Zonjë: Ndofta mund ta mbani mend se në Maj të vitit që shkoi, z. Eduard Brajt, drejtori i të Ardhurave Kombëtare, më dërgoi një letër me anën e së cilës më kërkonte një taksë të rrjedhur nga librat e mija të botuara në Londër, - domethënë një taksë mbi të ardhurat e honorareve të mija.
Mark Twain
Tuieni për gazetarinë dhe çështje të tjera
Hartford 6 Nëntor 1887
Zonjë: Ndofta mund ta mbani mend se në Maj të vitit që shkoi, z. Eduard Brajt, drejtori i të Ardhurave Kombëtare, më dërgoi një letër me anën e së cilës më kërkonte një taksë të rrjedhur nga librat e mija të botuara në Londër, - domethënë një taksë mbi të ardhurat e honorareve të mija.
Unë nuk e njoh z. Brajt dhe e kam zët të kem letërkëmbim me të panjohurit; unë jam rritur dhe kam jetuar gjithmonë në Amerikë, në fillim përpara lufte, në Prefekturën Marion të Misurit, dhe më vonë në Prefekturën e Hartfordit, në Konektikat, afër Blumfildit dhe nja tetë mila në këtë anë të Fermingtonit, megjithëse disa e bëjnë tetë mila, gjë që është e pamundur, sepse unë kam udhëtuar kushedi se sa herë dhe e kam bërë më pak se tri orë, kurse Gjeneral Holei, thotë se e ka bërë për dy orë e një çerek, po edhe kjo është e pabesueshme; prandaj mendova se puna më e mirë do të ishte t'i shkruaja Madhërisë Suaj.
Është e vërtetë që edhe Madhërinë Tuaj, nuk e njoh personalisht, po kam njohur Lordin Mejër, dhe po të jetë e tërë familja si ai, atëhere e meriton të quhet familje mbretërore; është gjithashtu e qartë se për një çështje familjare si kjo, nuk kisha se kujt t'i drejtohesha më mirë se sa vetë kryes së familjes.
Unë kam njohur edhe princin e Uejlsit në vjeshtën e vitit 1873, jo për së afërmi, po rastësisht e në mënyrë formale, gjë që na u duk të dyve si çudi. Kjo ka ndodhur në rrugën Oksford, pikërisht atje ku lë Oksfordin për të hyrë në Rexhent Sirkus; në çastin që ai kthehej në njërën anë të rrethit, në krye të një vargani, unë kaloja në anën tjetër, në katin e dytë të një autobusi.
Ai duhet të më mbajë mend nga një pallto bojë hiri me xhepa jashtë që kisha veshur, sepse të tillë pallto nuk kishte asnjeri tjetër në autobus; unë, natyrisht, e mbaj mend siç do të mbaja mend edhe një yll. Ai dukej krenar dhe i kënaqur, por kjo nuk ishte për tu çuditur sepse ai ka pamje tërheqëse. Një herë erdha edhe tek Madhërija juaj, por nuk ju gjeta se kishit dalë.
S'ka gale, kjo mund t'i ndodhë kujto. Po më duket sikur u largova pak nga ajo që nisa. Ja si është puna: Z. Brajt u dërgoi një letër botonjësve të mij në Londër Catos dhe Uindus-it - zyrat e tyre ndodheshin në anën e djathtë të bulevardit Pikadilli, ndonjë blokë e gjysmë mbi teatrin e komedive - ku u shkruante se ata duhet të paguanin taksën e honorareve të disa autorëve të huaj dhe pikërisht të zonjushës De La Rame, Dr. Oliver Uendell Holmes, Z. Francis Bret Harte dhe Z. Mark Tuein. Z. Carto e kandisi të hiqte dorë nga të gjithë, por për mua ai nuk u bind. Kësisoj Brajti mu drejtua mua me letër. Dhe jo vetëm aq, por më dërgoi një formular të shtypur në madhësinë e një gazete, të cilin duhet ta nënshkruaja në shumë vende.
Ai ishte një formular që sa më shumë ta studjoje aq më shumë të merrte frika dhe aq më shumë të ngatërronte; duke qënë kështu, i shkrojta Z. Carto të paguaj taksën dhe të ma zbresë mua.
Natyrisht unë pandehja se taksa do ishte ndo një përqind dhe vetëm për një vit, por mbrëmë takova profesor Slonin nga Prinstoni, - ju ndoshta nuk e njihni por duhet ta kini parë shpeshherë sepse ai vjen dendur në Angli, një burrë i gjatë, i pashëm dhe i zhytur thelle në mendime, dhe në rast se kini parë ndonjë si ky në platformën e stacionit pasi e ka lënë treni, është pikërisht ai, sepse atë e lë treni pothuajse përherë, ashtu si gjithë dijetarët e specialistët që dinë shumë gjëra, por që nuk dinë si t'i zbatojnë, - ai pra, më tha se taksa qënkësh e prapambetur dhe përmbledh nja tre vjet, dhe jo një, po dy e gjysmë përqind! Kjo e ndryshoi hesapin.
Prandaj fillova përsëri të studjoja prapë atë formularin me shpresë se mos gjeja ndonjë të çarë për të shpëtuar dhe m'u duk sikur do t'ja arrija qëllimit. Ai, p.sh. fillon kështu: (me fisnikëri e mirësjellje, ashtu siç janë të gjitha dokumentet e qeverisë angleze, - dhe këtë nuk e them për kompliment, po ashtu është e vërteta.)
Zotit Mark Tuein: Në përshtatje me vendimet e Parlamentit, për t'i siguruar të ardhura Madhërisë së Saj, etj.
Këtë gjë nuk e kisha vënë re më parë. Unë pandheja se ato ishin për qeverinë, prandaj i shkrojta qeverisë, por tani e shikoj se kjo ka qënë një punë private, një çështje familjare dhe të hollat ju përkasin juve e jo qeverisë. Mua më pëlqen të bisedoj gjithmonë me më të mëdhenjtë dhe u gëzova kur gjeta atë klauzolë.
Me një të madh, njeriu mund të merret vesh shpejt e mirë, qoftë dhe për çështje patatesh, kontinentesh apo dhe për çështje të tjera që ndryshojnë nga këto: sepse e vërteta nuk matet as nga madhësia as nga natyra e çështjes, ndërsa ai më i vogli është vështirë të kënaqet. Kjo gjë nuk është aspak kundër Z. Brajt.
Ai kryen detyrën veçse duhet t'ju përmbahet ligjeve dhe të mos ja bëjë ashtu siç ja pret mendja, atëherë ai, sipas mendimit tim mund t' ju nxjerrë, me këpucë të kuqe. Brenda dy ose tre vjetëve. Jo se do ta lerë me qëllim familjen tuaj në ditë të hallit, por atje do të dalë.
Duke lenë mënjanë Zotin Brajt, kjo nuk mund të bëhet si çështje Irlandeze; ajo do të zgjidhet në mënyre të pranueshme dhe të kënaqshme për të dyja palët, dhe kur të ketë marrë fund kjo, atëherë Madhërija juaj do të fitojë miqësinë e popullit amerikan, ashtu siç e ka pasur gjatë këtyre pesëdhjetë vjetëve; dhe natyrisht një mbret, nuk mund të kërkojë më tepër se kaq nga një vend i huaj.
Ata nuk i paguajnë të gjithë Anglisë taksë mbi të ardhurat e tyre, po me kohë, shumica e tyre do t'i paguajë, se këtu tek ne po dalin për çdo vit shkrimtarë të rinj, përveç kësaj, më tepër se katër të pestat e popullsisë së Kanadasë suaj janë Amerikanë dhe këta shtohen vazhdimisht.
Një gjë tjetër që vura re në formular ishte "zbritja". Po për këtë do t' ju flas pak më vonë, Madhëri. Në formuar vura re dhe këtë: Shkrimtarët nuk përmenden fare.
Aty përmenden guroret, minierat, metalurgjitë, kriporet, hidrocentralet, kanalet, limanet, bonifikimet, fushat, peshkimet, panairet, të ardhurat, lundrat, urat. E të tjera e të tjera që mund të bëjnë një listë ndonjë metër a një metër e gjysmë të gjatë, domethënë një sasi ose ndonjë numër të madh.
Unë e lexova me radhë e me radhë atë listë, më poshtë e më poshtë dhe duke arritur fundin shpresat e mia ngriheshin më lart e më lart, se shihja që në Angli çdo gjë tatohej e përmendej me emër dhe me hollësi me përjashtim ndofta të familjes dhe të Parlamentit dhe megjithatë, shkrimtarët nuk përmendeshin asgjëkundi.
Ndofta ata janë lajthitur me siguri që janë lajthitur! Fluturova nga gëzimi. Por u nxitova. Në fund, formulari kishte një shënim të shkruajtur me dorën e z. Brajt i cili thoshte: Ju tatoheni në bazë të tabelës D. kollona 14. Hapa këtë dhe lexova këto tri gjëra: Tregti, zyra, gas-sjellës.
Pastaj mendova pak, natyrisht, shpresa m'u kthye përsëri, dhe u sigurova se z. Brajt kishte gabuar prandaj duhej sqaruar çështja: sepse krijimtaria letrare nuk është tregëti por frymëzim, krijimtaria letrare nuk është as punë zyre, sepse ajo qëndron në natyrë të hapur gjithmonë kudo që fryn erë, shkëlqen diell dhe enden krijesat e perëndisë.
Mua pra, meqënëse nuk kam hapur ndonjë zyrë e nuk bëj tregti, nuk më zë tatimi i tabelës D, kollona 14; Madhërija Juaj e shikon vetë; tani do të hidhem në atë çështjen që fola më sipër, në çështjen e "zbritjes", - të zbritjes së tatimit gjë që e përfitoj në disa kushte. Z. Brajt thotë se çdo zbritje që mund të kërkohet nga ana ime duhet t'i përmbahet dispozitave të paragrafit nr. 8, i cili ka këtë titull: Amortizim dhe prishje makinerish e uzinash.
Kjo është e çuditshme dhe tregon se sa larg ka ecur në atë rrugë të cilën e filloi gabim; sepse as tregtia, as zyrat nuk kanë makineri; një gjë e tillë, as është parë as është dëgjuar; përveç kësaj ato as nuk amortizohen dhe nuk prishen. Kjo është e vërtetë, Madhëri. Ja se ç'thotë paragrafi Nr. 8:
Shuma që kërkohet për t'u zbritur për shkak të pakësimit të vlerës nga amortizimi dhe prishja, qoftë kur makineria dhe uzina i përket personit ose shoqërisë që punon, qoftë kur është dhënë me qira në një person a shoqëri që detyrohet ta mbajë dhe ta kthejë në gjendje të mirë:
Shuma L....
Këto fjalë shkruhen aty.
Unë mund t'i përgjigjesha Z. Brajt në këtë mënyrë:
Jam krenar që uzina ime është truri, prandaj nuk kërkoj ndonjë zbritje për pakësimin e rrjedhur nga amortizimi dhe prishja për arsye se ai as amortizohet, as prishet, po qëndron gjithmonë i shëndoshë.
Po, mund t'i them atij se truri im është Uzinë, Koka ime është ofiçinë, Duart e mija janë makineri dhe unë jam njeriu që i vë ato në punë; ato nuk i jepen ndokujt me qira, prandaj nuk ka ndonjë qiramarrës që të jetë i detyruar t'i mirëmbajë dhe t'i dorëzojë në gjendje të mirë. Kështu është puna ime.
Unë nuk dua ta mbiçmoj këtë argument dhe këtë përgjigje, sado e fortë që është (e cila nuk ka asnjë ndryshim nga ajo që unë kam shkruajtur herën e parë) po në të vërtetë, kjo e dërmon atë, Zotin Brajt, siç e shikoni dhe vetë, Madhëri. Prandaj do të qëndroj këtu, nuk shkoj më tutje; sepse nuk jam nga ata që i presin kokën tjetrit pasi ta kenë vënë nën vete.
Tani që ja provova Madhërisë suaj se mua nuk më zë tatimi, po kam rënë viktimë e gabimit të një nëpunësi që ka keqkuptuar natyrën e mjeshtërisë sime, mbetet që ta anulloni letrën time të lartpërmendur, në mënyrë që botonjësi im, të marrë prapë paratë që ka paguar si taksë në bazë të urdhrit tim, për shkak të çrregullimit dhe të ngatërresës që na solli ai formulari.
Ju nuk do ta humbisni shumën, por ky vit ka qënë shumë i keq për shkrimtarët. Dhe sa për mesime, nuk besoj të ketë pasur ndonjë stinë më të keqe, Madhërija Juaj.
Mark Tuein
Madhërisë së Saj, Mbretëreshës, Londër