Golshënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i Kombëtares ai flet me zemër në dorë, për Kombëtaren, për fillimet e karrierës së tij, idhujt e tij nga futbolli shqiptar e ai ndërkombëtar, jetën e sotme planet për të ardhmen.
Nga
Robert Goro
Me dhjetra herë ka ngritur peshë entusiazmin, jo vetëm të spektatorëve në suadium, por edhe të mijëra shikuesve para ekranit të televizionit. Emrin e tij nuk ka sportdashës në gjithë trevat shqiptare që nuk e njeh dhe nuk e shqipton me një ndjenjë admirimi. Me 14 golat e shënuar, Alban Bushi është golshënuesi më i mirë i Kombëtares Kuqezi, ndërsa nënshkrimin e tij e kanë provuar dhe po e provojnë dhjetra rrjetat, fillimisht në Shqipëri, pastaj në Hungari, Gjermani, Turqi, Bullgari, e Greqi. Gjithashtu është një nga dy tre rekordmenët sa i përket aktivizimit me ekipin Kombëtar, ku shpreson të rikthehet përsëri.
Por Alban Bushi, përveçse një lojtar tepër cilësor, është dhe një bashkëbisedues po aq i mirë. Me pjekurinë që tashmë ia imponon mosha dhe stazhi në fushat e blerta, pa tangarllëkun që mund të kenë yje të tjerë të ngjashëm, ai flet me zemër në dorë dhe pa dredha; nuk përpiqet të shtiret si i vërtetë, pse është i vërtetë në çdo fjalë që thotë. Kjo ishte përshtypja kryesore që më la biseda me Albanin, aty në kafen e hotel e Titanias, mbrëmjen e të shtunës së kaluar para se Levadiakosi, ekipi ku luan Bushi aktualisht, të shkelte fushën e stadiumit Olimpik për tu ndeshur me Panathinaikosin.
Pikërisht kjo ndeshje ishte një rast i mirë për të bërë një rikthim të shkurtër, në pranverën e vitit 2007, kur Bushi u vu në shënjestrën e shtypit sportiv e politik grek, për gjestin alla shqiptarçe që bëri pas shënimit të golit të barazimit. Por edhe në debutimin e tij të parë në Greqi, nga fundi i viteve 1990, me Apollonin e Athinës, kishte qenë përsëri protagonist i një incidenti, kur i kishte hedhur fanelën trainerit të atëhershëm.
Para se të përgjigjet, Albani bën një parantezë:
Nëse unë nuk isha pjesë e incidenteve, unë do të mund të isha në një klub shumë më të madh. Jam tip impulsiv, sedra ime është shumë e zhvilluar dhe kam paguar për këtë. Kam pasur raste shumë të mira, si në Greqi, si në Bullgari. Kur luaja me Liteksin në Bullgari, unë isha kapiten i ekipit dhe në një ndeshje kishin ardhur nga Verder Bremen për të më parë nga afër. Fitonim ndeshjen 1-0, ekipi kundrështar filloi të zihej me gjyqtarin, unë shkova ta mbroja dhe bullgarët nisën të më shanin shqiptar i.... Unë i rashë me grusht një lojtari, gjyqtari më nxorri të kuqen dhe atëherë i rashë me grusht edhe gjyqtarit. Sigurisht, do të kisha patur karrierë më të mirë, nëse do të isha i përmbajtur në fushë, por gjithmonë më provokonin për shkak të nacionalitetit tim. Me trainerin e Apolonit, Babis Tenes, unë atëherë isha thuajse adoleshent, pse më ndërroi i hodha fanelën. Ky ishte faji im. Këtë gjë smund ta bëj tani, ose nuk do ta bëja para pesë vjetëve.
Kurse me Panathinaikosin... Grekët kur i përmend shqiptarin, sikur i përzihet, nuk ndihet mirë. Kështu që më provokonin vazhdimisht gjatë lojës. OK, unë luaj këtu, banoj këtu, ha këtu, por këtë e arrij me këmbët e mia, nuk mi fal kush. Por grekët, siç thashë kanë pak problem me shqiptarët...
- Aq më tepër kur shqiptarët u bëjnë gola...
Golin unë e dua, gjatë gjithë kohës para ndeshjes, jetoj me mendimin se do të bëj gol. Dhe kjo më bën që shpesherë të shënoj. Sidomos kur nevrikosem. Po smë nevrikosi njeri nuk mund të shënoj... prandaj u kam thënë kundërshtarëve, por sdeshët tju bëj gol, mos më nevrikosni....
- Domethënë, nëse dikush don të të prekë në kallo, kalloja jote lidhet me përkatësinë nacionale...
Nuk mund të them se jam nacionalist, por e dua vendin tim. Sepse nga ajo tokë kemi dalë, Kombëtarja e Shqipërisë na ka bërë të njohur, na krijoi shanset që të luajmë jashtë. Na ndihmoi tek e fundit që të arrijmë gjithë këto që kemi arritur.
Bushi-Gol, është një togfjalësh shumë i spikatur, sepse, siç thotë dhe vetë Albani, ai me golin është i lidhur si mishi me kockën.
Golin duhet ta kërkosh, unë këtë dhunti e kam pasur që kur kam filluar futbollin, me para të rinjtë e Tiranës. Unë dua të ndjej kënaqësi që luaj, dua të ndjej kënaqësinë e golit, dhe që të ndjesh këtë duhet të jesh sulmues. Përpara e kërkoja pak si me dhunë golin, tani, me eksperiencën e fituar, mund ta kërkoj më me qetësi...
Teksa Bushi flet, unë kthej nga pak filxhanin e kafes dhe pyes veten se cilët do të kenë qenë idhujt e Alban Bushit, në kohën që ai po hidhte hapat e parë të karrierës sportive. Madje dhe ne, që ndoshta nuk gjuajmë dot një top, në fëmininë tonë kemi pasur një Bekanbauer apo një Krojf, që na i jepnin krahë fantazisë. Po idhujt e Alban Bushit, cilët ishin?
Lojtarë që ai i mban ende ndër mend nga koha kur, në moshën 17 vjeç filloi të luante me Tiranën, janë Skënder Hodja e Artur Lekbello, ndërsa idhulli i tij, që përpiqej ti ngjante ishte Agustin Kola. Mënyra si stërvitej, si bënte gjithë ato gjëra në lojë, nga ai kam fituar shumë gjëra dhe që nga ajo periudhë e kam ndjekur dhe vazhdimisht doja të punoja si ai. Nga të huajt, i vogël, pëlqeja Van Bastenin, por duke u rritur, lojtari model për mua u bë Gabriel Batistuta.
Është e natyrshme që shumë prej lojtarëve shqiptarë që tani po hedhin hapat e para në sport, të kenë si idhull edhe Alban Bushin. A do të munden këta lojtarë të rinj, të bëjnë atë që bëri brezi i Bushit, që duke pasur si idhuj lojtarët e viteve 1980, arritën që gjithsesi, ti bënin një prezantim dinjitoz futbollit shqiptar?
Këtu Albani merr një pamje të menduar:
Unë mendoj që shqiptarët janë të lindur për futboll, e kanë pasion,. Sidomos shqiptarët që janë në Greqi, në Gjermani, janë talente shumë të mirë, po përmend Ninin apo Konen, që i kemi këtu. Edhe në Shqipëria nuk diskutohet që ka lojtarë të mirë, mirëpo, po nuk pati infrastrukturë, Shqipëria nuk besoj se mund të bëjë përpara në futboll. Fëmija duhet të shkojë me qejf në stërvitje, të ketë këpucët, fanelën, topin e vet. Unë mbaj mend që me të rinjtë e Tiranës te fusha Ali Demi kishim 30 veta një top, bënte gjysmë ore që të të binte topi. Po të kishim kushte më të mira, do të ishim bërë lojtarë akoma më të mëdhenj. Shqipëria mund të eci, vetëm po të përmirësohet infrastruktra. Por me këto që po shoh, nuk jam shumë optimist.
- Po Kombëtarja aktuale, a ka gjasa që të arrijë një rezultat më të mirë. Bie fjala presidenti i Federatës tha se po të shtohet numri i skuadrave për në finalet e Euro 2012, Shqipëria mund të marrë pjesë në ato finale...
Unë nuk jam në dijeni se mund të rriten skuadrat për në Euro, por gjithsesi, ky është një shans që mund të vijë spontanisht dhe kalimthi. Nuk është diçka që buron tek sistematikja, që të thuash kam investuar në futboll dhe po i korr rezultatet. Siç e bëri Turqia, që investoi miliona dollarë në futboll dhe arriti në vendin e tretë në botë. Shqipëria, edhe nëse shkon, do të jetë një flluckë sapuni. Por është shumë e vështirë që të shkojë. Unë besoj se Shqipëria, për njëzet apo tridhjetë vjet, nuk mund të shkojë në një kompeticion të nivelit të Botërorit apo të Euros. Të jemi realistë, të gjithë duam që Shqipëria të eci, por nuk e shoh. Ti ke Kombëtaren, ska një fushë ku të bëjë stërvitje, shkon nga stadiumi Dinamo te Qyteti i Nxënësve, nga Qyteti i Nxënësve tek 21-shi, e kështu me radhë. Që nga viti 1994 që kam filluar unë, Kombëtarja nuk ka një fushë që të bëjë stërvitje.
- Gati 80 për qind të karrierës tënde, ti e ke kaluar jashtë shtetit. Si është jeta e legjionarit, të lodh?
Sporti të lodh shumë, sidomos sporti profesionist. Dhe sidomos tipi im që unë e ndjej çdo gjë, unë sportin nuk e kam për të kaluar radhën, e kam sepse sporti më ka dhënë bukë, e dua sportin, siç do secili njeri profesionin e vet, prandaj dhe dua të vazhdoj, pavarësisht se mosha ime është 24 në 35 vjeç, nuk e mendoj që mund të largohem nga sporti, pasi e ndjej veten mirë. Jeta të lodh, por ka dhe momente të bukura, sidomos tani që kam dy fëmijë, jeta është bërë akoma më e bukur, kur mendon se shënon gol dhe fëmija yt gëzohet, e harron atë stres që ke kaluar gjatë gjithë javës. Me që jemi tek fëmijtë, unë nuk do të desha që djalin tim ta bëja futbollist, sepse futbolli është shumë i lodhshëmn, unë kam hequr shumë peripecira, stres dhe nuk do të doja që këtë ta kalonin edhe fëmijtë e mi.
- Për më shumë se një dekadë ke qenë titullar i Kombëtares, me të cilën ke shlnuar edhe 14 gola. Tashmë që për shkak të dëmtimeve je mënjanuar, a e ndjen mungesën e Kombëtares?
Kushdo që më njeh, e din shumë mirë që mua Kombëtarja më mungon, sepse që nga viti 1995, deri më 2005, kam qenë vazhdimisht titullar. Pas 2005-s, kam pasur oshilacione që lidhen me dëmtimet që kam pësuar dhe kështu që harë kam shkuar e herë jo.... Më mungon shumë Kombëtarja, sepse çdo njeri është krenar që të luajë për vendin e tij, sidomos unë që kam luajtur dhjetë vjet rresht. Por mendoj që me ardhjen e Ari Haan, unë do të jem përsëri pjesë e ekipit Kombëtar, pavarësisht nga dëmtimi që kam pasur këtë vit dhe nuk jam në formë qind për qind, por besoj se po të vazhdoj tri-katër ndeshje të tjera në kampionatin grek, do të kthehem në Kombëtare. Ajo që më ngroh, është se Ari Haan është interesuar për mua dhe pres që ky interesim të rizgjohet më konkretisht.
-Megjithëse është ende herët të flasim për mbyllje të karrierës, kur të vijë ai moment, do të doja që të gjente në Shqipëri, apo në vend tjetër?
Unë isha në Shqipëri, kur u ktheva nga Turqia, luajta nja tre muaj me Dinamon, nuk dua të ofendoj asnjë futbollist apo trainer shqiptar, po mua më vjen turp të them që jam futbollist në Shqipëri, kushtet janë mizerabël, për kushtet e futbollit Shqipëria është fundi i botës. Dhe ndihem shumë keq që po i them këto fjalë. Karrierën mbase do ta mbyll në Livadhja, mbase në një ekip tjetër. Do të kisha shumë dëshirë që ta mbyllja tek Tirana ku fillova futbollin, por po ju them, ato tre muaj që luajta, më dukej sikur kisha harruar futbollin. Sepse çdo gjë ishte mbrapsht.
Skeda personale
Datëlindja: 20.08.1973
Pozicioni: Sulmues
Ekipet ku ku luajtur:
SK Tirana, Szegedi LC (Hungari), FC Remscheid (Gjermani), Apollon Athinë, Letex Lovech (Bullgari), Adanaspor (Turqi), Istanbulspor (Turqi), Trabzonspor (Turqi), Partizani, Levadiakos, Apollon Kalamarias.
Ekipi ku luan aktualisht: Levadiakos, Superliga greke
Gola të shënuar në kampionate: 127
Ndeshje me ekipin Kombëtar: 67
Gola me ekipin kombëtar: 14
Gjendja civile: i martuar, dy fëmijë