Objektivi i këtij programi, sipas specialistëve shqiptarë të mjedisit, është forcimi i kapaciteteve të zonës së Adriatikut, për një zhvillim të qëndrueshëm, duke rritur konkurrencën dhe aktraktivitetin e saj. Krahas Shqipërisë nga ky program do të përfitojnë Italia, Sllovenia, Mali i Zi, Serbia, Bosnje-Hercegovina.
Eriola Çuko
Shqipëria, si një vend që shtrihet në brigjet e detit Adriatik, do të përfitojë nga zbatimi i Programit për Bashkëpunim Ndërkufitar (CBC) IPA Adriatik 2007-2013.
Objektivi i këtij programi, sipas specialistëve shqiptarë të mjedisit, është forcimi i kapaciteteve të zonës së Adriatikut, për një zhvillim të qëndrueshëm, duke rritur konkurrencën dhe aktraktivitetin e saj. Krahas Shqipërisë nga ky program do të përfitojnë Italia, Sllovenia, Mali i Zi, Serbia, Bosnje-Hercegovina.
Në kuadër të Programit për Bashkëpunim Ndërkufitar (CBC) IPA Adriatik 2007-2013, drejtuesit e tij kanë shpallur të hapur thirrjen e parë për projekt-propozimet që duhet të paraqesin vendet përfituese. Projekt-propozimet që do të financohen janë ato për bashkëpunimin ekonomik social dhe institucional, për burimet natyrore dhe kulturore dhe parandalimin e rreziqeve si dhe aksesibiliteti dhe rrjetet, bëhet e ditur nëpërmjet thirrjes për projekt-propozime nga Programi.
Në Shqipëri, qarqet e përzgjedhura në program janë Shkodra, Lezha, Tirana, Durrësi, Fieri, Vlora. Ndërsa, përfituesit e mundshëm që mund të aplikojnë janë organizatat publike (të cilat krijohen nga e drejta publike), organizmat aktiviteti i të cilave rregullohet nga e drejta publike, organizmat private (duke përfshirë këtu dhe kompanitë private), që krijohen nga e drejta private, si dhe organizmat ndërkombëtare (mund të marrin pjese vetem si të asociuar, për të cilat aplikohet një regjim i ndryshëm financimi).
Minimumi i totalit të një projekti është 500.000 euro, ndërsa maksimumi i tij është 5 milion euro. Asnjë partner në projekt nuk mund të marrë më shumë se 60% të totalit të projektit dhe më pak se 100.000 euro, sqarohet në thirrjen për projekt-propozimet.
Nëpërmjet thirrjes drejtuar të interesuarve, programi njofton se paketa e plotë e aplikimit mund të gjendet në faqen e internetit të programit: http://www.adriaticipacbc.org/. Ndërkohë, afati i fundit për dërgimin e aplikimeve është data 29 tetor 2009.