Historia e largimit të një solisti të Operës dhe Baletit është një histori që përsëritet. Edi Blloshmi nuk iku për para por sepse kanë marrë fund standardet e të punuarit si profesionist në një institucion kombëtar
"Dembelizmi", kishte thënë Edi. Ai ishte shfaqur si gazelë në portën me hark që lidh barin me murin e Operës në pjesën e pasme dhe më e hijezuara e saja, ndaj kjo fjalë u duk e papritur prej gojës së tij, një fjalë që sjell para sysh të lodhurit nga tulet e trupit dhe të mendjes dhe që s'ka lidhje me energjinë prej 23-vjeçari, mosha e Edit.
"Dembelizimi, cigarja në sallën e baletit, djallëzirat." Edi Blloshmi kishte ikur nga Shqipëria në vitin 2005. Kishte lënë Teatrin e Operës dhe Baletit ku kishte nisur të kërcejë si solist i të vetmes trupë baleti dhe kombëtare në Shqipëri.
Historitë me që i vogël spikati për talentin e tij të veçantë dhe dëshira e madhe e nënës, babait, fisit dhe farës për ta parë në skenat e botës, duken histori jo për talente të së ardhmes po për ngjala të ngordhura.
Edhe pse kjo e tija nuk ka asgjë më shumë nga rrëfimet e të rinjve që i njohim dhe nuk i njohim atje ku janë, jashtë Shqipërisë, motivi i ikjes që jep balerini i ri, solist prej mëse një viti në Les Grands Ballets Canadiens të Montrealit, mban një të vërtetë për mjedisin ku përgatitet sot profesionalisht një i ri në Shqipëri, e vërtetë që vetëm përflitet. Me fjalë të tjera ai e përkufizon kështu: një mjedis me njerëz që flasin shumë dhe bëjnë pak.
Kur s'ndihesh ngrohtë dhe s'ke më të mirë, ç'të bësh? Të ikësh.
Edhe mësuesit e tij nuk ishin më në Shqipëri. Një nga ata, Resmi Malko, mësues në National Ballet School of Canada e ndihmoi të futet në Shkollën Kombëtare të Baletit në Torontos dhe brenda një viti fiton të drejtën për të qenë balerin i kompanisë së Montrealit, një trupë me 45 balerinë të cilën, sipas Edit, e bën madhështore cilësia, turnetë në gjithë botën nga Amerika në Evropë - javët e fundit ka kërcyer nga Tel-Avivi në Kajro - aktiviteti i gjallë me balet klasik dhe kontemporan.
Qejfi i tij është tek klasikja. Ky është formimi që nga shkolla e Tiranës. Kurse çfarë i pëlqen në baletin kontemporan është mundësia për të punuar me koreografë të gjallë të rrymave të ndryshme. Ai përmend Mauro Bigonzetti-n, Stijn Celis-in, Christopher Ëheeldon-in, Didy Veldman-in dhe Mats Ek-un dhe Jiří Kylián-in, sidomos këta dy të fundit i veçon si koreografë të neoklasikës. Nuk thonë asnjëherë "okay", por Edit i pëlqen të punojë me ta thjesht se kur flasin, atij i bëhet të punojë më shumë. Dhe të mendosh që ka ikur nga një trupë kombëtare në Shqipëri e cila nuk ka as baletmaestër! Balerinët punojnë vetë! Madje ka që janë edhe balerinë edhe koreografë!
Duke folur për regjimin dhe mënyrën e të punuarit me koreografin suedez Mats Ek, Edi kujton përvojën që pati me të tek "Bukuroshja e fjetur" me rolin e princit. "I mirëkuptueshëm, serioz, po nuk pyet sa i lodhur je dhe që çmendet nëse ti si balerin nuk i jep atë që duhet. Unë dua pikërisht këta koreografë: koreografët krijues." Shto këtu punën në oraret 9.30 me 18.00.
Sezonin në vazhdim ai do të punojë me çekun Kylián-in, është një "full night" e këtij koreografi i njohur për veprat "Bardhezi", "Vdekje e vogël". Pastaj është repertori me klasiken që trupa e Montrealit i ka të pazëvendësueshme, "Arrëthyesi" apo "Romeo dhe Xhuljeta". Plani i Edit është të ndërrojë kompani në këto tri vjet. Një nga arsyet është se do të ndërrojë repertor. Nëse do t'i duhej të zgjidhte, të shkonte diku tjetër, do të provonte në San Francisco Ballet, Miami Ballet apo Dutch National Ballet. Pavarësisht se Montreali është për të një qytet ku njerëzit janë shumë të dhënë pas artit dhe ku vijnë shumë trupa të huaja. Tani që është mësuar të kërcejë s'do donte të binte më poshtë. Edi e ka zakon që t'i shohë videot e baletit po atë natë që kërcen. Ndryshe nga shumë balerinë që urrejnë ta shohin veten.
Në kompaninë e Montrealit kishte ardhur baby dhe tani, në këtë familje me artistë nga skajet e botës, ndihet i vjetër. Jo aq sa të mendojë për ngrysjen e të ardhmes në Shqipëri. Ai ikën gjithmonë që të rritet profesionalisht. Ndërsa në atdheun e tij balerinët e mbyllin shumë shpejt. Në moshën 32-vjeçare kanë kokëçarjen e kohës që u është bërë ujë, mungesën e stabilitetit ekonomik dhe gjunjët nuk u mbajnë më. Skena është e fortë. Nuk ka tapetin e duhur. Edhe ai kur kërcente këtu, nuk e ka ndjerë. Por e quan atë skenë vërtetë të rrezikshme për gjunjët. Aty, solist për një vit, ka kërcyer "Zhizel" dhe "Bajadera" - për interpretimin e rolit të Soloricit tek "Bajadera" u shpall fitues i Çmimit "Kult" si kërcimtari më i mirë i vitit më 2005 - ka interpretuar tek "Carmina Burana", "Bukuroshja e fjetur" dhe "Don Kishoti".
Historia e largimit të një solisti të Operës dhe Baletit është një histori që vazhdon të përsëritet. Edi Blloshmi - nip nga Blloshmët me barra të dhimbshme nga e kaluara në diktaturë - nuk iku për para por sepse kanë marrë fund standardet e të punuarit si profesionist në një institucion kombëtar. Shqipëria mbetet një vend i izoluar për shanset zero të aplikimit të arteve, të energjive krijuese që as mund të ndërtojnë po as të rrëzojnë muret mes vetë shqiptarëve.
/shekulli/