Analiza në disa kontekste të ndryshme e raportit midis lirisë, në njërën anë, dhe besimeve politike e religjioze, në anën tjetër, ishte njëri prej boshteve kryesorë të veprës së Leszek Kolakowskit.
Filozofi polak Leszek Kolakowski vdiq të premten e kaluar, në moshën 81 vjeçare. Në fillim ai ishte marksist ortodoks, por më vonë shkoi në drejtim të Humanizmit marksist të viteve 50 dhe 60, ndërsa ishte i përfshirë për së afërmi në lëvizjen çlirimtare, e cila në vitin 1956 e çoi Poloninë në Agimin e tetorit, i cili nuk zgjati shumë. Kolakowski më vonë u përjashtua nga Partia Komuniste, kurse në vitin 1968 emigroi në Perëndim dhe u bë kritik i fuqishëm i Komunizmit dhe i apologjetëve të tij perëndimorë.
Analiza në disa kontekste të ndryshme e raportit midis lirisë, në njërën anë, dhe besimeve politike e religjioze, në anën tjetër, ishte njëri prej boshteve kryesorë të veprës së Leszek Kolakowskit. Qendra e universit të tij konceptual postmarksist ishte individi subjekti racional që vepron lirshëm, i vetëdijshëm për ekzistimin e anës shpirtërore të jetës, por që prapëseprapë i shmanget sigurisë absolute qoftë ajo empirike, apo transcendentale.
Nuk besoj se kultura njerëzore ndonjëherë do të mund ta arrijë sintezën e përsosur të komponentëve të saj të llojllojshëm dhe të papërputhshëm, ka thënë ai.
Vetë pasuria e saj ndihmohet pikërisht nga kjo mospërputhshmëri e përbërësve që ka. Kultura jonë mbahet gjallë më shumë nga konflikti i vlerave, sesa nga harmonia e tyre. Në këtë aspekt, roli i filozofit nuk është që ta sjellë të vërtetën, por ta ndërtojë frymën e së vërtetës, me vënien në dyshim të asaj që duket se është evidente, gjithmonë duke dyshuar se mund të ekzistojë edhe ana tjetër e cilësdo çështje. Filozofi i vërtetë secilës çështje duhet ti qaset me skepticizëm dhe përulje: Filozofi modern i cili asnjëherë nuk ka dyshuar në vetvete se mund të jetë një sharlatan, duhet të jetë një mendje aq e cekët, saqë vepra e tij me siguri nuk ia vlen as të lexohet.
Interesi primar akademik i Kolakowskit ishte historia e filozofisë prej shekullit 18. Ai ishte autor i më se 30 librave në të cilët kombinonte historinë, analizën teorike dhe shkrimin lucid. Vepra e tij më e rëndësishme është historia e Marksizmit në tri vëllime: Main Currents of Marxism: Its Rise, Growth and Dissolution (Rrjedhat Kryesore të Marksizmit: Ngritja, Zhvillimi dhe Shpërbërja e tij), që u botua në vitin 1978, pas refugjatllëkut të tij në Perëndim.
Kjo ishte një vepër profetike, e shkruar në kohën kur Marksizmi ende i ofronte themelet ideologjike të sistemit për të cilin u mendua se do të kishte jetë të pakufishme.
Kolakowski dha një përshkrim objektiv të ideve kryesore dhe rrjedhave të ndryshme të mendimit Marksist, por njëkohësisht e definoi atë si fantazinë më të madhe të shekullit tonë [e cila] filloi në një humanizëm Prometean dhe kulminoi në tiraninë monstruoze të Stalinit.
Leszek Kolakowski u lind në Random të Polonisë, me 23 tetor 1927. Pas invadimit gjerman, babai i tij, ekonomist dhe publicist, u vra nga Gestapoja, kurse familja e tij u përzu nga Lodz dhe u internua në një fshat primitiv në Poloninë lindore. Aty, Leszeku i ri gjeti një bibliotekë në shtëpinë e një fisniku minor dhe filloi arsimimin e tij me ndihmën e kohëpaskohshme nga mësuesit e nëntokës polake.
Pas luftës, Kolakowski iu bashkua organizatës së rinisë komuniste të Polonisë dhe studioi filozofinë në Universitetin e Lodzit. Pas studimeve të doktoraturës në Universitetin e Varshavës, u kthye në Lodz për ta ligjëruar logjikën, mirëpo përsëri shkoi në Universitetin e Varshavës, ku u bë profesor i filozofisë moderne, në vitin 1964.
Në vitin 1968, Kolakowski u largua për në Amerikë për shkak të fushatës ekstreme nacionaliste kundër sionistëve (gruaja e tij ishte hebreje). Në njëzet vitet e ardhshme, shteti polak e ndaloi plotësisht shfrytëzimin e punës së tij, prandaj asnjë referencë nuk ishte e mundshme ti bëhej veprave të tija nëpër publikimet zyrtare. Ai u bë Profesor i Filozofisë në Universitetin McGill, kurse në vitin 1969 ligjëroi në Universitetin e Kalifornisë, në Berkeley. Në vitin 1970 shkoi në Britani, ku u bë hulumtues i lartë në Kolegjin All Souls, në Oxford.
Kolakowski ishte veçanërisht i ashpër ndaj apologjetëve perëndimorë të regjimeve Marksiste, të cilët sugjeronin se përparimi ekonomik në shtetet komuniste në një mënyrë e arsyetonte mungesën e lirisë politike.
Kjo mungesë e lirisë paraqitet sikur të ishte një mungesë e përkohshme. Qëndrimet e këtilla krijojnë përshtypje se ato nuk janë të paragjykuara. Në realitet, ato jo vetëm janë thjesht të rrejshme, por janë thellësisht çorientuese. Jo për shkak se asgjë nuk ka ndryshuar në ato vende dhe nuk ka pasur përmirësime në efikasitetin ekonomik, por për arsye se skllavëria politike është instaluar në indin social të shteteve komuniste si një kusht absolut i jetesës.
Kolakowski e përjashtonte idenë e socializmit demokratik, duke e quajtur kontradiktor si një top bore i fërguar, kurse manifestimet moderne të Marksizmit i konsideronte repertor të sloganeve që i shërbejnë organizimit të interesave të ndryshme.