Ish- kryetari socialist dhe ish-kryeministri Fatos Nano, vetëm përshtypjen e një ish-i nuk të lë në bisedë. Riangazhimi i tij në çështjet që trazojnë fort jo vetëm të majtën e politikës shqiptare, por edhe spektrin politik dhe krejt aktualitetin shqiptar në përgjithësi, sigurisht ka disa kohë që ka nisur.
Flet ish-Kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano
Alqi Kociko
Takimi është lënë në një lokal të qetë, në të përpjetën që të çon në fshatin Sauk. Ish- kryetari socialist dhe ish-kryeministri Fatos Nano, vetëm përshtypjen e një ish-i nuk të lë në bisedë. Riangazhimi i tij në çështjet që trazojnë fort jo vetëm të majtën e politikës shqiptare, por edhe spektrin politik dhe krejt aktualitetin shqiptar në përgjithësi, sigurisht ka disa kohë që ka nisur. Për periudhën parazgjedhore, ky rol i ri i një prej njerëzve më të rëndësishëm të 18 viteve pluralizëm permblidhet, pikërisht në revistën Klan, me mesazhet që zoti Nano jep (jo vetem per publikun e majtë) në numrin që del një ditë para zgjedhjeve. Afërmendsh, e falenderuam z. Nano që pranoi këtë intervistim të gjallë, krejt ekskluziv, larg xhaketës dhe kravatës, pranë kafeve e cigareve. Në fund të fundit, Scripta manent
Fatos Nano sqaron disa pikëpyetje, u jep përgjigje disa çështjeve për të cilat nuk kanë munguar akuzat, konkludon në qëndrimin dhe vlerësimet që ka rreth qeverisjes Berisha dhe, padyshim, rreth PS-së, tashmë prej katër vitesh të drejtuar nga pasardhësi i tij, Edi Rama, pa harruar dhe spektrin e gjithë politikës së majtë.
- Zoti Nano, përse pas 18 vjetësh si protagonist kryesor i skenës politike shqiptare, e shihni veten jashtë saj. Kemi parasysh këtu se nuk do të jeni më pjesë e parlamentit të ardhshëm, se nuk jeni në kryesinë e Partisë Socialiste dhe madje, ironikisht, ngjan sikur nuk jeni as anëtar i PS-së?
Në rast se kjo dukuri shfaqet si anormaliteti i skenës së sotme politike, jam i prirur ta arsyetoj pak më shumë se kaq. Duket se këto tri të vërteta, pra mungesa ime në listën parlamentare të PS-së, apo në kryesimin e saj, madje duket se ju e dini që unë spaguaj më as kuotat e anëtarësisë (?!), është triptiku që jep pamjen se Partia e sotme Socialiste nuk është më partia ime. Dhe, po të hynim në përmbajtje, jo vetëm memorja dhe politika e saj programore nuk ekziston më në marrëdhëniet me publikun dhe me zgjedhësit, por mungesa vdekjeprurese e disa elementëve jetikë të qenies historike dhe të vitalitetit politik të organizatave të tilla shoqërore si: vlerësimi parimor i themeluesve, sistemimi i përvojës politike, ruajtja e vlerave konkurruese dhe përcjellja e përgjegjshme e tyre në brezat e militantëve dhe liderëve të rinj, flasin më shumë se, subjekti elektoral që sot është regjistruar me numrin 33, nuk është veçse një organizatë e dyshimtë, e mbyllur, gati masonike, pothuaj sipërmarrëse dhe aspak politike. Shkurt, një mekanizëm i kokolepsur interesash informale që lidhin botën e krimit ekonomik me pushtetin e korruptuar.
Ndërkaq, si themelues i Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe udhëheqës jo vetmitar i saj për vite me radhë, më duhet të them se pikërisht kjo sfidë: rimarrja, rikthimi, rivendosja e këtyre vlerave dhe institucioneve të njërës prej partive më kontribuese në zhvillimin e pluralizmit dhe demokracisë në Shqipëri, përbën motivin më vital të vazhdimit të jetës dhe të militantizmit tim politik. Për rrjedhojë, këtë angazhim aspak të zakonshëm, nuk ka listë, nuk ka kolltuk dhe nuk ka teserë që ta mbajë.
- Pas humbjes së zgjedhjeve të korrikut 2005, ju krijuat, se pari, precedentin e rotacionit normal politik të pushtetit dhe, së dyti, precedentin e largimit nga drejtimi i partisë, per shkak te humbjes së garës elektorale. Sot, pas katër vjetësh, mendoni se këta precedentë e ruajnë vlerën emancipuese në politikën shqiptare, apo ishin dhe mbeten një dukuri e parakohshme?
Sigurisht që unë nuk isha aspak i përgatitur për të humbur zgjedhjet e 3 korrikut 2005. Me këtë dua të them se dy precedentët që ju përmendni, nuk ishin pjesë e një skenari apo plani konspirativ, siç luajnë sot më shumë ata që e dëshironin dhe e nxitën humbjen e PSSH-së në zgjedhjet e para 4 viteve. Nga ana tjetër, precedentë të tillë, mesa duket të paprecedentë në historinë pluraliste të Shqipërisë, duhet të kenë bërë pjesë në gjithë filozofine dhe historinë time politike të reformimit të PS-së, të së majtës demokratike dhe në përgjithësi të politikës progresiste në Shqipëri, në krijimin e institucioneve që mbrojnë jetën e partive politike nga abuzimi klientelist, autoritarizmi dhe shantazhi i pushtetit me çdo kusht. Pra, ato bëjnë pjesë në moralin e dhënies së shembullit të gardianit të vlerave dhe të institucioneve demokratike, sidomos nga udhëheqësi më i lartë, si mesazh edukimi dhe sjelljeje politike për të gjithë militantët dhe anëtarët e tjerë. Kjo sjellje buron, në mënyrë të veçantë, edhe nga logjika dhe arsyetimi i krejt historisë dhe sjelljes politike të shqiptarëve në shekullin e fundit, kur, distanca nga bota e qytetëruar perëndimore, u krijua sidomos për shkak të qëndrimit të dhunshëm të liderëve ndaj pushtetit politik, shtetëror, të klanit apo të parave; thuajeni po deshët, edhe për shkak të sjelljes prej cubash, haxhiqamilësh, saliramistësh, apo tim- tom kodoshësh të liderëve populistë.
Më lejoni ta shpreh më shkoqur këtë që thashë më lart me dy argumente: Sot, largimi nga drejtimi politik kur humbet garën elektorale, vlerësohet nga të gjithë si një nga standardet e mekanizmat më të rëndësishëm të funksionimit demokratik të partive dhe të shtetit. Po kështu siç, për hir të Zotit, po shprehet edhe pasuesi im në drejtimin e qeverisë, dorëzimi jo thjesht paqësor i pushtetit me zgjedhje, por edhe përcjellja me inventar dhe arkivë të plotë e punëve të shtetit dhe e programeve kombëtare të zhvillimit, e marrëveshjeve dhe marrëdhënieve me përfitime e detyrime reciproke të shtetit tënd me partnerët ndërkombëtarë, shkurt transmetimi me procesverbal i memories dhe detyrës qeverisëse nga humbësi tek fituesi i zgjedhjeve, po pranohet gjerësisht, jo vetëm si standard normaliteti kushtetues, por edhe si detyrim i krejt politikës përfaqësuese për të kapërcyer, ndoshta, shkakun kryesor të anormalitetit të institucioneve të pushtetit dhe të politikës në 18 vjet demokraci në Shqipëri. Kam parasysh jo vetëm katastrofën kombëtare që shoqëroi ndërrimin e pushteteve në krizën e rëndë të vitit 97, por edhe dëmtimin e madh të pasurisë kombëtare të trashëguar, të resurseve ekonomike dhe të eksperiencës qeverisëse e politike të krijuar në pluralizëm nga sjellja brutale e opozitës së djeshme, që lëvizte nga mosnjohja e humbjes në zgjedhje, deri te puçet e armatosura për marrjen e pushtetit pa zgjedhje.
Nga kjo pikëpamje, më lejoni të kërkoj ndjesë që nuk munda ti shfaq më herët shembujt e respektimit dhe krijimit të këtyre precedentëve të domosdoshëm për funksionimin normal të shoqërive demokratike, sepse në ballafaqimet elektorale të viteve 90-të u burgosa si kundërshtar politik, ndërsa në ato të viteve 2000 i humba zgjedhjet jo për arsye organike të qeverisjes dhe të sjelljes sime politike, por vetëm pas tetë vjet qeverisjeje që e transformoi Shqipërinë nga rënia e shtetit tek asocimi me BE-në dhe partneriteti me NATO-n.
Më në fund duket se sjellja ime politike, jo vetëm ka qenë vendimtare për krijimin e këtyre precedentëve, por e ka larguar dukshëm dhunën e rrugës në marrëdhëniet e politikës me shtetin, ndërsa aime, nuk ka arritur të largojë autoritarizmin e dhunshëm nga qeverisja dhe politika, si e mazhorancës ashtu edhe e opozitës. Mbaj mend, një ambasador i rëndësishëm në Tiranë më pyeste paradokohësh se, si shpjegohet që mungon tani dhuna e rrugës. I thashë: Mungon sepse organizatorët e saj janë larguar nga rruga dhe kanë hyrë në zyra!!
Më vjen keq apo mirë, nuk jam i sigurtë ta pohoj, por ndoshta aleati im më besnik në këtë sjellje politike nuk paska qenë politika, por shoqëria në përgjithësi dhe shoqëria civile në veçanti.
- Për ndjekësit e zhvillimeve politike, pas largimit tuaj pritej lançimi i Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste. Ju e kishit parashikuar këtë, e prisnit, e kishit llogaritur?
Natyrisht, arrivizmi i Ramës për të kapur kreun e PS-së nuk ishte i papritur; ndoshta ishte i llogaritur. Prandaj mund të them se, megjithëse i parashikueshëm, për mua nuk ishte i pashmangshëm. Sigurisht, në qoftë se do të isha krejt objektiv në vlerësimin e kësaj historie, Edi Rama nuk është lançimi im. Madje, më duhet të shpjegoj më në fund që, unë isha tërhequr disi nga përpjekja shumëvjeçare e lançimit të liderëve të zbuluar në mjedisin politik të socialistëve, pas mossuksesit me dy ish kryeministra, apo me integrimin rinovues në udhëheqje të figurave me prejardhje dhe eksperiencë të ndryshme politike apo civile.
Duke hequr dorë nga drejtimi i partisë për shkak të humbjes së zgjedhjeve, mbeta thellësisht i interesuar për të kuptuar dhe vlerësuar, në rrjedhën e ngjarjeve që do të pasonin, se sa ambicie të vërteta lidershipi dhe mbartës të përgjegjshëm të tyre do të mund të kishte krijuar sjellja ime gjithëpërfshirëse dhe kolegjiale në ndarjen e lidershipit me forumet dhe anëtarësinë gjatë përvojës 15 vjeçare të drejtimit të PS-së.
Ajo që nuk prisja, ishte pikërisht kjo që ndodhi: Që në udhëheqjen e PS-së së përkëdhelur, rritur dhe edukuar me shumë kujdes për vite me radhë, të mungonin numrat 1 të vërtetë, dhe që, në amullinë e një morie të vegjëlve (me numër rendor më të madh se njëshi), të dominonte mungesa e përgjegjësisë se lidershipit dhe e vlerësimit të eksperiencës kolegjiale demokratike, tulatja, frika dhe dorëzimi përballë arrivizmit të rrezikshëm, siç po shfaqet, të një masoni të pasuruar si kryetari pa platformë i kongresit të 2005-ës dhe kryetarit pa program të zgjedhjeve të 2009-ës. Në mënyrë paradoksale, por krejt të ndryshme, u përsërit historia e palimiskave dhe lenkaçukove, pas vdekjes politike të Enver Hoxhës!!
- Z. Nano, ju jeni politikani që udhëhoqi e kreu tranzicionin nga Partia e Punës në Partinë Socialiste, në një organizate politike moderne, anëtare të Internacionales Socialiste, ku dominonte toleranca, bashkëjetesa e të ndryshmëve, gjithëpërfshirja e kontributeve militante mbi baze meritokratike dhe, sidomos hapja institucionale e partisë, nga viti 1997 e mbrapa, ndaj shoqërisë civile, me prurje si Mejdani, Islami, F. Klosi, Leskaj, Rama etj., etj. Si e komentoni sot kategorizimin që ju bëhet si konservator dhe përfaqësues i politikës së vjetër? Çmendim keni për politikën e re, thënë ndryshe kali i betejës elektorale të kryetarit aktual të PS-së sot e kësaj dite?
Përderisa ka koherencë brenda pyetjes që ju bëni, lidhur me frymëzimin tim demokratik e liberal dhe këtyre prurjeve, përgjithësisht pozitive, në politikën novatore që impononte reformimi i thellë i së majtës dhe shoqërisë tradicionale shqiptare në kontakt me demokracinë pas 5 dekadash, atëherë më lejoni të shtoj se, ky i imi mund të jetë vetëm konservatorizëm si ai i popullorëve në drejtimin e Europës së Bashkuar, apo të them se një politikë e tillë e vjetër duhet mbrojtur si vera e vjetër përballë rrebesheve atmosferike. Dhe më në fund, nëse ndonjë nga prurjet e mësipërme mendon se me etiketën e politikës së re mund të likuidojë gjithë këtë sistem vlerash konkurruese edhe në zhvillimin e sotëm global, atëherë me këtë kalë beteje kthehemi te Rosinanti përballë betejës së nesërme elektorale.
- Në daljen tuaj në emisionin Opinion, përveç kritikave ju shprehët edhe vlerësime pozitive për punën e qeverisë së kryesuar nga z. Berisha, çka, për hir të së vërtetës, shkaktoi reagime kundërthënëse në opinionin publik. Ndërkohë në takimin me Ilir Metën dhe përfaqësues të tjerë të së majtës, ju përdorët shprehjen regjimi i Berishës. A mund të na thoni se cili është vlerësimi juaj për qeverisjen e zotit Berisha këtë katërvjeçar?
Duket se keni të drejtë që kërkoni ti rikthehem këtij vlerësimi. Për shkak të shqetësimit tim të kuptueshëm për gjendjen e mjeruar të opozitës së sotme, ndodhi që në vlerësimet e mia në emision, dominoi në kohë edhe analiza për të. Ndërkaq më duhet të përsëris se siç thashë edhe në atë dalje, në sintezë, duke kërkuar edhe një reagim më objektiv, pra më konkurrues dhe më mobilizues të opozitës ndaj regjimit të Berishës sot, qeverisjen e tij këta 4 vjet më duhet ta karakterizoj si qeveri e Bëmave të mëdha dhe Gjëmave të mëdha; një qeverisje autoritare, voluntariste, të dhunshme jo vetëm ndaj strategjive të zhvillimit kombëtar të hartuara me shumë sakrifica nga qeveritë e majta të mëparshme, jo vetëm ndaj resurseve dhe buxheteve kombëtare të centralizuara si asnjëherë në pak prioritete të zhvillimit të munguar, por jo të qëndrueshëm, e afërt me grandomaninë e arkitekturës musoliniane dhe jo me nevojat e zhvillimit harmonik, integrues dhe konkurrues të vendit; një qeverisje të dhunshme edhe me institucionet shtetërore jashtë qeverisë, me parlamentarizmin, me sistemin e drejtësisë, me politikën alternative, me organizata përfaqësuese të grupeve të interesit, me shoqërinë civile, mediat dhe opinionin publik.
Ndërkaq, për opozitën e përgjegjshme, një mjedis i shëndetshëm për të riparuar deformime të tilla kritike, me efekte të dëmshme në perspektivën afatmesme, nuk mund të krijohet me qëndrime asgjësuese, foshnjarake, joprofesionale dhe amneziste ndaj rekordeve dhe bilanceve të zhvillimit të vendit, ekonomisë dhe shtetit, me mungesë vëmendjeje ndaj vlerësimeve alternative të organizatave të specializuara financiare dhe atyre në fushën e zhvillimit demokratik. Duket se këto janë, për fat të keq, anë të së njëjtës medalje. Sjellja shpërfillëse, imponuese dhe e dhunshme e qeverisë duket se prodhon qëndrim nihilist, asgjësues dhe shpërfillës të çdo realiteti dhe diskutimi serioz për problemet e zhvillimit kombëtar nga ana e opozitës.
E them këtë mbështetur në eksperiencën dhe filozofinë time politike ku, për vite me radhë në opozitë, jam përpjekur ta detyroj qeverinë të mos i burgosë, por ti integrojë kundërshtarët politikë dhe, për vite me radhë në qeverisje, jam përpjekur të integroj opozitën në jetën parlamentare, politike e shtetërore të vendit, shpesh më shumë sesa përfaqësimi që ajo fitonte në zgjedhje; dhe mbi këtë bazë të krijoj institucione dhe procese të qëndrueshme dialogu, jo vetëm politike por edhe institucionale, për mbarëvajtjetjen e shtetit, demokracisë dhe ekonomisë me forcat kundërshtare politike, grupet e interesit dhe shoqërinë civile. Nuk mund të ketë garanci për kapjen e kohës së humbur dhe shkurtimin e kohës së mbetur, për arritjen e standardeve të zhvillimit global të shoqërisë, pa rivendosur institucionet e dialogut politik dhe përfaqësues midis mazhorancës, opozitës dhe grupeve jopolitike të interesit në Shqipëri. Madje mungesa e këtyre institucioneve dhe e kësaj klime, jo vetëm që nuk do ta frenojë, por do ta kultivojë më tej korrupsionin dhe korruptimin e të gjitha palëve në dëm të perspektivës europiane të vendit.
- Një akuzë që ju bëhet sot nga PS-ja zyrtare, lidhet me mosaktivizimin tuaj në jetën parlamentare gjatë këtij mandati, si dhe me mosangazhimin për problemet e zonës që ju kishte zgjedhur deputet, pra, Sarandës. Si iu përgjigjeni akuzave të mësipërme?
Për arsye të përçudnimit dhe tëhuajzimit të partisë sime, për shkaqe që i përmenda më sipër gjatë mandatit që po mbyllet, jam detyruar të shërbej si i paangazhuar edhe ndaj Sarandës, edhe ndaj mandatit të deputetit. Nuk mund të shërbeja si rrogëtar për aventurën e Ramës dhe gjëmat që ajo ka shkaktuar në sjelljen dhe rolin politik të socialistëve, të PS-së dhe grupit të saj parlamentar në katër vitet që po mbyllen. Shkurt, kam krijuar me ta distancën dhe kam fituar kohën e duhur për të analizuar gjendjen dhe shkaqet e saj, duke mos u kursyer për të shërbyer në marrëdhënie direkte me socialistët dhe njerëzit e thjeshtë, me politikën në tërësi dhe me faktorët aktivë të brendshëm dhe ndërkombëtarë të zhvillimit të vendit, sa herë ka qenë e nevojshme, si në impasin e zgjedhjeve lokale 2007, në evolucionin drejt anëtarësimit në NATO dhe në BE, apo gjatë kësaj fushate etj., dhe sa herë do të jetë e nevojshme, me sa duket, pashmangësisht, në të ardhmen e afërt.
Sa i takon gërricjeve të kalamajve të Xhemiles për moralin financiar të sjelljes sime si deputet, më lejoni tju kujtoj se kam vazhduar të paguhem në bazë të ligjit si ish-kryeministër deri kohët e fundit. Natyrisht, jo me shtatë miliardë lekë të reja dhe as nga donatorë masonikë.
- Ju u takuat me Metën për herë të parë pas largimit të tij nga PS-ja dhe themelimit të LSI-së, dhe kërkuat ndjesë për përçarjen e 2005-ës, çka është në zanafillë të situatës politike të sotme. Ju u shprehët gjithashtu se bashkimi dhe bashkëpunimi është në ADN-në e së majtës, ndonëse Edi Rama nuk iu përgjigj ftesës së Metës dhe dorës së shtrirë për bashkëpunim. A mund të na thoni se, sipas gjykimit tuaj, në cilat kushte do të bëhej i mundur riorganizimi i spektrit të majtë, kaq të fragmentarizuar sot?
Përsëris bindjen time se në ka një gjë të patjetërsueshme në ADN-në e së majtës, është bashkëjetesa, gjithëpërfshirja, bashkëpunimi dhe pranimi i kontributeve të të ndryshmëve, që e ka pasuruar eksperiencën dhe ka ruajtur vitalitetin e saj konkurrues për vite më radhë. Duket se ky është dhe elementi kryesor që në gjendjen e sotme të mjeruar të opozitës do të duhej përdorur si fondamenti i riorganizimit të së majtës, për të rigjallëruar jo vetëm vlerat dhe parimet programore të saj, për të rishkrirë dhe kthyer ne gjendje pune memorjen qeverisëse dhe profesionale, sidomos të socialistëve, përfshirë dhe ekipin e Ilir Metës, dhe veçanërisht për të rindërtuar institucionet demokratike të së majtës së re, që mbështeten te binomi Solidaritet plus Meritokraci.
Kam bindjen se vetëm kështu mund të kapërcehet fragmentarizimi aktual i së majtës progresiste dhe, me ose pa fraksione, të ringrihet në këmbë një front opozitar i së majtës europiane, i bashkuar në diversitet konkurrues kundrejt një të djathte në dekadencë, sidomos në rrafshin kombëtar.
Falënderojmë kolegun Alqi Koçiko, kryeredaktor i revistës Klan që na ofroi mundësinë e botimit të intervistës...Gazeta Tribuna, Greqi