E mėrkurė, 8.02.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Pesë vjetët e fundit kanë qenë të piketuara nga qeveritë e vendit si vite vendimtare për integrimet evro-atlantike. Sa herë zhgënjimet paraqiten paralelisht me shtetet-shpresa të vendit. Në fillim të këtij viti Gruevski mori “dush të ftohtë” nga aleati i tij i madh në Berlin, por njëkohësisht gjeti shtetin e ri që jep shpresa – Sllovenia
Hulajat e qeverisė
NË PRITJE TË BISEDIMEVE ME BRUKSELIN


Nga XHELAL NEZIRI

Me ardhjen e VMRO-DPMNE-së në pushtet, kryeministri Nikolla Gruevski angazhoi të gjithë Spin-doktorët dhe PR-agjentët e tij që të përhapin shpresën e rreme se Maqedonia do të marrë datën e bisedimeve për integrim në Bashkimin Evropian gjatë kryesimit të Gjermanisë. Lidhja e Gruevskit me politikën dhe qeverinë gjermane, ndihma eksplicite që i jepej atij para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2006 dhe vizitat para të bëra pikërisht në Berlin bëri që shumica të besojnë se kjo nuk është hulaja e radhës e një kryeministri të vendit, por me gjasë që të jetë e vërtetë.
Para një viti, kryeministri i ri i vendit brenda dhjetë ditëve kishte dy vizita zyrtare në Berlin. Në deklaratat e tij transmetonte mendimet e kancelares Merkel se Gjermania po mbështet euro-integrimin e Maqedonisë.
Për dallim nga ish-kryeministri Vllado Buçkovski, i cili më shumë preferonte SHBA-të duke balancuar midis Brukselit dhe Uashingtonit, Gruevski u fokusua në Berlin, duke e parë edhe si një urë të sigurt drejt Amerikës. Një pjesë e mirë e ekipit të tij qeverisës janë bursistw gjermanë, derisa si këshilltarë mori ish-funksionarë të lartë të Berlinit.
Dhe, tërë kjo shpresë u zhduk si një fluks sapuni kur kancelarja Merkel veçoi vetëm Kroacinë si vend i përgatitur për të qenë pjesë e familjes evropiane, derisa kolegut të saj nga Maqedonia ia numëroi reformat që duhet zbatuar.
Kancelarja gjermane Angela Merkel nuk besonte se dikush mund të thoshte përfundimisht se ç'datë e parashikuar do të ishte për Maqedoninë. “Çdo vend duhet detyrimisht të përmbushë kriteret dhe parakushtet. Është e qartë, Sllovenia do të mbrojë Maqedoninë”.

Pas Gjermanisë, Sllovenia

Pesë vjetët e fundit kanë qenë të piketuara nga qeveritë e vendit si vite vendimtare për integrimet euro-atlantike. Sa herë zhgënjimet paraqiten paralelisht me shtetet-shpresa të vendit. Në fillim të këtij viti Gruevski mori “dush të ftohtë” nga aleati i tij i madh në Berlin, por njëkohësisht gjeti shtetin e ri që jep shpresa – Sllovenia.
Pas disa lutjeve të Gruevskit, kryeministri slloven Janez Jansa doli e deklaroi se Maqedonia do të ketë një datë për fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE në gjysmën e parë të 2008, kur Sllovenia të mbajë presidencën e radhës.
Dhe, Gruevski fitoi një xhoker për mbajtjen e njërës nga shtyllat e rejtingut të tij artificialisht të fryrë. Mediat qeveritare u lëshuan në propagandën se Sllovenia do të përpiqet të ndihmojë këtë vend kandidat për të gjetur një datë.
Edhe ministri i jashtëm slloven Dimitri Rupelj konfirmoi deklarimin e Jansës gjatë një vizite të fundit në Maqedoni. Rupel tha se përcaktimi i një date për negociatat e anëtarësimit të Maqedonisë do të ishte një nga përparësitë e Sllovenisë gjatë presidencës së saj.
Këto sinjale mjaftuan që zv/kryeministrja për evro-integrime, Gabriela Konevska, të paraqitet me deklaratën se “për herë të parë, dikush ka bërë një deklaratë konkrete rreth nisjes së negociatave”.
Kjo hula e radhës po vazhdon të shitet me sukses nga qeveria e Gruevskit derisa të përfundojë presidenca sllovene me BE-në, kur do të vijë zhgënjimi i radhës me Slloveninë paralelisht me shpresën e radhës – mbase Kroacinë.

Me Gruevskin, shumë larg është Evropa

Problemi qëndron te fakti se Gruevski kupton Evropën vetëm si term gjeografik, e jo si tërësi të vlerave demokratike e kulturore. Nëse analizohen deklaratat e tij në raport me të drejtat e shqiptarëve të garantuara me Marrëveshjen e Ohrit, vihet në përfundim se ato janë të ngjashme me ato të Vojisllav Koshtunicës në raport me Kosovën. Deklaratat e tij se “gjuha shqipe asnjëherë nuk do të jetë zyrtare” nuk janë konform me vlerat evropiane.
Futja e vendit në spiralen e krizës, mungesa e reformave gjyqësore (të cilat nuk arrihen pa konsensus), në polici, lënia matanë e obligimeve të Marrëveshjes së Ohrit, mungesa e dialogut me opozitën dhe presidentin dhe tentimi për të instaluar një sistem minitotalitarist kanë ndikuar që Raporti i radhës i Komisionit Evropian (KE) të jetë edhe më katastrofal për vendin.
Në një vend ku mbi 30 për qind e popullatës janë të papunë, ku rroga më e vogël është baras me një mëditje të një qytetari evropian, ku varfëria sa vjen bëhet edhe më e padurueshme, ku nga të gjitha anët kërkohen viza…Brukseli nuk duhet të lejojë eksperimentet e rrezikshme të Gruevskit dhe duhet të ndërpresë qeveritë e shteteve tjera në praktikën e bërjes së propagandës lakuriqe të qeverive në Shkup.


Publikuar: 01.11.2008 | 12:02
Lexuar: 819 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime