Në intervistën e dhënë për Lajm ambasadori britanik në Maqedoni Endrju Ki fletë për zhvillimet aktuale në Maqedoni. Ai thekson se njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Qeverisë së Maqedonisë paraqet konfirmim të synimeve perëndimore, për raportin e ardhshëm të KE-së thotë se do të jetë i balancuar, por konfirmon se incidentet e ndodhura në zgjedhjet e fundit do të reflektohen në përmbajtjen e këtij raporti.
Intervsitoi:
Isen Saliu
-Zotëri Ki, fillimisht si e komentoni vendimin e Qeverisë së Maqedonisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës?
Fillimisht dëshiroj ta përshëndes vendimin e Qeverisë së Maqedonisë për ta pranuar pavarësinë e Kosovës. Vlerësoj se ky vendim është në interes të rajonit më të gjerë ballkanik. Vendimi për njohjen e Kosovës paraqet sinjal të qartë për angazhimin e Maqedonisë për të vazhduar me synimet drejt integrimit në BE dhe NATO. Duke vazhduar për integrimin Euro Atlantik, do të shtoj se qëllimet e qeverisë së Maqedonisë për të vazhduar në këtë drejtim na janë konfirmuar disa herë. Poashtu mendoj se këtë e dëshirojnë dhe e meritojnë qytetarët e Maqedonisë.
-Opinioni publik në Maqedoni e preokupojnë katër rastet e kthyera nga Haga, në të cilat dyshohen ish pjesëtarë të UÇK-së, disa prej tyre janë politikanë aktivë. Partitë politike shqiptare insistojnë që këto raste i përfshin me Ligjin e amnistisë, ndërsa paralajmërojnë se procedimi i tyre para gjykatave të Maqedonisë mund të ndikojë ndaj situatës së sigurisë në Maqedoni. Cili është mendimi juaj a është më i mirë varianti që këto raste të procesuohen para gjykatave të Maqedonisë, ose fillimisht duhet të bëhet ekspertizë nga ekspertë të huaj për atë nëse këto raste I mbulon Ligji për amnisti ? A mendoni se me të vërtetë procesuimi i tyre mund të ndikojë ndaj situatës së sigurisë ?
Këto janë çështje të cilat tani përpunohen nga sistemi gjyqësor i Maqedonisë. Andaj, është shumë me rëndësi të mos e komentoj në mënyrë që mund të ndikojë procesin ose të lërë përshtypje se përpiqem të ndikojë procesin. Procesi duhet të jetë i pavarur dhe i drejtë sepse janë bërë shumë përpjekje të sigurohet që këtu ka kapacitet të trajtohen rastet në këtë mënyrë. Shpresoj që të tjerët në të njëjtën mënyrë do të garantojnë procesi të vazhdojë dhe të zbatohet. Për sa i përket mundësisë të paraqiten rreziqe të vërteta nga trajtimi i këtyre çështjeve, kisha thënë që mënyra më e mirë të shmanget paraqitja e tillë është të sigurohet integriteti dhe objektiviteti i proceseve gjyqësor.
-Na pret edhe një raport i Komisionit Evropian, përmbajtja e të cilit sipas të gjitha paralajmërimeve nuk do të jetë ashtu siç e dëshirojnë qytetarët e Maqedonisë. Sipas mendimit tuaj, cila do të ishte përmbajtja e këtij raporti nëse në zgjedhjet e qershorit nuk do të na ndodhte ajo që ndodhi?
Do të ketë shumë zhvillime pozitive që Komisioni Evropian do ti raportojë në nëntor, duke përfshirë disa përmirësime të rëndësishme ndaj prioriteteve kryesore të vendosura më herët këtë vit. E di që raporti do të jetë shumë i tërësishëm dhe do ti reflektojë zhvillimet në mënyrë të balancuar. Gjithashtu do të identifikojë sferat ku pritet progres më i madh. E kam të qartë që paraqitja e problemeve gjatë zgjedhjeve, siç u nënvizuan në vlerësimin që bëri OSBE- ODIHR, do të ketë ndikim në raport. Standardet demokratike janë pjesë qendrore në Kriteret e Kopenhagës dhe të metat serioze të cilat i dëshmuam gjatë procesit zgjedhor nuk mund të kalojnë të pa shënuara.
-Maqedoninë së shpejti e pret edhe një cikël zgjedhor në mars të vitit të ardhshëm duhet të mbahen zgjedhjet presidenciale dhe lokale. Sipas mendimit tuaj, athua institucionet kompetente i ndërmarrin masat e duhura që të mos përsëritet përvoja nga zgjedhjet e fundit parlamentare ?
E pranoj me kënaqësi angazhimin e vendosur të Qeverisë që ka bërë të drejtojë çështjet e ngritura nga ana e ODIHR-së. Plani i veprimit të cilin qeveria e ka miratuar është një hap i parë i rëndësishëm dhe shpresoj ta shoh të implimentuar në tërësi. Testi më i mirë gjithsesi do të vijë me zgjedhjet në pranverë.
-Negociatat me Greqinë kanë hyrë në fazën finale. Ka paralajmërime se përderisa nuk gjendet zgjidhje e shpejtë, do të ketë pauzë më së paku një vit në negociata, ndërsa kjo me automatizëm nënkupton se edhe një vit do të ketë ngecje për integrimet euroatlantike të Maqedonisë. Si mendoni se do të ndikojë ndaj situatës së përgjithshme në Maqedoni një ngecje e tillë eventuale ? A thua kjo ngecje do të ndikojë vetëm ndaj situatës ekonomike, ose mund të ndikojë edhe në fusha tjera, përfshirë këtu edhe situatën e sigurisë ?
Nëse mundem të them, më duket se ka shumë spekulime në këto deklarata. Unë e përkrah fuqishëm procesin e bisedimeve nën patronatin e Kombeve të Bashkuara, të ndërmjetësuara nga z. Metju Nimic, dhe i përcjell për së afërmi. Gjithashtu kam besim të plotë që negociatat do të jenë të suksesshme së shpejti. Shoh pak benefit nga hyrja në debat se çka mund të ndodhë në radhën e skenarëve shumë të përfolura. Siç thuani negociatat mbërrijnë në fazë të rëndësishme. Ka mundësi të avancojmë nxitjen e procesit në drejtim të zgjedhjes, dhe unë shpresoj shumë se të dyja palët do ta shqyrtojnë këtë mundësi dhe do të vazhdojnë intensivisht përpjekjet për të gjetur zgjedhje të pranueshme të përbashkët.
-Si i vlerësoni raportet e kryeministrit dhe kryetarit të Maqedonisë në një situatë të tillë. Si do të ndikojë ajo në epilogun e kësaj çështjeje ?
Unë kam respekt të madh për kryeministrin dhe kryetarin dhe përgjegjësitë që mbajnë. Në kontekst me çështjen e negociatave për emrin, me rëndësi është që Maqedonia të marrë pjesë konstruktivisht dhe seriozisht. E kuptueshme është që në këto çështje me ndjeshmëri të tillë, vështrimet mund të ndryshojnë edhe në nivele më të larta. Këto mosmarrëveshje nuk ndodhin vetëm në Maqedoni. Përfundimisht, do të jetë në interesin e Maqedonisë që liderët të jenë të bashkuar në kërkimin e zgjidhjes.
-Qysh nga fillimi i mandatit tuaj si ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Maqedoni u bëtë i njohur me insistimin për luftë efikase kundër korrupsionit. Sa jeni të kënaqur nga ballafaqimi i institucioneve me këtë dukuri negative. Çka mungon që kjo luftë të jetë edhe më e suksesshme ? Athua mungesa e investimeve të mëdha të huaja, por edhe ato britanike është për shkak të rezultateve të dobëta të autoriteteve në këtë fushë ?
Më vjen mirë që ka vazhdimisht gatishmëri të nivelit më të lartë për luftë kundër korrupsionit dhe e përshëndes faktin që janë bërë disa hapa të mëdha në këtë drejtim përderisa unë jam këtu. Me hapa për përmirësimin e lidhshmërisë operative të organeve për zbatimin e të drejtës, kapaciteti i institucioneve është përforcuar.
Qeveria locon mjete për luftën kundër korrupsionit ndërsa njëkohësisht janë sjellë edhe ligje të reja siç është edhe ligji për konflikt interesash. Ka trend pozitiv, por kuptohet se do të pajtohesha ka ende për tu punuar. Qytetarët duhet të kenë besim të plotë në integritetin e gjyqësisë dhe prandaj mirë është që përparimi në atë drejtim të vazhdojë edhe më tej. Posaçërisht është me rëndësi lufta kundër korrupsionit të zbatohet njësoj në të gjitha sektorët, pa dallim të nivelit ose përkatësisë partiake.
Biznesmenët shohin një radhë të faktorëve kur bëhet fjalë se kur dhe ku të investohet. Niveli i korrupsionit është një ndër këto faktor dhe mundet seriozisht të shqyrtohet në disa raste por, vendimet nuk do të sillen vetëm në bazë të kësaj. Jam me shpresë që tendencat pozitive dhe krahu i luftës kundër korrupsionit në Maqedoni do të vazhdohet dhe do të përshpejtohet dhe më shumë investitorë britanez do të investojnë me besim këtu.
-Britania e Madhe nuk është kyçur në të ashtuquajturën zona e shengenit. Paralajmërimet e fundit janë se qytetarët e Maqedonisë do të mund të udhëtojnë pa viza në zonën e shengenit kah mesi i vitit të ardhshëm. A mund të pritet në momentin e njëjtë edhe heqja e vizave britanike, ose ajo do të ndodhë më vonë, ose ndoshta edhe më herët ?
Siç edhe vetë u pajtuat Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlanda e Veriut nuk është pjesë e zonës së shengenit. Prandaj vendim që të liberalizohet regjimi i shengen vizës nuk do të thotë automatikisht ndryshim të politikës së vizave të Britanisë. Ne pavarësisht e revidojmë regjimin e vizave, por për momentin nuk pres asnjë ndryshim. Në të njëjtën kohë ne vazhdimisht i dëgjojmë vërejtjet dhe propozimet e aplikuesve të vizave dhe bëjmë përpjekje që vazhdimisht ta përmirësojmë shërbimin tonë drejt tyre. Numrin më të madh të aplikimeve të cilët i pranojmë, procedohen dhe miratohen ditën e njëjtë.
-Pluhur i madh në opinion u ngrit edhe me risinë e ndryshimeve në Ligjin për ndjekjen e komunikimeve, me të cilat policisë i jepen autorizime më të mëdha dhe mundësi për përgjim. Opozita i konteston se këto ndryshime para Gjykatës Kushtetuese, përderisa pushteti i sqaron ndryshimet e tilla si të domosdoshme në luftën kundër kriminalitetit, korrupsionit dhe terrorizimit. Si përfaqësues i njërit prej vendeve udhëheqëse në luftën kundër terrorizmit, a mendoni se këto masa janë të domosdoshme?
Në Britaninë e Madhe po ashtu kemi pasur debat për çështje të ngjashme në vitet e kaluara për shkak të asaj se kanë të bëjnë në parime të rëndësishme. Në botë vendet të cilat janë të kyçura në luftën kundër terrorizmit dhe kriminalitetit serioz duhet patjetër të sigurojnë se kanë mjete në disponim që të pengojnë shumë veprime kriminele ndërsa njëkohësisht ti respektojnë të drejtat e qytetarëve. Secili vend duhet të gjejë zgjidhje legjislative dhe praktike të cilat janë në baraspeshën më të mirë me kornizën legale dhe kushtetuese. Por qëllimi lufta kundër terrorizmit është me të vërtetë qëllim i rëndësishëm dhe më vjen mirë që Maqedonia u kyç në këtë proces duke ndërtuar sistem të saj për atë qëllim.
-Si ndjeheni si ambasador në një kryeqytet siç është Shkupi, i cili në planin e infrastrukturës dhe atë urbanistik, por edhe në planin ekonomik është i rregulluar varësisht nga përbërja etnike e popullatës. Kushtimisht thënë pjesa maqedonase e Shkupit i ngjan një metropoli të vërtetë evropian, përkundër pjesës tjetër e ashtuquajtur pjesa shqiptare e qytetit e cila ballafaqohet me problemet më elementare të infrastrukturës.
Mendoj se e teproni. Unë kënaqem duke jetuar në Shkup dhe duke ardhur nga jashtë kënaqem në hulumtimin e të gjitha pjesëve të qytetit. Shoh zhvillim në pjesë të ndryshme të qytetit. Kuptohet e rëndësishme është për kohezionin social të qytetit dhe të tërë shtetit njerëzit të kenë qasje të njëjtë deri tek shërbimet, që të përjetojnë mundësinë për edukim dhe mbrojtje shëndetësore. Prandaj shpresoj se pushteti në të gjitha nivelet do të punojë në atë që mundësitë të jenë të kapshme deri tek të gjitha vendet dhe bashkësitë.
-Ju dhe bashkëshortja juaj jeni të njohur si aktivistë të mëdhenj për mbrojtjen e mjedisit jetësor, ndërsa atë e dëshmuat edhe me organizimin dhe inicimin e një sërë aktivitetesh në këtë fushë. Sa paraqet Maqedonia hapësirë të favorshme për këso aktivitetesh?
Mendoj se Maqedonia është e lumtur që ka pejsazhe të mrekullueshme dhe natyrë e cila në shumë vende është e paprekshme. Ajo është pasuri e vërtetë. Zhvillimi i një vendi çon deri në ballafaqimin me çështjen se si do të shfrytëzohen resurset natyrale për zhvillim ekonomik, për shembull në turizmin por njëkohësisht ato resurse të mbrohen për gjeneratat e ardhshme. Mendoj se ka shenja të mira se Maqedonia do të jetë në mundësi që ta bëjë atë. Për shembull më erdh mirë që Grupi parlamentar i të gjelbërve u kujdes që ligji për themelimin e agjencisë për turizëm që ta marrë parasysh zhvillimin e turizmit në mënyrë të qëndrueshme.