Raporti fokusohet në studimin e kryer mbi decentralizimin në vitin 2011 dhe analizën krahasuese të procesit të decentralizimit për periudhën 2006 - 2011.
Gjatë pesë viteve të fundit janë vërejtur trende pozitive në decentralizimin e kompetencave nga niveli qendror në pushtetin lokal, por përpara qëndrojnë sfida të reja, konkludon raporti i OSBE-së lidhur me procesin e decentralizimit, i cili u prezantua sot në Shkup.
Raporti për vlerësimin e procesit të decentralizimit (2006-2011), i hartuar nga Misioni i OSBE-së në Shkup, përshkruan perceptimet e zyrtarëve të pushtetit lokal lidhur me disa nga aspektet kryesore të procesit të decentralizimit. Ai gjithashtu vlerëson progresin e bërë në zbatimin e kompetencave të decentralizuara kryesore, si dhe identifikon sfidat që ndikojnë në ofrimin efikas të shërbimeve publike në nivel lokal.
Raporti fokusohet në studimin e kryer mbi decentralizimin në vitin 2011 dhe analizën krahasuese të procesit të decentralizimit për periudhën 2006 - 2011.
"Ky Raport për vlerësimin e decentralizimit duhet të motivojë të gjitha subjektet që të ri-shqyrtojnë rolin e tyre në këtë proces dhe të fokusohen në rritjen e demokracisë dhe qeverisjes së mirë. Kjo do të jetë e dobishme për zbatimin e prioriteteve kryesore të vendit," tha Shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadori Ralf Breth.
Ministri i pushtetit lokal Nevzat Bejta shtoi: "Decentralizimi është një proces që duhet të mobilizojë qeverinë lokale dhe qytetarët që të punojnë së bashku drejt zhvillimit të komunave dhe krijimit të kushteve të jetesës më të mirë për të gjithë qytetarët. Ne, si përfaqësues të pushtetit qendror, do të përqendrohemi në zhvillimin e këtij procesi sepse decentralizimi i pushtetit është themel i demokracisë dhe parakusht për qeverisje të mirë në nivel lokal. "
Projekti është vazhdim i përpjekjeve të Misionit të OSBE-së për përcjelljen e progresit të bërë në procesin e decentralizimit, në bazë të mandatit të Misionit për monitorimin e zbatimit të Marrëveshjes kornizë të Ohrit.