Referuar statistikave zyrtare, shohim që mosha mesatare e popullsisë në vendin tonë është 31.7 vjeç, pra jemi një popullsi relativisht e re. Kjo shifër është një tregues i mirë që Shqipëria, zotëron një potencial të fuqisë punëtore në moshë të re.
Elda Baftjari
Pothuajse çdokush nga ne e ka dëgjuar të paktën një herë këngën Tu vuo fa lamericano, një hit i viteve 1956-60. Kënga flet për një djalë që do të imitojë stlin amerikan të jetesës së atyre viteve, duke pirë Wisky dhe Soda, duke kërcyer RrockN Roll, duke luajtur Beisboll, duke pirë cigare Camel dhe veshur një palë xhinse me stampën origjinale. Shpesh kënga është cilësuar edhe si groteske, sepse Italia e atyre viteve, e sapodalë nga Lufta II-të Botërore, ishte akoma një shoqëri rurale dhe tradicionale, dhe kësisoj një dëshirë për amerikanizëm ishte sa ironike aq edhe groteske, sa dëshirë aq edhe absurd.
Në ato vite, Amerika që pati një bum ekonomik, dhe ishte një shoqëri konsumi, solli në Evropë një erë ndryshimesh në art, kulturë, ekonomi dhe mentalitet. Dhe sigurisht tani që jemi në vitet 2000, zhvillimi është me hapa akoma edhe më të mëdhenj, gati-gati me një ritëm që duket sikur nuk e ndjek dot. Dhe ata që përshtaten më shpejt me ndryshimet, janë pa dyshim të rinjtë, sepse janë ata që kanë etje për dije, nevojë për përparim, dhe dëshirën për një jetë më të mirë . Dhe besoj kuptohet që këtu, po dua të flas më së shumti për rininë tonë, pasi rinia evropiane, angleze, amerikane dhe jo vetëm, tashmë janë pjesë e rregullave dhe ligjeve në vendet e tyre me demokraci të konsoliduar, të cilat i lejojnë një jetë dhe të ardhme premtuese.
Referuar statistikave zyrtare, shohim që mosha mesatare e popullsisë në vendin tonë është 31.7 vjeç, pra jemi një popullsi relativisht e re. Kjo shifër është një tregues i mirë që Shqipëria, zotëron një potencial të fuqisë punëtore në moshë të re. Por sa e shfrytëzojmë neve këtë vlerë potenciale, sa alternativa jep shteti nëpërmjet politikave që ndjek dhe cili është roli i vetë individit në shfrytëzimin e mundësive që i krijohen? Për faktorin shtet, mbase do flas njëherë tjetër, sepse është faktor i rëndësishëm dhe ha një debat të gjerë.
Por le të fokusohemi pak tek ajo që konsiderohet pjesa më vitale, pararoja e ndryshimeve, e ardhmja e kombit, - Rinia.
Unë dhe shumë të tjerë, i përkasim një brezi që ka jetuar një pjesë të jetës në diktaturë dhe pjesën tjetër në periudhën e tranzicionit, siç na pëlqen ti quajmë këto 20 vitet e demokracisë. Pra, për fat të mirë kemi marrë disa vlera positive nga koha e monizmit, sikundër për fat të keq nuk jetuam ashtu siç do të deshim, vitet më te bukura, kur e kishim pothuajse të ndaluar edhe të ëndërronim. Sot rinia i ka të gjitha mundësitë, të dëshirojë, të provojë, të guxojë dhe të jetojë ashtu si bashkëmoshatarët e tyre në mbarë globin.
Pra unë e shoh me një lloj zilie këtë brez sot
, por për të qenë e vërtetë, zilia është vetëm për lirinë e mendimit dhe të veprimit që ata gëzojnë. Ndërsa për vlerat që po merr kjo rini, nuk mund të them që përfshihem sërish nga e njëjta ndjenjë - zilia. Shoh një rini apatike, që kalon kohën më të madhe nëpër kafene, me biseda boshe, tema të varfra, që nuk shkojnë më larg se: grupi muzikor më i preferuar, filmi i fundit horor i parë, kush thyen rekordin për numrin e shokëve në Facebook, kush është më i suksesshmi i shoqërisë me femra, etj, etj. Kështu gjenerata e re, e ardhmja jonë, gjeneron veç vese dhe jo vlera për vehten, familjen, shoqërinë e kombin.
Nëse sot do pyesësh brezin e shkollarëve për librin e fundit që mund të kenë lexuar, ironikisht të përgjigjen, se nuk lexojnë librat e shkollës e jo më libra artistikë. Edhe nëse do tju duhet të lexojnë ndonjë libër që ja detyron curicula mësimore, i bien shkurt duke gjetur materiale të gatshme në internet, duke bërë Copy-Paste, sepse nuk marrin mundimin as ta lexojnë e jo më ta përpunojnë. Tashmë fletët e librit nuk zverdhen më nga leximi i tepërt, siç bëhej dikur.
Nëse do i pyesësh, cili është filmi apo teatri i fundit që kanë parë, ata të përgjigjen me një pyetje: ku bie ndërtesa e teatrit apo kinemaja? Ata nuk kanë nevojë të shkojnë në teatër apo kinema, sepse këtë shërbim ua ofron yuotube në laptop-et e tyre, ose e frekuentojnë kinemanë, vetëm për të parë nga afër teknologjinë 3D, që ofrohet së fundmi në kinematë e kryeqytetit.
I vetmi aktivitet ku mbase mund të ngjajmë ne të brezit të mesëm me të rinjtë e sotëm, është aktiviteti fizik. Megjithëse, përveç të ndonjë loje futbolli në fushat e komplekseve private sportive, më shumë të rinjtë i gjen në salla fitnesi, e kjo sepse ata më shumë merakosen për linja trupore perfekte, që të jenë sa më tërheqës për seksin e kundërt, sesa një kujdes për shëndetin e trupit të tyre.Tashmë ndiqen kurse vallëzimi, ushtrojnë hipizmin, skitë, pishinat dimërore, por nuk di pse kam përshtypjen, që këto ambjente frekuentohen më tepër për snobizëm, për të thënë që bëjnë jetë mondane, sesa për të ushtruar vërtetë një aktivitet fizik, aq të domosdoshëm për një jetë të shëndetshme. Por gjithësesi është pozitiv edhe ky fakt, dhe shyqyr që bëjnë aktivitete për tu larguar nga jeta sedentare.
Por ama janë shumë të zotët nëse do i pyesësh për aktivitetin seksual, madje të japin edhe leksione, si ekspertë të kësaj fushe që janë. Të bëjnë një menu të plotë të kokteileve me pije alkoolike që konsumojnë fundjavave nëpër pube, të përgjigjen me zell për llojet e lehta e të rënda të drogave që përdoren nëpër gjimnaze dhe jo vetëm. Janë të gatshëm që në një sherr banal, të nxjerrin thikën kundër shokut më të afërt, sepse ky i fundit ka guxuar ti gjuajë të dashurën, ose më keq akoma të zihen si kundërshtarë për grupe Hip-Hop-i (injorancë e patolerueshme kjo).E kështu dalëngadalë, rinia në vend të vlerave njerëzore, që i shërbejnë për një formim bazë të karakterit, gjeneron vese pafund duke i bërë ato, pjesë të një formimi të mbrapshtë të personalitetit të tyre. E kështu ajo pjesë vitale, arteria kryesore ku kalon gjaku më i ri i një kombi, në vend që të të furnizojë me shpresën për një të ardhme më të mirë, të bën pesimist e vështirë të shohësh një dritë jeshile për vitet që do pasojnë.
Shpesh themi : e shohim jetën bardh e zi, ose edhe gri. Në fakt unë fola vetëm për pjesën gri, se mbase ka edhe më zi se kaq, por nuk mohoj që ka edhe bardhësi. Kemi mjaft të rinj të talentuar, që fitojnë nëpër olimpiada matematike e letërsie, shtojnë njohuritë e tyre me kurse pasuniversitare dhe kurse gjuhësh të huaja. Studentët tanë në perëndim, spikasin shpesh si më të mirët, ka të rinj të tjerë që punojnë si drejtues nëpër kompani të mëdha duke dhënë ide dhe shpalosur aftësi të admirueshme. Por këta janë pak, si të thuash janë raste sporadike, në krahasim me atë që fola më lart, e që mund të quhet fenomen. Pra kur një problem kthehet në fenomen, është ai që dominon të përditshmen tonë, e kësisoj mbase do dominojë edhe të ardhmen tonë (qofsha e gabuar dhe mos e dhëntë Zoti të jetë kështu)
Në krye shkrimit, fola për amerikanizimin që i riu italian i viteve 60 donte ti impononte vehtes. Dhe ky mund të jetë një huazim pozitiv, është një kopjim nga i cili shoqëria përmirësohet dhe mëson nga më të përparuarit. Por e thënë ndryshe: kur përpiqemi të marrim nga të tjerët atë që mendojmë se na vlen, të marrim vlerën dhe jo antivlerën, që të bëhëmi edhe vetë më të mirë. Dhe kjo, duke ruajtur identitetin tonë, rrënjët të jenë po ato, por degët të ripërtërihen hera-herës. Nga Perëndimi të marrim zhvillimin, progresin dhe jo regresin. Ne jemi një komb tashmë 100-vjeçar, kemi vlera positive të padiskutueshme, të mundohemi ti ruajmë, ti forcojmë dhe ti përcjellim ato në vazhdimësinë tone.
Më sipër bëra një pyetje : dikur të rinjtë pinin Whisky & Soda dhe kërcenin RrockNRoll. Po sot???!!! Më duket e udhës të them : Seks - Drogë & Hip-Hop (qofsha sërish e gabuar o Zot).