Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, dy ditë para protestës së 14 janarit, kryeministri i Kosovës ka reaguar ashpër ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes.
Lideri i opozitës në Shqipëri, Edi Rama, duke iu përgjigjur kryeministrit të Kosovës lidhur me deklaratat e këtij të fundit të bëra një javë më parë, ka thënë se e cilëson Hashim Thaçin si mik, por e këshillon që të jetë i kujdesshëm në deklaratat e tij dhe të mos japë leksione, shkruan sot Koha Ditore.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, dy ditë para protestës së 14 janarit, kryeministri i Kosovës ka reaguar ashpër ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes.
Krerët e lëvizjes Vetëvendosje që do ti quaj vetëfundosje, do të vetëfundosen, por nuk do të lejojmë që Kosovën ta fundosin në asnjë rrethanë. Nuk do të lejojmë gjithashtu qëllimin e kësaj partie që janarin e vitit të kaluar të Tiranës ta sjellin këtë janar në Prishtinë, deklaroi Hashim Thaçi.
Vetëm një ditë para përvjetorit të ngjarjeve të 21 janarit 2011, Edi Rama i është përgjigjur Hashim Thaçit.
Mendoj që ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të mos i dhënë leksione njëri-tjetrit. Flas mes Shqipërisë dhe Kosovës, dhe këtu kam parasysh edhe mikun tim të shtrenjtë Hashim Thaçi. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të dhënë këshilla të mira, ndihmë dhe mbështetje në çdo rast dhe gjithmonë, por leksione njeri-tjetrit jo. Nuk na takon, besoj, në respekt të njeri- tjetrit, deklaroi lideri i opozitës Edi Rama, në emisionin Tonight Ilva Tare.
Ky është në fakt edhe prononcimi i parë publik për këtë çështje, ndërkohë që lideri i selisë rozë është shprehur me një fjalor mjaft të zgjedhur për liderin e Vetëvendosjes, kur ai u pyet për të dhënë mendimin e tij për zgjedhjen e Albin Kurtit si personazhi i vitit nga TCH.
Unë nuk e di pse Albin Kurti është votuar aq shumë, por unë di që po të kisha marrë pjesë në atë votim do ta votoja atë, sepse është shqiptar që më pëlqen shumë. Përtej mospajtimeve me qasjen e tij politike, Albin Kurti është një shqiptar i kulturuar, i denjë, i ri dhe mua më pëlqen shumë. Përsëris përtej një qasjeje politike që është e ndryshme nga qasja, unë do të zgjidhja ose kam zgjedhur, deklaroi Edi Rama.