedon' është përmendur në Kongresin e tretë të Lidhjes komuniste të Jugosllavisë në Vjenë nga Tito, pas së cilës "kombi maqedonas" fitoi një afirmim nga Komiterna ruse. Kështu si rrjedhojë e gjithë kësaj krijese artificiale, veprimi i politikave të sotme sllave synojnë që duke fituar identitetin 'maqedonas' të përfitojë një të 'drejtë historike' mbi Shqipërinë. Andaj për shumë arsye gjykoj se është koha që shqiptarët detyrimisht duhet të kyçen në procesin e emrit, arsye të cilat i dikton e kaluara, e sotmja dhe e nesërmja, e cila nuk e dimë si mund të ndërtohet pavarësisht prej parashikimeve.
Pra është koha, kur shqiptarët nuk duhet të heshtin më, por duhet të dalin me tezat e veta në diskutimin për emrin e IJRM-së, e për të realizuar brenda atij emri dhe atë që është shqiptare në këtë shtet, i cili nuk mund të jetë më vetëm i maqedonasve, sepse realisht dihet identiteti i të gjitha etnive që e përbëjnë këtë shtet pa emër. Vetëm një shtet multi-etnik me respektimin e të drejtave të shqiptarëve mund ta mbaj në këmbë këtë bashkësi etnish dhe jo nacionalizmi maqedonas, që kërkon të imponohet edhe në çështjen e emrit, pa përfillur gjysmën tjetër, atë shqiptare. Populli sllavomaqedonas sot, ashtu si në të kaluarën, ballafaqohet me krizë identiteti. Rrjedhimisht, edhe ideologjia kombëtare e Maqedonisë vihet në dyshim ose më saktë ajo bëhet inekzistente.
Për ta kapërcyer krizën nacionalistët sllavomaqedonas lansojnë tezën e prejardhjes antike të tyre. Pikërisht kjo politikë e padefinuar e Shkupit, herë pro Beogradit, e herë pro Sofjes, i determinon forcës politike shqiptare në qeveri, si bartëse e luftës së UÇK-së, të rishqyrtojnë politikën konstruktive, sa i takon problemit të emrit dhe të ardhmes së këtij shteti, ngaqë e kundërta e saj, padrejtësisht i lejohet populli sllavo-maqedonas të ndërtojë shtëpi në tokë të huaj. Identiteti i shqiptarëve edhe në vendosjen e emrit të ri të IRJM-së duhet të jetë kushti i gjithë kushteve për ekzistencën e këtij shteti .
Le të kujtojmë luftën në Kosovë, luftën e vitit 2001, që fillimisht u kundërshtua nga shumë qarqe të politikës botërore, por kur panë vendosmërinë tonë për të fituar të drejtat tona njerëzore e kombëtare, të cilat ishin në përputhje me të gjitha konventat ndërkombëtare, na përkrahën duke u bërë dhe palë me ne. Kërkesat e shqiptarëve nuk janë të skajshme dhe radikale, por reale dhe racionale. Njohja e statusit të popullit shtetformues për shqiptarët në Maqedoni dhe krijimi i një Maqedonie me dy entitete nuk i vë në dyshim kufijtë ndërkombëtarë të saj. E kundërta e saj, nëse pala maqedonase refuzon kërkesën tonë, atëherë shqiptarët në 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit të tyre,duhet t'i kthehen vendosmërisht materializimit të projektit të rilindësve dhe Lidhjes së Prizrenit, e që është bashkimi i trojeve të copëtuara shqiptare në një shtet të vetëm.
Por nëse dhe pas këtij momenti do të vazhdojë moskokëçarja e klasës politike të Shqipërisë londineze dhe e Kosovës kolonialiste për çlirim dhe ribashkim kombëtar të Shqipërisë Etnike, atëherë kjo situatë do të imponojë shumë shpejt që krahinat shqiptare të mbetura edhe më tej nën pushtim të huaj të kthjellohen, të zgjohen, të binden për realitetin objektiv dhe ta marrin fatin e tyre në duart e veta dhe të mos presin ndonjë ndihmë të veçantë "vëllazërore" nga këto dy shtete shqiptare, por atyre t'u imponohet dhënia e mbështetjes të cilën njëri shtet e ka obligim kushtetues, ndërsa shteti ri shqiptarë një obligim kombëtar.
Shteteve tona që i kemi në cilësinë e dy prindërve duhet imponuar kjo mbështetje edhe për faktin se i ngopuri nuk e beson të uriturin, i pasuri nuk e beson të varfrin, i shëndoshi nuk e beson të sëmurin, e si rrjedhojë i çliruari nuk e beson të robëruarin
! Së fundi , nëse maqedonasit nuk janë të gatshëm të pranojnë realitetin e ri ku vetëm si të barabartë brenda kushtetutës mund të mbahet në këmbë ky shtet pa identitet, dhe e kundërta e saj nëse edhe klasa politike e dy shteteve amë nuk përqafojnë nismën e bashkimit, Ilirida si krahinë shqiptare, ka parakushte më të përshtatshme që të mëvetësohet nga IRJM dhe të fitojë shtetësinë dhe pavarësinë e vet, duke u bërë shteti i tretë i pavarur shqiptar i Shqipërisë Etnike.
(Autori është historian dhe ish i burgosur politik, njëkohësisht zv/drejtor gjeneral në ELEM)