Nga tavolina e tij e punës, në Goteborg, në Suedi, ndihmon rebelët dhe aktivistët e gjithë botës të luftojnë censurën e regjimit dhe qeverive përmes rrjeteve sociale.

Është nata mes 27 dhe 28 janarit të vitit 2011. Mesnata ka pak që ka kaluar. Presidenti egjiptian, Husni Mubarak sapo ka urdhëruar providerat të pengojnë çdo akses në rrjet. Papritur, Egjipti është shndërruar në Korenë e Veriut. Vetëm një kabllo e shtrirë në fund të Mesdheut pengon që vendi të jetë krejtësisht jashtë bote: është kablloja që lejon bursën e Kajros të qëndrojë e hapur. Edhe rrjeti i telefonave celularë është bllokuar. Regjimi po kërkon dëshpërimisht të izolojë egjiptianët, ndërsa Mubarak është gati për të bërë gjithçka që të pengojë qindra-mijëra persona të mblidhen në sheshin Tahrir për të protestuar kundër diktaturës. Atë natë, Christopher Kullenberg gjendej në dhomën e tij, në një konvikt studentësh. Është ende zgjuar, ndërsa sytë i ka fiksuar mbi kompjuter. Gjatë ditës punon për doktoraturën në Teorinë e Shkencave, në Universitetin e Goteborgut, ndërsa gjatë natës kthehet në një militant informatik. Kullenberg është pjesë e Telecomix, një kolektiv hakerash i krijuar në Europë në vitin 2009, me aktivistë të përhapur në të gjithë Europën. Por, le ti riktheheni natës së 28 janarit. Në ekranin e kompjuterit të tij, Christopher Kullenberg asistoi direkt në ndërprerjen e internetit në Egjipt. Po çatonte me një aktivist egjiptian, kur komunikimi u ndërpre papritur. Çtë bënte? Në orët në vazhdim, dhoma e çatit të Telecomix u bë platforma e një debati frenetik. Propozimet ishin nga më të ndryshmet, disa shumë të arsyeshme, të tjerat shumë të çuditshme. Në Belgjikë, disa hakera mendojnë të montojnë një antenë me shpresën që do të hyjnë në kontakt me disa egjiptianë, por e vetmja gjë që mund të bëjnë është sinjali i radios së ushtrisë së Kajros. Duke qenë se në Egjipt rrjeti i telefonisë fikse është akoma në funksionim, dikush sugjeron të përdoren numrat e faksit. Hakerat e Telecomix rikuperojnë disa modeme të kohës kur rrjeti kalonte përmes linjave të telefonisë fikse. Modemet u shpërndanë në Egjipt dhe sapo u aktivizuan, i lejojnë aktivistët të rilidhen me internetin, pavarësisht se zyrtarisht rrjeti është i bllokuar. Në bllokadën e ngritur nga regjimi hapet një vrimë e vogël, e mjaftueshme për të mbërritur jashtë vendit informacionet mbi atë që po ndodh në vend. Natë pas nate, Christopher Kullenberg qëndron zgjuar deri në mëngjes, duke punuar me një ritëm shumë të lartë. Në fund, misioni i tyre transformohet në një sukses të jashtëzakonshëm.
Revolucioni i gjelbër
Rrjeti i Telecomix u krijua zyrtarisht më 18 prill të vitit 2009, pas një takimi në shtëpinë e Kullenberg. Hakerat ishin të shqetësuar mbi pasojat e mundshme të direktivës europiane mbi telekomunikacionin, që kërcënonte ekzistencën e një rrjeti të lirë dhe të hapur për të gjithë. Telecomix nisi të bënte presion mbi qendrat e pushtetit të Bashkimit Europian, duke publikuar numrat e telefonit të eurodeputetëve në një sajt të krijuar qëllimisht. Në verën e vitit 2009, kur dhjetëra-mijëra persona dolën në shesh, në Teheran, për të sfiduar regjimin e presidentit iranian, Mahmud Ahmadinexhad, për ti dhënë jetë Revolucionit të gjelbër, hakerat e Telecomix garantuan një suport teknik për lëvizjen. Në fund, revolucioni u konsiderua si dështim dhe aktivizimi dixhital pësoi një humbje të rëndë. Por Irani ishte vetëm fillimi, siç nënvizon Kullenberg në Manifestin cyberpolitik, vepra e tij e vetme, e publikuar 6 muaj para fillimit të Pranverës arabe.
Liria e shprehjes
Kullenberg ndan një apartament me dy doktorantë të tjerë në një ndërtesë me tulla, ku dikur ndodhej gjykata e apelit të Goteborgut. Një numër i madh librash gjenden gjithandej. Ai po përpiqet të përfundojë kapitujt e fundit të tezës, por në ekranin e kompjuterit shfaqen vazhdimisht mesazhet e chat-it të Telecomix. Edhe pse biografie e tij është e njohur, është e vështirë të bësh një portret të Chhristophet Kullenberg. Ka lindur në vitin 1980, në qytezën e vogël të Bodafors, në provincën e Smalnd, në Suedinë Veriore, nga ku u regjistrua në Universitetin e Goteborgut. Aty kaloi ditë të tëra në bibliotekën universitare dhe ndoqi dy kurse në të cilat u diplomua me maksimumin e notave në të gjitha provimet. Pastaj fitoi një bursë doktorature. Ajo që e shqetëson Kullenberg-un nuk është shkarkimi ilegal dhe falas i muzikës dhe filmit, por mbi të gjitha e ardhmja e uebit, që e konsideron infrastrukturën e përbashkët të lirisë tonë të shprehjes. Për këtë arsye, Christopher, një djalosh që nuk ka as smartphone dhe as Facebooke, ia kushton pjesën më të më madhe të kohës ndihmës për njerëzit që nuk i ka takuar kurrë, duke u dhënë mundësinë që të shprehen përmes rrjeteve sociale.