E premte, 10.02.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Ardhja deri në këtë mbrëmje të marrjes së diplomës është para së gjithash një cikël katërvjeçar që ka një fazë graduale derisa arrin në një finale. Të flasësh për punën e tyre të diplomës duhet t‘i marrësh e t‘i analizosh që nga dita kur kanë ardhur për herë të parë e derisa kanë mbërritur në këtë pikë.
Gjergj Xhuvani: Njė kėshillė pėr tė rinjtė e filmit












Gjergj Xhuvani, njëri prej regjisorëve më të vlerësuar të këtyre 20 viteve të fundit në Shqipëri, ka përcjellë para pak ditësh studentët e parë të degës më të re të Akademisë së Arteve, Regji Filmi dhe Televizioni. Ai ka qenë pedagogu udhëheqës i të porsadiplomuarve, të cilët mbrojtën diplomën duke realizuar secili nga një film artistik me metrazh të shkurtër. Xhuvani, tregon përpjekjet e këtyre të rinjve, dëshirën për të qenë regjisorë filmash, përkushtimin, por u tregon edhe rrugën e gjatë që i pret përpara.

Pak ditë më parë, studentët e degës së regjisë së filmit dhe televizionit, kanë shfaqur premierë filmat me metrazh të shkurtër me të cilët mbrojtën edhe temën e diplomës. Por si keni proceduar për të mbërritur deri këtu?

Ardhja deri në këtë mbrëmje të marrjes së diplomës është para së gjithash një cikël katërvjeçar që ka një fazë graduale derisa arrin në një finale. Të flasësh për punën e tyre të diplomës duhet t‘i marrësh e t‘i analizosh që nga dita kur kanë ardhur për herë të parë e derisa kanë mbërritur në këtë pikë. Kjo punë është një temë e lirë e studentëve, e cila ka procedurën e një viti shkollor. Ka filluar së pari me skicë-idenë, (prezantohen disa të tilla), të cilat seleksionohen nga drejtuesi i kursit. Më pas vijnë sinopset, që reduktohen deri në dy, deri në përzgjedhjen e sinopsit bazë mbi të cilin do të ngrihet edhe skenari i ardhshëm i filmit të shkurtër. Ai përpunohet e bëhet minimumi në tri versione të skenarit letrar dhe në këtë mënyrë fillon faza drejt realizimit të filmit. Gjithë sa përshkrova është ende fazën e filmit, "në letër" siç i themi në gjuhën regjisoriale, më pas nis kërkimi i vendeve për xhirimet e filmit, si dhe realizimi i skenarit regjisorial. Kjo është pjesa e semestrit të parë, semestrin e dytë, nis realizimi i filmit.

Si i vlerësoni këta regjisorë të rinj?

Unë mendoj se këta studentë kanë punuar me seriozitet dhe kanë bërë një punë të mirë. Ata hyjnë ndershmërisht, me shumë sinqeritet në botën e kinemasë dhe të televizionit. Ata janë kontingjenti i parë që del nga Akademia e Arteve, regjisorët e parë të diplomuar në këtë degë dhe ajo që më gëzon më shumë është fakti se pothuajse të gjithë e kanë gjetur veten në vende pune. Pra, janë të porsadiplomuar që e dinë se ku do të shkojnë. Një pjesë e mirë e tyre janë në punë si regjisorë, janë angazhuar duke realizuar spote televizive apo reportazhe. Them se është një brez i cili do të sjellë një frymë më profesionale, sepse pa dashur të fyejmë askënd, deri më tani televizionet kanë pasur regjisorë të adaptuar që vinin nga fusha të tjera, si artet dramatike, apo që kanë mbaruar për regji teatri a aktrim. Unë them se ky do të jetë një kontingjent regjisorësh më seriozë në këtë fushë.

Cilat ishin temat e filmave me metrazh të shkurtër dhe a pati ndikim apo sugjerim në përzgjedhjen e tyre?

Temat e përzgjedhura prej studentëve ishin kryesisht sociale. Ata u lanë të lirë për t‘u shpërfaqur sa më natyrshëm, me të gjithë botëkuptimin e tyre njerëzor social dhe profesional. Të gjithë rrahën në tema sociale, ku jo rrallë gjendej edhe elementi komik, siç është vetë jeta në të vërtetë. Unë personalisht, si udhëheqës i tyre nuk mund të bëj ndonjë diferencë shumë të madhe nga njëri-tjetri, sepse gjithsecili kishte individualitetin e tyre, pra ata nuk ishin shtampa të një pedagogu. Nuk më ngjanin mua në kinema. Një nga detyrat që kam pasur për katër vjet ka qenë që t‘u mësoj profesionin, jo t‘i ndikoj me shijet e mia profesionale. Eksperiencat që u kam përcjellë kanë qenë ekstremisht të kundërta nga njëra-tjetra. Kam marrë pika referimi nga drejtime artistike, ide e tendenca të ndryshme. Baza ka qenë edukimi profesional e mjeshtëror i profesionit pa u ndërhyrë në shijet, filozofinë e perceptimin e tyre të jetës. Kështu që dhe ata vetvetiu e shpërfaqin personalitetin e tyre. Ajo ç‘ka më interesonte mua ishte rruga se si do e përcillnin mesazhin, idetë, emocionet. Më interesonte rruga e tyre profesionale dhe sipas meje, kjo gjë funksionoi. Pikërisht kjo pjesë, individualiteti, është ajo që i bën ata më interesantë.

Regjia e filmit dhe televizionit është një degë e re në Shqipëri. Kujt përvoje i jeni referuar për metodën pedagogjike që keni përdorur?

Ne u jemi referuar shkollave më të mira të Ballkanit, ndërsa unë personalisht kam marrë parasysh edhe shkollën franceze, sepse atë e njoh më mirë, pa lënë mënjanë edhe shkollën italiane, sepse ne nuk kemi eksperiencë në këtë fushë. Megjithatë, them se gjithçka ka funksionuar.

Ata kanë lëvruar në gjininë e filmit të shkurtër, por a mendoni se janë gati për të realizuar filma artistikë me metrazh të gjatë?

Unë do të thosha se nuk janë tërësisht të gatshëm. Mendoj se ende u duhet eksperienca. Mund të ndodhë që nga bankat e shkollës dikush të ndërmarrë hapin e madh për të bërë një film me metrazh të gjatë, e nëse e realizojnë mirë të parin, tjetri me siguri që nuk do të jetë kaq pozitiv. Për të realizuar një film me metrazh të plotë artistik mbi të gjitha duhet eksperiencë në sheshxhirim. Regjisori duhet të njohë eksperiencën konkrete, atë që ta jep vetëm sheshxhirimi. Regjisorët e kinemasë, siç e thonë kolegët e mi të vjetër, por edhe eksperienca botërore e kinemasë, nuk mund të dalin direkt nga bankat e shkollës. Është e nevojshme edhe eksperienca e jetës. Ajo është e domosdoshme. Po t‘u referohemi shumë regjisorëve të mëdhenj të kinemasë, ata shpesh mburren, ndonjë përmend që ka qenë asistent i Felinit fjala vjen, apo i Kosturicës, a Kopolës, sepse prej tyre kanë marrë më të mirën për të krijuar një eksperiencë personale. Që të realizosh një film të shkurtër, është pak më e thjeshtë se je më i përqendruar, ndërsa të ruash diagramat në një film të gjatë, që zgjat me muaj të tërë xhirimesh, kërkon të ruash një ekuilibër shumë të saktë, në të gjitha elementet e filmit. Faktet tregojnë që dhe regjisorë të mëdhenj e me eksperiencë, kanë bërë filma që dështojnë. Kjo duhet pranuar. Jo të gjithë kanë realizuar filma të suksesshëm. Edhe gjenitë kanë ripërsëritje, sepse të bësh një film është një proces shumë delikat, i cili përveç kulturës profesionale, artistike, do edhe kërkon shumë eksperiencë. Syri si regjisor duhet kultivuar me kohën. Ndaj edhe këshilla ime tepër dashamirëse është që regjisorët e rinj të mos hyjnë menjëherë në filmin e gjatë, por t‘i nënshtrohen sadopak eksperiencës profesionale.

Gjergj Gjuvani me studentet


Çfarë kujtoni nga fillimet tuaja?

Për pesë vjet kam punuar si asistent regjisor. Më kujtohet që gjatë kësaj kohe nuk kam bërë një herë leje të zakonshme, duke kaluar nga një film në tjetrin. Shpesh jam marrë edhe me realizimin e reportazheve të ndryshme. Më kujtohet se në atë kohë nxeheshim me Viktor Gjikën, thoshim: ‘na mori frymën‘. Por sot i jemi mirënjohës atij dhe shumë të tjerëve, sepse na mësuan shumë në profesion. Pastaj kam bërë edhe specializime në republikën Çeke e në Kroaci. Kam marrë eksperiencë prej disa emrave të mëdhenj të kinematografisë dhe e them me bindje se profesioni ynë nuk ka fund. Ai fillon gjithmonë nga e para. Nuk është se shkon në një pikë të caktuar të karrierës e mund të thuash me bindje se je realizuar. Në kinema asnjëherë nuk mund ta thuash këtë, sepse ti je i realizuar ose jo, në raport me filmin që bën. Mund të kesh bërë tre filma të mirë, por në të katërtin dështon e kjo do të thotë që nuk ke arritur akoma atje ku do.

Atëherë në bazë të eksperiencës suaj, cila është këshilla për regjisorët e rinj?

Unë e mbylla temën e diplomës me leksionin tim të fundit, i cili thotë se të jesh regjisor nuk është privilegj, është thjesht sakrificë. Je gjithë kohës në investim, me të papritura, me ankth, në suspansë të brendshme shpirtërore, para publikut... Je ngaherë para diçkaje të panjohur që ta bën jetën të lodhshme. E duke qenë para të panjohurës ndodh që nuk e shikon të ardhmen tënde, ndonjëherë të duket edhe e frikshme (sa i përket pjesës artistike) ndodh që profesioni përveç kënaqësisë të fal edhe mjaft vështirësi. Për këtë arsye, por edhe për shumë të tjera regjisorët kalojnë net pa gjumë. Por në rastin konkret, për filmat e studentëve, ne u munduam t‘ua heqim ankthet atyre. Një kontribut pati edhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë, e cila i financoi me një projekt prej 60 milionë lekësh të vjetra. Për ta u caktua një producent, një staf teknicienësh, iu dha e drejta për të udhëtuar jashtë Tiranës, patën aktorë profesionistë etj., e mbi të gjitha mbështetja morale nuk u ka munguar kurrë. Pra atyre iu dha mundësia që të paktën për herë të parë të ndihen mirë, gjë që unë them se vështirë do e gjejnë.

Kinematografia shqiptare sot, a krijon hapësira për këta të rinj?

Unë them se për ta ka hapësira. Në programin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, gjithnjë ka një buxhet për të rinjtë e kështu ata kanë mundësi të provojnë veten. Të drejtën legjitime që quhen regjisorë me diplomë, e kanë, mbështetjen prej institucioneve gjithashtu e kanë... e kanë ata në dorë të vendosin për fatin e tyre, edhe pse nuk është e lehtë./Shqip/

Publikuar: 24.07.2009 | 23:21
Lexuar: 1258 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime