I pranishëm në ekspozimin e flamujve, historiani Marenglen Verli tha se ka shumë pretendime për dy flamujt që duhen saktësuar për të shkuar tek e vërteta.
Në Qendrën e Studimeve Albanologjike janë ekspozuar sot, në kuadër të përvjetorit të vdekjes së Ismail Qemalit, dy flamuj, një prej tyre flamuri më të cilin është mbuluar arkivoli i tij.
Krahas këtij të fundit, i zbuluar në fillim të muajit dhjetor në fondin e etnografisë ku ndodhej prej vitit 1957, është ekspozuar edhe një flamur që ka qëndruar në ndërtesën e Qeverisë së Vlorës, 1913-të.
I pranishëm në ekspozimin e flamujve, historiani Marenglen Verli tha se ka shumë pretendime për dy flamujt që duhen saktësuar për të shkuar tek e vërteta.
"Në këtë drejtim, deri në fund të vitit kur do të jetë edhe konferenca si dhe festimet e këtij jubileu, jam pjesërisht skeptik pasi janë gjëra që nëse nuk kanë dalë për 100-vjet është e vështirë që të dalin për 1 vit", tha ai.
Sipas historianit, në këtë 100-vjetor, është rasti që nëse dikush ka diçka nga këto relike t'i ekspozojë, madje, sipas Verlit edhe Komisioni Qeveritar duhe të caktojë një shpërblim për këto objekte të çmuara që të dalin dhe të jenë të ekspozueshme në këtë moment historik të 100-vjetorit. "Duhen parë me seriozitet që këtë 100-vjetor, në këndështrimin shkencor, ta realizojmë në mënyrën më të mirë të mundshme", tha ai.
Sipas restauratorit Frederik Stamati, flamuri që është mbuluar arkivoli i Qemalit është në gjendje të mirë, pasi nuk është ekspozuar gjatë dhe ka vetëm dëmtime të lehta në njërën anë dhe në mes të tij. "Flamuri është i plotë, por ka dëmtime të shumta. Ngjyra e kuqe është zbehur nga veprimi i diellit. Duhet restauruar. Do të jetë një punë jo e lehtë në gjendjen që është ai", ka thënë Stamati. Ky flamur është zbuluar kaq vonë për shkak të mungesës së dokumentacionit që nuk bënte të mundur njohjen e rëndësisë së tij.
Në këtë 100-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë pritet që pas studimeve, të prezantohen edhe tre flamuj që i përkasin momenteve kyçe të historisë shqiptare.