Çështjet që Bashkimi Europian ka zgjedhur në bazë të veprimit të tij ligjor ndaj qeverisë hungareze janë vetëm maja e ajsbergut. Në të vërtetë, Kryeministri hungarez, Fidez, ka ndërtuar një makinë të vërtetë, me anë të së cilës është duke i monopolizuar të gjitha pushtetet në vend.
Hoze Manuel Barrozo njoftoi dy ditë më parë se Bashkimi Europian ka nisur një veprim ligjor kundër Hungarisë, në tentativë për të detyruar vendin që të rishikojë të gjitha masat që ka marrë dhe ka nisur të përdorë kohët e fundit. Ata që e konsiderojnë këtë hap të Brukselit si një veprim arbitrar bëjnë mirë që të marrin në konsideratë atë që Kryeministri Orban dhe partia e tij kanë ndërmarrë në vend që në momentin kur erdhën në pushtet në vitin 2010.
Që nga zgjedhjet e prillit të vitit 2010, Hungaria është goditur nga një cunam i vërtetë politik. Rregullat ekzistuese dhe institucionet që funksiononin deri në atë ditë nisën që të shpërbëhen dhe të gjithë mbështetësit besnikë dhe fanatikë të partisë së Kryeministrit u vendosën në pozicionet më kyçe të drejtimit të shtetit, në zbatim të politikave të partisë, duke nisur nga ato ekonomike, juridike, sistemi shëndetësor, qeverisja lokale, shkollimi e deri tek arti dhe media. U krijuan dhe u miratuan me shpejtësi të paparë nga shumica parlamentare mbi 300 ligje dhe rregullore për të mbështetur këto ndryshime. Pjesa më e madhe e ligjeve kanë kaluar në Parlament, pa u dhënë mundësi deputetëve të opozitës që ti shihnin, apo ti diskutonin në komisionet përkatëse. Partitë e opozitës janë injoruar në rolin e tyre dhe vetë deputetët e opozitës janë krejtësisht të parëndësishëm dhe nuk i pyet kush. Ata janë injoruar qëllimisht dhe janë shndërruar vetëm në disa emra në borderonë e Parlamentit. Regjimi i Viktor Orban kombinon centralizimin ekstrem të aseteve ekonomike (përfshi konfiskimin e fondeve private të pensionit, të disa fondacioneve publike dhe centralizimin e shpejtë të aseteve të qeverisjes vendore) dhe monopolizimin e pushtetit në një parti të vetme, që synon të dominojë çdo aspekt shoqëror, ose privat të jetës, duke i shndërruar qytetarët thjesht në subjekte. Natyra e improvizuar e ligjeve të reja krijon një hapësirë jashtëzakonisht të madhe për veprime dhe vendime arbitrare, që do të rrisin varësinë dhe pasigurinë e institucioneve dhe njerëzve në vend. Për më tepër po i bëhet në mënyrë të vazhdueshme lirive civile. Qeveria i ka rishpërndarë asetet ekonomike (veçanërisht përmes sistemit të taksave dhe investimeve) grupeve të interesit që janë pranë partisë në pushtet dhe vetë Kryeministrit. Ky rreth i ngushtë njerëzish me pushtet dhe pasuri, grup i zellshëm dhe besnik deri në vdekje mbron me zell shumë të madh pushtetet e partisë dhe vë në zbatim direktivat e saj. Në të njëjtën kohë përmes rishkrimit të Kodit të Punës, janë reduktuar dhe thuajse janë shndërruar në inekzistente të gjitha veprimtaritë e sindikatave dhe të mbartësve të të drejtave të punëtorëve, janë shpërbërë në mënyrë radikale dhe të shpejtë të gjitha rrjetet e mirëqenies sociale dhe institucionet e pavarura të kujdesit social. Qeveria i ka ekspozuar të gjitha kategoritë më të brishta të shoqërisë para vështirësive të mëdha ekonomike të vendit (të papunët, të varfrit, romët, pensionistët, të sëmurët, handikapët). Ata janë krejtësisht të pambrojtur tashmë para vështirësive të mëdha të krizës ekonomike. Jeta sa vjen e bëhet më e vështirë për ata që jetojnë vetëm me të ardhura nga rrogat dhe që nuk kanë të ardhura shtesë, apo kursime.
Në vitin 2012, hungarezët duhet të kuptojnë se ëndrrat e tyre në vitin 1989 - liri dhe demokraci janë bërë copash. Pa dyshim që ata janë të zhgënjyer të gjithë nga rrjedha që kanë marrë ngjarjet në vend. Gazetat më të mëdha të botës kanë raportuar për protesta të mëdha kundër politikave të Kryeministrit Orban në muajt e fundit, përfshi edhe protestën me rreth 70 mijë veta përballë godinës së Operës së Budapestit, në momentin kur pushtetarët brenda godinës po merrnin pjesë në një gala ë organizuar për të festuar aprovimin e ndryshimeve të Kushtetutës së re dhe të ligjeve të shumta. Ndërkohë që shumëkush në botë pa pamjet e një turme me njerëz edhe të qeshur dhe të qetë, pleq, të rinj, të veshur mirë dhe të varfër, punëtorësh dhe intelektualësh, që kërkonin ikjen e Orbanit dhe shpërbërjen e sistemit të tij politik, hungarezët në televizionin e tyre publik dhe në gazetat që janë pro qeveritare, panë dhe mësuan se protestuesit ishin një turmë kaotike idealistësh, të çoroditurish dhe humbësish që hodhën para godinës së Operës parulla kaotike. Në përputhje me ligjin e ri të mediave që ka hyrë tashmë në fuqi, shumë mediave të lira dhe opozitare iu mbyll goja në mënyra të ndryshme. Si pasojë e këtyre aksioneve të shpejta dhe të ashpra, aktualisht në Hungari ka vetëm një stacion radioje dhe televizioni që është opozitar. Të gjitha gazetat e pavarura dhe revistat përditë përballen me luftën për ekzistencë të rënduara nga taksa dhe gjoba të mëdha. Edhe mbështetjet financiare që media kanë pasur nga shteti janë hequr dhe nuk bëhet fjalë për reklamat. Të gjitha bizneset e fuqishme që më parë reklamonin në faqet e këtyre gazetave janë tërhequr, sepse nuk duan telashe me qeverinë. Mediat që kritikojnë sistemin dynden me inspektime auditësh dhe gjobiten, ndërkohë që kundërshtarët politikë të Kryeministrit dhe të partisë së tij në pushtet vihen në lupë në mënyrë shumë skrupuloze për të nxjerrë në pah ndonjë problem ekonomik, me anë të të cilit do të zhyteshin keq. Më e pakta, do të humbisnin vendin e punës. Në shumë punë shtetërore njerëzit janë përzënë, për shkak të opinioneve politike të shprehura që kanë rënë ndesh me ato të qeverisë. Sikundër ndodh zakonisht në regjimet autoritare, veshët e sistemit janë të mprehta dhe krahët janë të gjata dhe të pamëshirshme. Njerëzit mendohen mirë para se të vendosin të nënshkruajnë ndonjë peticion, para se të blejnë një gazetë opozitare, apo para se të marrin pjesë në ndonjë protestë publike ku mund të identifikohen lehtësisht. Kundër këtij sfondi të errët, çdo demonstratë e madhe si ato të organizuara muajt e fundit ka një vlerë jashtëzakonisht të madhe. Sipas një sondazhi të fundit të bërë nga Szonda Ipsos, numri i votuesve, pra mbështetësve të partisë së Orbanit ka rënë nga 38% në fillim të vitit të kaluar në 18%, por për shkak të ligjit të ri elektoral, riformatimit të zonave zgjedhore dhe riformëzimit të posteve kyçe politike, vetëm një koalicion shumë i gjerë forcash politike do të ishte i aftë që të fitonte në zgjedhjen e vitit 2014.
Përveç opozitës aktuale parlamentare, koalicioni do të bënte bashkë edhe lëvizje të ndryshme civile, që do të duhet që në një moment të caktuar të shndërrohen në parti politike dhe të formacionit konservator të moderuar, që nuk është për Orbanin, i cili me të gjitha mënyrat përpiqet që ta mbajë situatën brenda forcës së tij politike nën kontroll me grusht të hekurt duke monopolizuar të gjithë zërat e djathtë. Ky do të ishte një koalicion që do të duhej të përballej edhe me të djathtën ekstreme, Partinë Jobbik, që ka përfituar për tu forcuar si nga gabimet e Fidez ashtu edhet nga dobësia e opozitës. Në vitin 2002, kur Fidez nisi luftën për të rimarrë pushtetin nga socialistët, ajo toleroi dhe inkurajoi ekstremizmin e djathtë dhe kur erdhi në qeveri bëri disa veprime domethënëse ndaj ekstremit të djathtë. Për shembull, kryebashkiaku i Budapestit emëroi dy përfaqësues të ekstremit të djathtë si drejtues të Teatrit Kombëtar. Megjithatë çështjet të cilave u është adresuar Bashkimi Europian në veprimin e tij të fundit ligjor, janë vetëm maja e ajsbergut në problemet e mëdha në Hungari. Heqja e gjykatësve që janë mbi 62 vjeç dhe e Ombusmanit të mbrojtjes së të dhënave është vetëm një pjesë e masave që po merren në Hungari për çmontimin e shtetit të së drejtës dhe riformatimit të të gjithë sistemit gjyqësor që fillon që nga mbikëqyrja e gjykatësve e deri te statusi i Gjykatës Kushtetuese. Sulmi që i bëhet pavarësisë së Bankës Qendrore vjen paralelisht me një legjislacion të ri ekonomik, që ndryshon statusin e institucioneve më të mëdha ekonomike në vend, të tilla si Këshilli Monetar, duke i dhënë qeverisë dorë të lirë në ekzekutimin e një politike ekonomike shkatërrimtare. Ligjet për fenë dhe median janë pjesë e një ushtrimi gjithëpërfshirës të lavazhit të trurit që nis nga rivendosja e emrave të rinj të rrugëve e deri te një reformë gjithëpërfshirëse arsimore. Këto që përmendëm janë vetëm disa aspekte të makinerisë që Fidez ka ndërtuar në mënyrë që të qëndrojë në pushtet për dhjetëvjeçarë. E përballur me kritikat e shumta nga ndërkombëtarët, negociatat e ashpra me FMN-në dhe BE-në, qeveria hungareze deklaroi se ishte e gatshme që të negocionte për gjithçka. Duhet pritur për të parë nëse kjo është thjesht një manovër për të fituar kohë e për të pasur injeksionet financiare nga jashtë. Deri tani qeveria ose ka refuzuar me ashpërsi kriticizmin e huaj, duke e cilësuar si një ndërhyrje në punët e brendshme, ose ka bërë ndryshime thjesht kozmetike, pa prekur thelbin.
Sipas intervistave që Orban ka dhënë ditët e fundit para hungarezëve, ka deklaruar se, nëse do të kishte arsye bindëse për të ndryshuar ligjet, ai ishte i gatshëm që ti bënte ndryshimet, por ndërkohë kritikat janë thjesht pikëpamje politike dhe nuk mund të bëjë më shumë. Një nga folësit në protestën e 2 janarit tha: Ne jemi europianë. Ne besojmë në vlerat europiane. Ai donte të thoshte se hungarezët janë një komunitet njerëzish të bazuar në një përfaqësim të sinqertë të demokracisë. Ai donte të thoshte se hungarezët donin realizimin e ëndrrës që kishin në vitin 1989, asaj Hungarie të lirë e demokratike. Sa i takon europianëve, duke ndihmuar Hungarinë në këtë ditë të vështirë për demokracinë, ata thjesht edhe një herë do të rikonfirmojnë parimet themelore europiane. Pra do të ndihmojnë edhe ëndrrën e tyre...