Unë e di shumë mirë se Zhelina është shumë larg Athinës, ashtu siç e di që një deklaratë në Zhelinë sido që të jetë nuk pëlqehet në Athinë, por nuk e dija se kujt i pëlqen të ndodhë kështu ? Gjithsesi brenda një harku shumë të shkurtër kohor u gjendëm përballë dy deklaratash kundërthënëse.
Gëzim Podgorica
Nga Zhelina ku po vijonte takimet me simpatizantë dhe mërgimtarë që kthehen me pushime, një veprim politik racional ky i liderit të BDI-së. Ali Ahmeti kumtoi atë lajm i cili po mungon prej kohësh : Çështja e emrit do të zgjidhet shumë shpejt. Ky pohim nuk kaloi pa u vënë re nga mediat për shumë faktorë, por para së gjithash ai u evidentua se më së fundi po tejkalohet kriza që mban të lidhur jo vetëm marrëdhëniet midis Greqisë dhe Maqedonisë, por po tejkalohet edhe ngërçi që pengon vendin drejt normalitetit integrues. Nuk u bë shumë e qartë se cilat ishin arsyet që e shtynë zotin Ahmeti në këtë njoftim dhe lajm me sens pozitiv, por gjithsesi i rëndësishëm mbetet kumti i dhënë.
Mund të ishte diçka edhe më shumë se kaq, mund të ishte edhe se sa do të involvohej lidershipi politik shqiptar në përcaktimin e emrit dhe sa a do të ishte në konform edhe më përbërjen etnike të Maqedonisë, por e gjitha kjo mungoi. Kjo në fakt duhej të ishte ashti i lajmit që mori përsipër të japë lideri i BDI-së, pasi shqiptarët e Zhelinës në hallet e shumta që kanë, duan të dinë përpos të tjerash se a faktorizohen shqiptarët në këtë çështje, apo atyre thjesht u jepet një njoftim, njëlloj si në televizion pa qenë nevoja të merren në konsideratë si popull shtetformues.
Kush e njeh komunën e varfër të Zhelinës, jo shumë larg rrugës kryesore por shumë larg standardit normal të jetesës priste që lajmin e përgatitur në zyrat e BDI-së ta shoqëronin edhe trajtimi i problemeve të shumta që ka kjo zonë, pasi për problemet shumë të mëdha, ka kush të merret, siç thonë vetë ata. Normalisht ata nuk duan ta përjashtojnë veten nga këto probleme, që lidhen edhe me ngritjen e nivelit të tyre të jetesës në të ardhmen, por janë të interesuar të dëgjojnë për zgjidhjen e problemeve imediate. Gjithsesi edhe njoftimi se çështja e emrit do të zgjidhet, përsëri për ta përbën një lajm pozitiv. Por ama çdo gjë dukej hermetike dhe pa komente të tjera që ka nevojë kjo çështje kaq e stërzgjatur dhe që po lodh edhe diplomacinë perëndimore.
Por ndërsa në komunën e Zhelinës ky njoftim jepej me shumë siguri e emfazë politike, në Athinë, në Asociacionin Ndërparlamentar botëror, ministrja e jashtme greke, Dora Bakojanis përsëriti me shumë ton qëndrimin e prerë të vendit të saj për të vazhduar me veton e tyre ndaj çdo procesi që ka lidhje me integrimet euroatlantike të Maqedonisë. Dhe toni i saj ishte jo vetëm i prerë, por tregonte se deri ku ishin kufijtë që pranon Greqia: Zgjidhje e emrit me përcaktim gjeograf, ose vazhdon të qëndrojë vetoja greke. Një kërcëllim dhëmbësh si ky ka munguar prej kohësh, gjë që tregon se drita jeshile është shumë larg për tu ndezur dhe se optimizmi për një zgjidhje të shpejtë duhet shuar me shpejtësi.
Në këto ditë vere kjo goditje e akullt nga Greqia atrofizon shpresat që lindën nga siguria që dha Ali Ahmeti për zgjidhjen e çështjes së emrit, e cila gati-gati u quajt punë e mbaruar. Në një telefon që pata më një të njohurin tim në Shkup, e pyeta lidhur me faktin se ku u bazua Ahmeti në deklarimin e tij të beftë. Përgjigja që mora prej qeveritarit ishte shumë shokuese dhe në kundërrespekt të liderit të tij, por edhe pa një rreze shprese për zgjidhje të shpejtë.
Në se Ahmeti ka vrapuar për tu bërë interpreto i një zgjidhje që i duhet Maqedonisë por që akoma nuk është e rakorduar për të qenë gati, zyrtarët e propozuar prej tij nuk kanë asnjë arsye etike të shpërdorojnë emrin e liderit të tyre, aq më keq ta shoqërojnë me doza humori.
Unë e di shumë mirë se Zhelina është shumë larg Athinës, ashtu siç e di që një deklaratë në Zhelinë sido që të jetë nuk pëlqehet në Athinë, por nuk e dija se kujt i pëlqen të ndodhë kështu ? Gjithsesi brenda një harku shumë të shkurtër kohor u gjendëm përballë dy deklaratash kundërthënëse.
Kjo mund të shpjegojë faktin se shqiptarët vazhdojnë të mbeten jashtë tryezave të rëndësishme e përcaktuese vendimmarrëse . Megjithëse problemi i emrit është një çështje që nuk mund të përjashtojë askënd, me sa duket politika aktuale e lidershipit politik maqedonas vazhdon të vuajë nga sindromat e nacionalizmit.
Megjithëse për fasadë politike janë bërë disa takime konsultime me të gjithë faktorët relevantë politikë, përsëri ai vazhdon të konsiderohet si një domen vetëm i maqedonasve etnikë. Kjo bën që të ndodhë një kakofoni e tillë, që zoti Ahmeti është në mungesë të një informacioni të abdetuar për këtë problem, kur porsa ai pohon se çështja po zgjidhet, nga pala greke vjen kërcënimi për veto. Dhe jo në një deklaratë të thjeshtë e dosido, por në një forum të rëndësishëm politik ndërkombëtar.
Nuk gjykoj se zoti Ahmeti tentoi për të bërë një show politik me deklaratën e tij, por është shumë më e mundur që nga korridoret politike të Shkupit të jenë hedhur fishekzjarrë të tjerë me ngjyra nacionaliste, nga ato qe e nervozuan në mënyrë të tillë Athinën në këtë reagim të beftë. Gjithsesi deklarata të tilla të paakorduara, pavarësisht rrugëve dhe sinqeritetit të komunikimit, nuk tregojnë seriozitet
!