Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Nevzat Bejta, tha se për Komunën e Likovës dhe për rajonin ku bënë pjesë edhe komuna e Likovës, janë ndarë mbi 200 mijë euro.
Takimin e radhës Ministri i Vetëqeverisjes Lokal Nevzat Bejta e realizoi në Komunën e Likovës, ku u takua me kryetarin e kësaj komune Sadulla Duraku.
Biseduam për shumë çështje dhe probleme infrastrukturore të Komunës së Likovës, tha pas takimit, kryetari i komunës së Likovës Sadulla Duraku.
Biseduam edhe për ujësjellësin e Komunës së Likovës, se deri ku kanë arritur gjendja dhe ekzekutimi i punëve. Ju bë edhe një kërkesë ministrit që me rebalanc ose të shihen edhe disa mjete që të arrihet rrumbullakimi i fazës së parë të gyp sjellësit deri te filtri për filtrimin e ujit, ku një pjesë e mjeteve janë ndarë nga Banka Evropiane. Për të ardhur deri te filtri nevojiten edhe 25 milion denar, tha kryetari Duraku.
Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Nevzat Bejta, tha se për Komunën e Likovës dhe për rajonin ku bënë pjesë edhe komuna e Likovës, janë ndarë mbi 200 mijë euro.

Ne si ministri bashkë me Byronë për Zhvillim Rajonal, gjatë vitit 2011, kemi ndarë mbi 200 mijë euro. Bëhet fjalë për katër projekte, dy janë realizuar në Komunën e Likovës, për ndërtimin e kanalizimit fekal në fshatin Hotël, ku ky projekt realizohet në kuadër të projekteve për zhvillim të zonave me specifika dhe ndërtimi i kanalizimit fekal në fshatin Orizarë, ku ky projekt realizohet në kuadër të projekteve për zhvillim të fshatrave. Kurse dy projektet tjera realizohen në rajonin Verilindor ku bënë pjesë edhe Komuna e Likovës, bëhet fjalë krijimin e kushteve për zhvillim rural, zhvillim të turizmit dhe mobilizim në rajon përmes përgatitjes së dokumentacionit teknik për infrastrukturë rrugore të gjitha komunat e rajonit dhe përgatitja e projekt dokumentacionit për furnizim me ujë regjional të komunës së Likovës dhe Kumanovës, tha ministri Bejta.
I pyetur për ndërtimin e pikave të reja kufitare me Republikën e Kosovës dhe Serbinë, ministri Nevzat Bejta tha:
Qeveria e ka marrë për obligim që të ndërtoje rrugën që është 17 km e gjatë në bazë të standardeve evropiane në zonën kufitare deri më Kosovën. Është e paraparë që të ndërtohet ndërtesa e përbashkët kufitare, ku së bashku do të jenë edhe policët e Republikës së Kosovës edhe policët e Republikës së Maqedonisë. Projekti për ndërtimin e ndërtesës së përbashkët do të kushtoj 1 milion e 200 mijë euro, 600 mijë euro do të vijnë nëpërmjet programit 2 të IPA-as nga Kosova dhe 600 mijë nga IPA programi 2 për bashkëpunim ndërkufitar nga Republika e Maqedonisë, u përgjigj ministri Nevzat Bejta.
Në këtë takim të pranishëm ishin edhe deputeti i zonës së Kumanovës Rexhail Ismaili, kryetari i këshillit komunal të komunës së Likovës dhe përgjegjësi i arsimit në këtë komunë.