E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Analiza e këtij fenomeni, pse jo edhe psikologjik, mund të jep përgjigje të rëndësishme mbi shumë çështje që ndodhin në Maqedoni në kontekst të marrëdhënieve ndëretnike, raportet me fqinjët, por edhe me komunitetin ndërkombëtar në përgjithësi.
Identiteti, “Ēairi” dhe shqiptarėt









Bujar OSMANI

Jo që parapëlqej të zihen mes vete fqinjët tanë, qofshin ata edhe tifozë, por sinqerisht disi me simpati e lexova lajmin se tifozët maqedonas, do ta ngrenë flamurin kosovar për t’i provokuar serbet në shenjë hakmarrjeje për shfaqjen e flamurit grek në Serbi dhe për grafitet “Maqedonia është tokë serbe”. Disi kjo më dha një shpresë, se armiqësitë nëpër stadiumet e vendit nuk janë shprehje të urrejtjes apriori ndaj shqiptarëve, ksenofobisë e albanofobisë, që në formë recesive qëndrojnë heshtur dhe presin momentin dhe hapësirën për t’u zbrazur, qoftë në stadiume në formë të sharjeve e fyerjeve, qoftë kur janë të dehur (rasti në Maxhari) apo në ndonjë formë tjetër më institucionale, por se më tepër ka të bëj me emocione momentale si simptome të asaj që e quajmë “sëmundje angleze” apo si repertor i huliganizmit sportiv.

Mendova ndoshta ka edhe arsye tjetër, ndoshta identiteti i ri antik ka filluar t’i bëjë të ndjehen më të përafërt me pasardhësit e ilirëve dhe tani do të kthejnë vrerin kundër atyre që gjatë gjithë kohës i kishin gënjyer se janë vëllezër sllavë. Por, ky argumentim disi shpejt filloi të zbehet, kur Instituti për Mjekësi Ligjore në Shkup doli me rezultatin e një analize gjenetike të banorëve të Ballkanit, me konstatimin se gjenetikisht maqedonasit janë krejtësisht të përafërt me serbët dhe bullgarët.

Shpresa se do të ndodhë një simbolikë e tillë simpatike me flamurin kosovar, u rrënua tërësisht vetëm disa ditë më pas në sallën, që si për ironi e mban emrin “Çair”, kur njëzëshëm mijëra e mijëra vetë harruan grafitët, harruan flamurin grek ,”kuptuan se kush janë” dhe pa fije turpi brohorisnin,“ Le t’kuptojnë shqiptarët e mallkuar se nuk do vdes emri maqedonas”.

Analiza e këtij fenomeni, pse jo edhe psikologjik, mund të jep përgjigje të rëndësishme mbi shumë çështje që ndodhin në Maqedoni në kontekst të marrëdhënieve ndëretnike, raportet me fqinjët, por edhe me komunitetin ndërkombëtar në përgjithësi. Ndeshja zhvillohej ne Serbi, me Danimarkën apo Poloninë, kontesti për emrin është me Greqinë, por ja që epilogu është: “Le t’kuptojnë shqiptarët e mallkuar se nuk do vdes emri maqedonas”.

Në vlerësim të parë, dy janë arsyet e këtij absurditeti psikologjik: e para ajo e dilemave për identitetin kombëtar që kanë këta huliganë ( nuk po e gjeneralizoj këtu krejt popullin maqedonas nga fakti se edhe pse shume sporadike aty këtu dëgjohen zëra të arsyes, siç ishte ai i. B. Gerovski në kolumnën e tij të fundit), ose më mirë thënë mungesa e vetme e dilemës së identitetit në raport me shqiptarët, duke iu nënshtruar teorisë: t’i shajmë ata për të cilët jemi të sigurt se nuk po e shajmë veten. Arsyeja e dyte është shqetësimi dhe frika (edhe pse e pabazë) nga pozicionimi i shqiptarëve në dhjetë vitet e fundit në kontekstin gjeostrategjik ndërkombëtar, faktorizimin rajonal dhe rikonfigurimin e statusit të tyre politiko juridik brenda vendit.

Shqiptarët reaguan zëshëm ndaj këtyre fyerjeve dhe këto reagime ishin krejtësisht të arsyeshme, u vlerësuan veç tjerash edhe si vazhdim i minimit të shpresës për bashkëjetesë për të cilën është investuar aq shumë viteve të fundit. Personalisht, unë pajtohem me këtë vlerësim, por nuk mendoj se shqiptarët duhet të shqetësohen shumë apo të ndjehen të ofenduar nga këto sharje primitive, edhe atë për disa arsye: shqiptarët po jetojnë shekullin e tyre, ata janë në një dimension krejtësisht tjetër dhe nuk kanë kohë të merren me komplekse e frustracione të tilla, janë shumë të mëdhenj për t’i vërejtur e dëgjuar këto flliqësira.

Shqiptarët janë të preokupuar me të ardhmen euroatlantike të hapësirës së vet kombëtare, me njëqind vjetorin e të qenurit shtet, me shtet-formësinë e Kosovës, me përparimin ekonomik të Shqipërisë, me ngritjen institucionale, arsimore e kulturore të shqiptarëve në Maqedoni. Bile mendoj se tregojmë dobësi nëse merremi shumë me këtë punë, lisat nuk i lëviz dot era, askush nuk do të na shante po të ishim në rrugë të gabuar. Nuk kemi energji tepër për ta shpenzuar për këto marrëzira, prandaj t’i kthehemi agjendës tonë kombëtare, të ngritjes arsimore e kulturore, të pozicionimit institucional, të prodhimit të vlerave, ngritjes së cilësisë e profesionalizmit tonë si individ e si kolektiv.

Rilindjen kombëtare ne e kemi përfunduar moti, kemi pika tjera të rëndësishme për të debatuar e vepruar. Natyrisht, kjo nuk nënkupton se organet e shtetit nuk duhet ndërmarrin gjitha masat e nevojshme për t’i ndëshkuar huliganët dhe pse jo edhe vetë lojtarët të cilët këtë radhë u bënë pjesë e turpit. Mendoj se duhet të vazhdojmë të bëjmë presion maksimal për ndëshkim të merituar institucional për gjithë ata që marrin guximin të thirrin në urrejtje ndërnacionale dhe ndërfetare, por jo edhe të tregojmë nervozizëm të veçantë apo të biem në nivelin e njëjtë dhe të bëjmë revanshizëm. Kemi shumë punë tjera për të bërë.

Publikuar: 28.01.2012 | 15:57
Lexuar: 4188 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime