Në qendër të veprës ndodhet familja e një shkrimtari, të cilit, me gjithë problemet ekonomike, i duhet të bëjë një operacion. Për të shpëtuar jetën e tij ai merr hua një shumë parash, por të cilat më pas do t'i duhet t'i shlyejë.
"Familja në shi" është projekti i radhës në Teatrin Kombëtar të Komedisë, provat për të cilën tashmë kanë filluar.
Pas komedisë "XXL-TV", premiera që inauguroi këtë institucion të ri në muajin dhjetor, pritet në mesin e muajit shkurt komedia me autor dhe regjisor Ilir Bezhanin. Aktorët Xhevahir Zeneli, Xhemil Tagani, Andon Qesari, Genc Fuga, Eliona Thomaraj, Esmeralda Kame, Arjeta Dhima, Klodiana Keco, etj do të sjellin për publikun një vepër shqiptare që trajton problemet e shoqërisë shqiptare.
Në qendër të veprës ndodhet familja e një shkrimtari, të cilit, me gjithë problemet ekonomike, i duhet të bëjë një operacion. Për të shpëtuar jetën e tij ai merr hua një shumë parash, por të cilat më pas do t'i duhet t'i shlyejë.
I shtyrë nga rrethanat, mendja e këtij artisti inskenon rrëmbimin e fëmijës së doktorit, i cili e operoi. Ai mendon se gjithçka do kalojë me mirëkuptim dhe humor, pas kthimit të fëmijës në familjen e prindërve të tij. Por gjërat nuk shkojnë ashtu siç i kishte parashikuar ai, pasi djali i vogël i doktorit zhduket.
Në këtë moment publiku do të njihet edhe me një tjetër familje të varfër shqiptare, fqinje të shkrimtarit. Ata kanë shtatë fëmijë, jetojnë vetëm me asistencat e shtetit dhe me ndonjë tregti të vogël të babait. Të detyruar nga kushtet ekonomike, ata bien dakord të birësojnë djalin e tyre më të vogël tek një familje e pasur italiane.
"Familja në shi" është premiera e dytë e TKK-së pas "XXL-TV" nga Stefan Çapaliku dhe komedia e radhës shqipe që do të ngjitet në skenën e këtij teatri, i cili ka prioritet autorët dhe dramaturgët shqiptarë