E mërkurë, 21.11.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Ai i bëri këto komente në mbledhjen e sotme të qeverisë, në të cilën tha se kanë mbetur edhe 40 ditë deri në përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë dhe deri atëherë, institucionet duhet të përmbyllin detyrimet për ndryshimet kushtetuese.
Thaçi: Koalicioni qeverisës – mbetet i pandryshuar
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha sot se vjeshta e këtij viti do të jetë periudhë shumë e rëndësishme për Kosovën, ndërsa përjashtoi çdo mundësi të ndryshimeve në skenën politike në këtë periudhë.

Ai i bëri këto komente në mbledhjen e sotme të qeverisë, në të cilën tha se kanë mbetur edhe 40 ditë deri në përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë dhe deri atëherë, institucionet duhet të përmbyllin detyrimet për ndryshimet kushtetuese.

“Muajt shtator dhe tetor, do të jenë jashtëzakonisht të rëndësishëm për shtetin e Kosovës, për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë, si dhe për agjendën evropiane për Republikën e Kosovës. Pres që në këto procese, të ketë një angazhim të përbashkët ndërmjet qeverisë së Kosovës, Kuvendit të Kosovës, të gjitha partive politike, shoqërisë civile dhe të gjithë shoqërisë kosovare”, tha kryeministri Thaçi.

Vjeshta mund të jetë periudhë e vazhdimit të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Zyrtarët e qeverisë edhe sot thanë se, vazhdimi i tyre do të varet nga zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri tash, ndërsa përjashtuan mundësinë që të diskutohet për çështje të brendshme të Kosovës, përshirë edhe veriun e banuar me shumicë serbe.

Debatet rreth vazhdimit të bisedimeve kishin çuar edhe në pohimet se kabineti qeveritar mund të ndryshojë, për të krijuar një koalicion që do të përballej me sfidën e zgjidhjes së çështjes së veriut. Kryeministri Thaçi tha se skena e brendshme politike do të mbetet e pandryshuar.

“Nuk do të ketë as koalicion të ri dhe as zgjedhje të parakohshme para afatit kushtetues. Ne do të vazhdojmë me përgjegjësitë tona më të larta të punojmë, por jemi përkujdesur që të punojmë dhe gjejmë hapësirë edhe për mekanizmat tjerë që të japin kontributin e tyre qytetar, kushtetues e ligjor, për të vazhduar me reformat zgjedhore”

Kryeministri Thaçi tha se institucionet duhet të respektojnë rendin Kushtetues, duke ju përgjigjur kësisoj pakënaqësive të Lidhjes Demokratike e Kosovës me situatën e krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me mandatin e presidentes së Kosovës, për çka ajo kërkon zbatimin e marrëveshjes politike që çoi në emërimin e saj.

Kryeministri Thaçi tha se vendimi i Gjykatës ka krijuar një realitet të ri juridik. “Vendimet tona do të vazhdojnë të jenë plotësisht në përputhshmëri me kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Pra do ta respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por do ta respektojmë në përpikëri edhe marrëveshjen politike për reformën zgjedhore. Dhe ju siguroj se do të jemi shumë gjeneroz në çështjet që shtron opozita për t’i inkorporuar në reformën zgjedhore”.

Vendimi i Kushtetueses u mbështet nga udhëheqësit më të lartë të Kosovës dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë që bënë thirrje për respektim të vendimeve të Gjykatës, sikundër ka ndodhur edhe deri më tash në Kosovë. (voa)

Publikuar: 01.08.2012 | 20:31
Lexuar: 713 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime