E diel, 23.11.2014
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Një mik i imi në desktop e mban një foto historike. Aty shihet “njeriu i Velanisë” me bashkëpunëtorët e afërt në një konferencë shtypi në Aeroportin e Tiranës. Në mes tyre, qëndronte edhe Komandanti!
Njerėzit e paqes dhe tė (pas)luftės!






Fadil Lepaja

Sot, kur po e shkruaj këtë kolumne, nuk jam në humor të mirë. Nuk do të përflas asnjë barsoletë politike. Vetë politika jonë është bërë një barsoletë në vete. Një barsoletë e treguar keq, e cila tashmë askënd nuk e bën të qeshë.

Aq shumë përralla na treguan, bashkë me korin diplomatik, sa nuk dimë më në çka të besojmë! Aq shumë, sa nuk duam të kuptojmë se ka ardhur koha të zbresim nga ëndrrat në tokë. Të aterrojmë nga ëndrrat!

E aterrimi nga ëndrrat po na vjen me dhembje, por dhe me një kthjellim të çuditshëm para sysh. Zot, si nuk i kemi parë më herët me këto ngjyra? Të gjithë, e sidomos vetveten. E tash, dymbëdhjetë vjet pas lufte, situata paraqitet pak a shumë kështu: jemi në një gjendje as luftë as paqe! Në tokën e askujt, të quajtur Kosovo*!

Ekonomia nuk ka ecur përpara! Kemi shitur gati krejt çka mund të shitet! Pensionistët kërkojnë mëshirë nga politika! Veç Ai edhe Delli thonë që puna është mirë. Nëpër terr!

Siç thashë, sot nuk jam në humor të mirë. Sot do të shkruaj për një temë të tepër të dhimbshme. Për Jasharët. Për Jasharët dhe për ne.

Edhe pse mund të mendoni ashtu, Jasharët që ranë në një luftë të pabarabartë të zhvilluar në mes të një shteti dhe një familjeje, nuk janë pjesa më e dhimbshme e tregimit. Ata janë pjesa që na bën krenarë, na bëjnë të besojmë se e meritojmë këtë liri ende të pafituar krejt. Pjesa e dhimbshme jemi ne!

Jasharët e vrarë fluturuan në qiell. Ata tashmë janë një mit. Një mit i cili po (keq)përdoret nga të gjallët për diçka krejt të kundërt me idenë e lirisë dhe të sakrificës për të cilën ata u vetëflijuan. Po keqpërdoren me të madhe nga politika. Për të ardhur në pushtet. Apo, për ta mbajtur pushtetin me çdo kusht!

E pushteti të bën shpi. Qy shpi?! Të bënë milioner! Nuk është kuiz. Nuk ke nevojë të dish asgjë. Mjafton të mos kesh ndërgjegje.

Pjesa më e dhimbshme, në përvjetorë, janë oratorët. Prandaj, nuk shkoj në përvjetorë. Në vete lutem për shpirtin e martirëve dhe jam falënderues. Por, ata që ngjiten në skenë, apo dalin para kamerave televizive në Kompleksin Memorial të Jasharëve, nuk flasin për Jasharët. Ata flasin për vete. E, ata janë të dijshëm e të padijshëm. Të ndërgjegjshëm e të pandërgjegjshëm. Etnocentrikë apo egocentrikë!

Por, kompleksi tashmë është projekt i mbyllur. Lavdia mbetet përjetë e tyre. Politikanët nuk e marrin dot lavdin e tyre! Ata mund të marrin vetëm publicitet. Kur hyjnë apo nuk duan të hyjnë në Kullën e Jasharëve. Krejt lajmet ikin nën zhurmën e kapriceve të politikës.

Më së vështiri e kanë Jasharët që mbijetuan. Çdo vit njëjtë! Plaga, sa më shumë që ftohet, dhemb më shumë! Me vete duhet të mendojnë: Çfarë kërkojnë ata që vijnë këtu çdo vit? Me kamera, Jeep-a, bodyguard-a, e me shumë zhurmë? Pse vijnë me kaq zhurmë në vendin ku duhet të pushojnë dëshmorët?! Shërojnë ndërgjegjen?

E ne pyesim: çka duan dëshmorët në politikën tonë ditore? Ata janë për libra të historisë! Për vepra arti! Për këngë! Për të na dhënë kurajë. Ata janë si engjëjt!

Një mik i imi në desktop e mban një foto historike. Aty shihet “njeriu i Velanisë” me bashkëpunëtorët e afërt në një konferencë shtypi në Aeroportin e Tiranës. Në mes tyre, qëndronte edhe Komandanti!

“Përpjekjet që bëhen sot për të vënë në vijë komandantin legjendar dhe njeriun e Velanisë janë dështime të tjera të politikës”, paska thënë në përmbyllje të manifestimit njeriu i shoqatës. Ai që flet në emër të të rënëve! Ai po e lexonte një fjalë të cilën duket t’ia kenë shkruar ideologët e lagjeve që përhapin urrejtje mes njerëzve. Të atillë që mbijetojnë dhe pasurohen nëpërmes konflikteve. Po thoshte se nuk duhet krahasuar njerëzit e luftës dhe ata të paqes.

Nuk duhet barazuar komandanti me “njeriun e Velanisë”.

Ai nuk e kupton se projekti i pavarësisë ka qenë projekt paqeje! Projekt i filluar me protesta e demonstrata. Me institucione paralele!

E luftën na e imponuan! Nuk e deshëm. Kush e do luftën?!

Sivjet ishte dimër i ftohtë. Shumëkush e kaloi këtë dimër nën batanije, e duke “vjedhur” rrymë. Populli detyrohet me e “vjedhë” mallin e vet! Të blerë me paratë e taksapaguesve. Megjithatë, shumë net i kaluam në terr. “Njeriu i Velanisë” na mësoi dikur: “Do të mbijetojmë”.

Do të marrim edhe liberalizimin – thotë qeveria. Mund të shkoni nga të doni. Nuk jeni të domosdoshëm më këtu. Jeni veç problem. Problem social!

Do ta marrim liberalizimin. Gjithsesi! Pasi të shpjegojmë se si u pasuruan “pashpjegueshëm” disa njerëz me pushtet. Kështu thotë dokumenti sekret i botuar në medie.

Ndërkaq, në Prekaz, nuk mungonin drutë. As zjarret. Shteti i ri, nën patronazhin e vet, po ndez zjarre e po mban fjalime, të cilat e kanë humbur zjarrin e dikurshëm.

Fjalët nuk e ngrohin më askënd. Në natën e madhe të zjarreve drutë digjeshin pa dhimbje. Zjarri kishte përfshirë kujtesën e mijëra ish-luftëtarëve dhe qytetarëve, të cilët me këtë zjarr gjithëpërfshirës sikur po e shëronin ndërgjegjen që nuk kishin qenë aty në ditët e mëdha të 5, 6, 7 marsit 1998.

Ato ditë Jasharët luftonin të gjithë. Me burra, me fëmijë e me gra. E dhanë frymën e fundit në Kullën e bërë shoshë nga predhat e të gjithë kalibrave. Ai zjarr që u ndez aty e dogji përfundimisht praninë e shtetit serb në Kosovë. Ata që u dogjën aty u bënë pjesë e historisë, e të gjallët ende nuk e kanë marrë veten nga përmasat mitike të një ngjarjeje që na ka ndodhur para syve.

Në një emision televiziv, njëri nga Jasharët e gjallë, po thoshte se do të ishte më i lumturi sikur edhe ai ta kishte një vend për varr në mes të Jasharëve të legjendës. Por, Zoti deshi ndryshe. I mori ata që i zgjodhi. Të tjerët i sfidoi për të bartur barrën e madhe të legjendës. Kurrkush nuk e di kush e kishte më lehtë: Jasharët që ranë apo ata që mbijetuan.

Shumëkush sot u këndell falënderues, por ka edhe të atillë që ende nuk i ka lëshuar hutia. Edhe inatet e paraluftës. Edhe inatet e luftës. Edhe ato të pasluftës!

Aq shumë zjarre! Nuk duan ta kuptojnë se në këtë dimër të ashpër shumëkush mërdhiu sepse njerëzit nuk kishin para për dru. Me një pension një metër/kub dru...!

Ju thashë, nuk jam në disponim të mirë sot! Kam problem me vijat! Vijat e paqes dhe të (pas)luftës! Unë e dija vetëm një vijë: atë të lirisë! Të pavarësisë!

E kuptoni tani legjendën për “Kalanë e Rozafës”? Atë për vëllezërit e pahair që e rrejnë njëri-tjetrin dhe themelet që rrënohen vazhdimisht...?!

Po, e nisa me disponim të keq! Disponimin ma prishën oratorët e padijshëm që nuk duan apo nuk dinë të gjejnë fjalë që të ngrohin zemrat e njerëzve në këtë dimër siberian.

Do të lutesha: “Fali, o Zot, se nuk e dinë çfarë po bëjnë!”. Por, nuk mundem!

E dinë...!

Publikuar: 14.03.2012 | 17:21
Lexuar: 4259 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime