E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Vetëm 200 poema të saj ishin publikuar nëpër periodikë dhe në disa vëllime të hollë përgjatë një gjysmë shekulli, ndërkohë që në tërësi, gjatë gjithë jetës ajo shkroi 400 poema.
Shuhet poetesha polake, nobelistja e cilėsuar si “Moxarti i vargjeve”



Ishte shumë romantike, e heshtur, e mbyllur herë pas here në vetvete dhe një duhanxheshë e jashtëzakonshme. Që nga e mërkura, Polonia dhe bota do të ketë një poete dhe një shpirt të bukur dhe të rebeluar, më pak. Wislawa Szymborska, e cila në vitin 1996 mori çmimin ‘Nobel’ për letërsinë, ndërroi jetë në Krakow, në moshën 88-vjeçare.
Shkak u bë një kancer në mushkri tepër agresiv që e vuri përposh poeten. Kjo zonjë e poezisë, në momentin që mori çmimin e famshëm për letërsi (e pesta nobeliste e lindur në Poloni që kur u krijua çmimi në vitin 1901), në fakt kishte pak vepra letrare në CV-në e saj artistike. Vetëm 200 poema të saj ishin publikuar nëpër periodikë dhe në disa vëllime të hollë përgjatë një gjysmë shekulli, ndërkohë që në tërësi, gjatë gjithë jetës ajo shkroi 400 poema.

Kjo është arsyeja që njoftimi i komisionit të çmimit e gjeti shumë në befasi vetë poeteshën, e cila ka jetuar një jetë personale shumë intensive. Sipas atyre që e kishin pranë në momentin kur mori vesh për çmimin, ajo “thuajse u paralizua nga përshtypja që i bëri njoftimi”. Szymborska, pjesën më të madhe të jetës së saj e ka kaluar në kushte shumë modeste dhe kryesisht në qytetin e vjetër universitar të Krakovit, duke punuar për revistën “Zycie Literackie” (“Jeta Letrare”). Herë pas here publikonte ndonjë vëllim të hollë me poezi, e megjithatë në vendin e saj ishte shndërruar në një figurë popullore, një vend që i ka shumë për zemër poetët dhe i cilëson si shpirtin e kombit.

Ndërkohë që jashtë kufijve të Polonisë ishin shumë të paktë ata që e njihnin në të vërtetë punën dhe veprën e kësaj poeteje. Poemat dhe poezitë e saj janë shumë të qarta në gjuhë dhe në ide, ndërkohë që përkthimin në gjuhë të huaj ia ka vështirësuar shumë mënyra e saj për të shpikur fjalë të reja dhe për të luajtur me fjalët ekzistuese. Pjesa më e madhe e veprës së saj ka karakter meditativ dhe vëzhgues, por ajo ka shkruar edhe për vdekjen, torturat, luftën, dhe madje edhe posaçërisht për vetë Hitlerin, sulmi kundër Polonisë i të cilit në vitin 1939, filloi edhe Luftën e Dytë Botërore në Europë.

Karrierën e saj e nisi duke shkruar në stilin e realizmit socialist. Koleksioni i parë i periudhës staliniste, me titull: ”Ja përse jetojmë”, doli në shtyp në vitin 1952 dhe u pasua dy vjet më pas nga një tjetër koleksion me temë gjithashtu ideologjike: ”Pyetjet që i bëj vetes”. Disa vite më pas ajo i tha poetit dhe kritikut, Edward Hirsch: ”Kur isha e re, ka pasur një moment në të cilin besova në doktrinën komuniste. Doja të shpëtoja botën përmes komunizmit. Por shumë shpejt e kuptova se kjo nuk do të funksiononte, nuk po funksiononte dhe se ishte një gënjeshtër, por kurrsesi nuk do ta mohoja këtë fazë të jetës sime. Nuk e kam bërë kurrë.

Në hapat e parë të punës sime krijuese e kam dashur njerëzimin me të gjitha forcat. Doja me të gjitha mënyrat që të bëja diçka të mirë, të mirë për të gjithë. Shumë shpejt e kuptova se nuk ishte e mundur që ta shpëtoja njerëzimin”.

Në vitin 1957, poetesha dha dorëheqje si nga komunizmi, ashtu edhe nga poezia, ose në mirë nga mënyra e hershme e të krijuarit vargje. Dhjetëvjeçarë më pas ajo u përfshi dhe ishte shumë aktive në lëvizjen “Solidariteti”, që u ngrit kundër qeverisë komuniste polake në fund të viteve ’80. Gjatë periudhës së ligjit ushtarak që u vendos në vitin 1981, ajo i publikoi poemat e saj me pseudonim dhe në shtypin ilegal. Ka këmbëngulur gjithmonë se poezia e saj është personale dhe jo politike, por sigurisht, duke qenë se politika është pjesë e jetës, ajo e përfshinte edhe atë në poezitë e saj. Sipas një kritiku, kjo poete kishte një këndvështrim shumë të veçantë për jetën, aq të veçantë sa asnjërit nuk do t’i shkonte ndër mend, sipas tij, për 1 milion vjet. Kështu për shembull, një nga poezitë e saj më të famshme është një elegji që ka shkruar për një person të dashur, por nga këndvështrimi i maces së tij. Poezia quhet: “Macja në apartamentin e zbrazur”.

Vdis – nuk mund t’ia bësh këtë një maceje
E ç’mund të bënte një mace në këtë rast
Në një apartament të zbrazur?
Të ngjitej nëpër mure?
Të fërkohej pas mobilieve?
Gjithçka duket e njëjtë këtu
Por asgjë nuk është më e njëjta
Asgjë nuk ka lëvizur
Por ka më tepër hapësirë kudo
Netëve nuk ndizet më drita
Nëpër shkallë dikush ngjitet sërish
Por janë hapa të rinj
Diçka nuk nis më në kohën e caktuar
Diçka nuk ndodh më sikundër duhej
Dikush ishte gjithmonë këtu

Por tani, me kokëfortësi, ka vendosur befas të zhduket
Wislawa Szymbrska lindi në 2 korrik 1923, në afërsi të Poznanit, në Poloninë Perëndimore. Kur ishte 8 vjeçe familja e saj u zhvendos në Krakow. Gjatë pushtimit nazist ajo shkoi në një shkollë klandestine, duke rrezikuar dënimin gjerman dhe më pas studio letërsi dhe sociologji në universitetin prestigjioz të Krakovit. Martesa me poetin Adam Wlodek përfundoi me divorc. Shoku i saj, shkrimtari Kornel Filipovitz, vdiq në vitin 1990. Nuk pati kurrë fëmijë dhe asnjë të afërm të familjes. Një tjetër poet nobelist polak që fitoi çmimin e letërsisë në vitin 1980, kur dëgjoi për kolegen e tij dhe çmimin që i dhanë tha: ”Ajo është një person modest dhe e drejtë, dhe për të ky çmim do të jetë një barrë e tmerrshme. Edhe në poezi është e mbyllur dhe reflektive. Ajo nuk ka shkruar kurrë poezi në të cilat të rrëfejë jetën personale”. Por në veprën e saj ajo shpreh shumë shpesh mirëkuptim dhe simpati për të tjerët, madje edhe për personazhe biblike, për ata që u kthyen pas për të parë nga Sodomi dhe u shndërruan në kolona kripe. Në poezinë e saj, “Gruaja e humbur” ajo spekulon për këtë ngjarje biblike:
Ata thonë se pashë pas nga kurioziteti
Por mund të kem pasur arsye të tjera
Pashë në zi vazon time të argjendtë
Krejt pa u menduar ndërsa lidhja sandalen

Libri i saj i fundit është “Këtu”. Një kritik ka shkruar për këtë poete se, ajo shpesh shkruan shumë për një subjekt të vetëm. Ajo synon që të krijojë një gjendje poetike tek lexuesit e saj, por edhe t’u thotë atyre gjëra që nuk i kanë ditur më parë apo për të cilat nuk kanë menduar kurrë”. Kështu për shembull, në fjalimin e saj para pjesëmarrësve në ceremoninë e marrjes së çmimit ‘Nobel’, ajo bëri disa shaka në lidhje me jetën e poetëve. Sipas saj, nga jeta e shkencëtarëve apo artistëve mund të bëheshin filma shumë të mirë, por sa i takon poetëve, për ta materiali jetësor është shumë më pak zbavitës dhe interesant. Sipas saj, puna dhe jeta e një poeti është më pak “fotozhenike” se ajo e njerëzve të shquar të profesioneve të tjera. Një poet shpesh qëndron i palëvizur, i shtrirë në divan apo në kolltuk apo duke parë muret. Herë pas here ky person, i fiksuar pas murit, mund të shkruajë ndonjë rresht dhe pas nja 20 minutash çohet, jo për të shtuar diçka tjetër në fletën ende të bardhë, por për të fshirë atë që ka shkruar tashmë dhe më pas kalon edhe një orë tjetër gjatë të cilës nuk hidhet sërish asnjë rresht në letrën e bardhë. “E kush do të shihte një film për jetën e një individi të tillë?” - pyet ajo. Në ceremoninë e çmimit ‘Nobel’ e cilësuan këtë zonjë nga Polonia, si “Moxartin e poezisë” për bërjen bashkë të elegancës së gjuhës dhe furisë bethoviane. Ajo, ndër të tjera, shquhej edhe për një sens të madh humori.

Me rastin e vdekjes se poetes, ministri i Jashtëm polak, Radek Sikorski shkroi në “Twitter” për vdekjen e saj: ”Një humbje e pariparueshme për kulturën polake”. Një vit më parë, presidenti i vendit, Bronislaw Komorowski, e nderoi zonjën e madhe të poezisë me vlerësimin më të latë që i jepet një personi në Poloni: “Urdhrin e Shqiponjës së Bardhë”, për kontributin e saj të madh në kulturën e vendit. Dhe me rastin e vdekjes, presidenti i vendit shkroi: “Për dhjetëvjeçarë ajo e furnizoi Poloninë me optimizëm dhe me besim në pushtetin e të bukurës dhe në fuqinë e fjalës”. Ndërsa ministri i Kulturës, Bogdan Zdrhevski, në një deklaratë bërë me rastin e vdekjes së poetes tha: ”Ajo kishte një mirëkuptim shumë të madh për njerëzit, kuptonte dobësitë e njerëzve dhe kishte një tolerancë të madhe. Nga ana tjetër, ishte shumë modeste dhe e përulur“.

Publikuar: 04.02.2012 | 03:12
Lexuar: 322 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime