Zëvendëskryeministri i Republikës së Maqedonisë i obliguar për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Abdilaqim Ademi, në intervistë dhënë për "Epokën e re" është shprehur i bindur se marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë do të vendosen shumë shpejt, duke shtuar se shteti i Maqedonisë ka pranuar realitetin e krijuar në Ballkan.
Ademi për "Epokën e re": Maqedonia dhe Kosova në prag të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike
Zëvendëskryeministri i Republikës së Maqedonisë i obliguar për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Abdilaqim Ademi, në intervistë dhënë për "Epokën e re" është shprehur i bindur se marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë do të vendosen shumë shpejt, duke shtuar se shteti i Maqedonisë ka pranuar realitetin e krijuar në Ballkan.
"Maqedonia e ka pranuar planin e presidentit Ahtisaari. Nuk ka nevojë për komplikime dhe deklarata, të cilat do të krijonin huti në opinion kinse ne kemi ndonjë problem me Kosovën. Marrëdhëniet mes të Shkupit dhe Prishtinës janë të shkëlqyeshme. Me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike do të plotësohet çdo gjë që do të kontribuojë në përforcimin e marrëdhënieve të mira në mes të dy vendeve.
Ai mohoi se Maqedonia është duke e anashkaluar Kosovën për hatër të Serbisë, ndëersa anashkalimet që i janë bërë presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu i quan të së kaluarës.
Duke folur për shqiptarët në Maqedoni, ai vlerëson se shqiptarët kanë tri çështje bazike.
"Preokupime të përditshme janë, në qoftë se bëhet fjalë për popullatën ose për subjektet politike apo shoqatat e tjera jopolitike, implementimi sa më i shpejtë dhe cilësor i Marrëveshjes së Ohrit, zbatimi në praktikë i gjuhës dhe përfaqësimi proporcional, stabilizimi i gjendjes ekonomiko-sociale dhe integrimi në strukturat euroatlantike", tha Ademi.
Lidhur me marrëveshjen së Ohrit, zëvendëskryeministri i Maqedonisë thotë se ajo është paqesore dhe solli deri te ndërprerja e konfliktit të armatosur para tetë viteve.
"Marrëveshja e Ohrit është paqësore. Para tetë vjetësh solli deri te ndërprerja e konfliktit të armatosur. Ajo është arritur midis përfaqësuesve të dy bashkësive me garanci ndërkombëtare. Mund të thuhet se ajo i ka arritur qëllimet e pritura, sepse e stabilizoi Republikën e Maqedonisë. I vendosi themelet e një shteti multietnik, ku të gjitha bashkësitë etnike, të gjithë qytetarët, duhet të ndjehen të barabartë. Ky dokument që i dha fund një konflikti të brendshëm ia hapi rrugën Republikës së Maqedonisë drejt familjes evropiane", tha Ademi, duke shtuar se koalicioni qeveritar, pjesë e të cilit është edhe Bashkimi Demokratik për Integrim ka vullnet të zbatojë këtë dokument paqësor dhe implementimin e tij e ka vendosur në mesin e pesë prioriteteve.
Lidhur me marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe maqedonasve, zëvendëskryeministri i Maqedonisë vlerëson se nuk ka fare dyshim se ekzistojnë qarqe të ndryshme të cilat nuk e dëshirojnë Maqedoninë si një shtet multietnik, andaj edhe bëjnë orvatje për destabilizimin e saj.
"Fatmirësisht shqiptarët i kanë të njohur këta skenarë, e dinë se nuk janë në interes të tyre, andaj edhe nuk bien në provokime të kurdisura nga qarqe të ndryshme që i kontrollojnë struktura të caktuara dashakeqëse. Incidentet me prapavijë dhe qëllim destabilizues nuk i ndihmojnë stabilitetit të vendit. Ato ndikojnë në ngadalësimin e integrimit të vendit në familjen evropiane, e kjo është në kundërshtim me orientimet strategjike të shqiptarëve", thotë zëvendëskryeministri Republikës së Maqedonisë i obliguar për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Abdilaqim Ademi, në intervistë dhënë për "Epokën e re".