Ramzan Kadyrovi po kryeson në Çeçeni një regjim të hekurt, me durimin e Rusisë. Edhe përkundër kësaj, vendi nuk po qetësohet. Ekziston sërish rreziku për shpërthimin e një lufte të re.

Shumë gjëra kanë ndodhur gjatë viteve të fundit në kryeqytetin e Çeçenisë, Grozni. Deri së voni një gërmadhë e vërtetë, qyteti sot prezantohet me një shkëlqim të ri. Rrugët e sapo-shtruara kalojnë pranë vendbanimeve të reja, ndërsa ne qendër të qytetit po ngritët xhamia e Achmed Kadyrovit, e që është xhamia më e madhe në Evropë, e pagëzuar me emrin e të atit të vrarë në vitin 2004 të presidentit aktual, Ramzan Kadyrovit. Por nëse largoheni nga Grozni dhe niseni drejtë zonave më rurale, atëherë ju ofrohet një pamje krejt tjetër. "Shkoni deri te shtëpia ime, aty çdo gjë duket njëjtë si para dhjetë viteve. Kadyrov ndërton vetëm për të pasurit, njerëzit e thjeshtë u detyruan që të rindërtojnë vetë shtëpitë e tyre", thotë Rahman Dushujev. Dushujev para pesë viteve është arratisur si refugjat në Gjermani, pasi që Ramzan Kadyrovi u emërua si president nga ana e Kremlinit. Lajmet që po merr Dushujev nga familja e tij në Çeçeni nuk janë aspak trimëruese. "Kadyrovi po e koncepton shtetin sipas pikëpamjeve të veta.
Nuk ekziston pothuajse asnjë fushë, të cilën ai nuk e kontrollon", thotë ai. Pas emërimit të tij për president, në vitin 2007, ai eliminoi rivalët e tij politik: vëllezërit Jamadajev, më herët komandantë ushtarakë dhe mbështetës të Kadyrovit, por më vonë konkurrentë për pushtet, u vranë në vitet 2008 dhe 2009 në Moskë dhe Dubai. Truproja i dikurshëm i Kadyrovit, Ramsan Israilov, i cili e kritikoi atë ashpër pas arratisjes së tij nga Çeçenia, u vra në Vjenë në vitin 2009. Besohet se këto vrasje janë porositur nga njerëz që i takojnë qarqeve qeveritare në Çeçeni. Kremlinit si duket po i përshtatet pozita e fuqishme e Kadyrovit. Pas shtimit të humbjeve në radhët e ushtrisë ruse, Moska vendosi që të tërhiqet, me qëllim që të çeçenizojë konfliktin. Çeçenët me ndikim u joshën me para dhe privilegje dhe në duart e tyre u bartën shumë kompetenca. Ata ishte paraparë të vazhdonin luftën për Rusinë dhe ta çlironin vendin. Në këtë mënyrë edhe Kadyrovi u ngrit në krye të vendit. Me dhunë brutale ai ndoqi kryengritësit e dyshuar dhe me ndihmën e vrasjeve dhe të torturave, ai imponoi monopolin e tij të dhunës.
Në shikim të parë, me këtë fushatë të dhunshme duket se Kadyrovi ja ka arritur që të qetësojë situatën në Çeçeni. Por qetësia këtu mashtron. Numri i rrëmbimeve, vrasjeve dhe sulmeve ka shënuar një rënie të dukshme. "Banditët janë vrarë dhe janë zëvendësuar me banditë tjerë", kështu përshkruan zhvillimet në Çeçeni Svetlana Aleksejevna, nga organizata për të drejtat e njeriut, Memorial. Numri i madh i pjesëtarëve të sigurisë dhe i agjentëve po mban njerëzit nën frikë.
"Pjesa më e madhe e çeçeneve janë kundër Kadyrovit, por askush nuk guxon të flasë, ngase njerëzit nuk e dinë se kush punon për Kadyrovin", thotë Dushujev. Çmimi për stabilizimin e vendit është tejet i lartë. "Çeçenia është shndërruar në shtet privat të Kadyrovit", thotë Uve Halbach, nga Fondacioni për Shkencë dhe Politikë.

Ekonomia ende nuk është këndellur nga pasojat e luftës dhe korrupsioni është në një nivel tejet të lartë. Shkalla e papunësisë arrin në mbi 50 për qind dhe shteti është punëdhënësi më i madh. Para se gjithash rinia nuk ka pothuajse asnjë mundësi tjetër, pos që të largohet nga vendi apo të kërkojë punësim në radhët e forcave të sigurisë. Ka ca kohë që kreu i Çeçenisë po tenton të përfitojë popullatën, me shpalosjen e devotshmërisë religjioze. Islami, i cili në Çeçeni ka qenë gjithmonë i moderuar, edhe ashtu nuk luan ndonjë rol përcaktues. Megjithatë, tani është në fuqi ndalimi i alkoolit, femrat detyrohen të bartin shami. Në këtë mënyrë qeveria po tenton të kufizojë ndikimin e fundamentalistëve radikalë, të cilët në Çeçeni kanë zbarkuar gjatë luftës.
Megjithatë, tani në Rusi kanë filluar të dëgjohen zëra, të cilët pyesin se është kjo strategji e mirë. Përkundër paqësimit të vendit, Kaukazi gjithnjë e më shumë po del jashtë kontrollit të Rusisë. Rusët po largohen nga rajoni, për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike dhe tendosjeve etnike.
Në Çeçeni, Dagestan dhe Ingusheti, ata tani përbëjnë vetëm pesë për qind të popullsisë. Për aq kohë sa situata në Kaukaz mbetet e qetë, Rusia mund të trajtojë problemet tjera. Megjithatë, Rachman Dushujev është i mendimit se herët a vonë, lufta për Kaukazin do të eskalojë.