Ne ishim të sinqertë në urimin tonë dhe në dëshirën që të formohet një opozitë konstruktive me të cilën do të diskutojmë për çështjet strategjike të shqiptarëve, deklaroi Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.
Heshtje në PDSH dhe RDK pas deklaratave të djeshme të vetë kreut të RDK-së Rufi Osmani dhe anëtarit të kryesisë qendrore të PDSH-së Orhan Ibrahimi.
Ky i fundit i irrituar nga takimi i Osmanit me nënkryetarin e LSDM-së Zoran Zaev, u shpreh i prerë se do të kërkoj nga kryesia qendrore e partisë së tij PDSH që të shqyrtoj bashkëpunimin e mëtejmë me RDK-në.
Megjithatë këto zhvillime politike në mes PDSH-së dhe RDK-së, nxitën reagimin e BDI-së. Zëdhënësi i kësaj partie Bujar Osmani, u shpreh për Alsat se kur BDI-ja dhe lideri i saj Ali Ahmeti uruan marrëveshjen për bashkëpunim mes PDSH-së dhe RDK-së, urimi i tyre u pranua me cinizëm, por sipas Osmanit, koha po dëshmon të kundërtën.
Kur ne dhe kryetari Ahmeti uruam ose përshëndetëm bashkimin e këtyre dy forcave politike, uruam që mos bashkohen për tu ndarë, për fat të keq kjo u komentua edhe si cinizëm nga ana tjetër, por ja që po dëshmohet ajo se në fakt bashkimi ka qenë për tu ndarë.
Ne ishim të sinqertë në urimin tonë dhe në dëshirën që të formohet një opozitë konstruktive me të cilën do të diskutojmë për çështjet strategjike të shqiptarëve.
Mirëpo mbetet, është çështje e atyre si dhe se si do ti drejtohen elektoratit të tyre për këtë çështje. Për ne është me rëndësi se partneri jonë strategjikë mbetet populli shqiptarë, deklaroi Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.
Ndryshe shkak i polemikave të djeshme ka qenë deklarata e kreut të RDK-së Osmani, rreth takimit të realizuar me Zoran Zaevin e LSDM-së, takim i cili edhe pse ishte realizuar në cilësinë e dy kryetarëve të Komunave, në të është biseduar edhe për zhvillimet politike në vend siç është çështja e emrit dhe fyerjet e fundit drejtuar në adresë të shqiptarëve.
Veç kësaj është biseduar edhe për mundësinë e bashkëpunimit me partinë e Cërvenkovskit, Por kjo është kundërshtuar ashpër nga Orhan Ibrahimi i PDSH-së.
Jam i habitur me këtë takim të realizuar në Strumicë në mes të kryetarit të RDK-së dhe nënkryetarit të LSDM-së Zoran Zaev. Por unë ju siguroj se PDSH-ja asnjëherë nuk do të lejoj që të ketë platformë të përbashkët me ndonjë nga partitë maqedonase qoftë LSDM, qoftë VMRO, që nënkupton se ne si PDSH nuk mund të kemi platformë të përbashkët me ndonjë parti politike shqiptare e cila ka platformë të përbashkët qoftë me VMRO-në ose LSDM-në, tha ditë më parë Orhan Ibrahimi, PDSH.
Por në ditët në vijim pritet të shihet nëse qëndrimet e Ibrahimit janë personale apo nëse prapa tyre qëndron PDSH-ja. Bisedimet për bashkëpunim mes PDSH-s-ë dhe RDK-së kishin nisur më 13 dhjetor por që atëherë ende nuk është konkretizuar bashkëpunimi. Nga RDK-ja janë arsyetuar me finalizimin e zyrave në Shkup ndërsa nga PDSH-ja nuk kanë komentuar ngecjet për arritjen e bashkëpunimit.
Bedri Rexhallari, Alsat-M