E mërkurë, 21.11.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Gazeta amerikane “New York Times” ka intervistuar disa shkrimtarë bashkëkohorë në lidhje me librat e tyre të preferuar. Njëri prej tyre, amerikani Dave Eggers i njohur për shumë libra bestsellerë të publikuar vitet e fundit.
Dave Eggers: Më merr mali për librat e fëmijërisë






Cili ka qenë libri i fundit që keni lexuar dhe e keni konsideruar me të vërtetë “të shkëlqyer”? A ju kujtohet hera e fundit që i keni thënë dikujt: “Këtë libër duhet që ta lexosh patjetër”?

Pyetja që më bën është e çuditshme duke qenë se unë veçse shkruaj edhe publikoj libra dhe që ne ta bëjmë këtë gjë duhet që libri të ketë kaluar testin e një libri të cilin “duhet ta lexosh me patjetër. Duhet të kalojë këtë test pa të publikohet. Kështu që mund të citoj një libër të cilin e kemi publikuar dhe që quhet “Brenda këtij planeti, e jo nga ky planet” të Robin Levi. Është një përmbledhje tregimesh rrëfyer me zë nga disa gra të burgosura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Secili nga këto rrëfime është i jashtëzakonshëm. Janë histori të jashtëzakonshme në kushte të jashtëzakonshme si ajo e një të burgosure që edhe në momentin që po sillte në jetë foshnjën e saj ishte me pranga. Gra të dhunuara barbarisht, gra të vuajtura, por edhe gra që kanë ditur të mbijetojnë dhe të ruajnë gjykimin dhe shpirtmirësinë. Një libër vërtet i jashtëzakonshëm.

Cila është gjinia letrare që preferoni? A keni ndonjë kënaqësi të ndaluar?

Kohët fundit kam nisur që të lexoj histori fantazmash dhe mund të them se po më pëlqejnë pa masë. Në një librari të vogël periferie bleva një libër me tregime të Hitchcock me titull: “Tregime për njerëzit e qetë”

Përpiquni që për një moment të mendoni për një shkrimtar të ri, jo shumë të promovuar që mund ta promovonit. Cili mendoni se mund të jetë ky i panjohur i nënvleftësuar?

Nuk e di nëse është i panjohur, por është një shkrimtar që arrin të më godasë gjithmonë me energjinë që më përçon sa herë që e lexoj. Quhet J. Malcom Garcia. Shkruan me shumë forcë dhe lirizëm. Shkruan nga Afganistani, nga Buenos Aires nga Misisipi dhe gjithçka që shkruan është e fortë dhe e vendosur. E ndjek kudo që shkon.

Cilët kanë qenë librat tuaj më të dashur kur keni qenë fëmijë?

Në fëmijëri bëja shumë piktura ndaj isha gjithmonë i tërhequr nga libra që kishin shumë piktura të mëdha dhe me ngjyra. Me personazhe gjigante dhe interesante, të cilat ende i mbaj në mendje dhe i sjell në kujtesë herë pas here. Më pëlqenin edhe librat me udhëtime në hapësirë. Ishte njëri syresh, në veçanti, që titullohej: “Aventura e shekullit të 21” dhe ishte i mbushur me aventura në hapësirë, me piktura të mëdha të planetëve, qiellit dhe yjeve, si dhe anijeve kozmike. Ishte diçka shumë tërheqëse, sepse flitej për të ardhmen dhe kjo përmes formave ekstreme. Nuk e kisha parë këtë vepër të madhe me figura që prej 30 vitesh, por së fundmi ma zunë sytë në “eBay”. Riparja e atyre imazheve që më kujtonin aq shumë fëmijërinë dhe mrekullimin e asaj moshe të bukur më emocionoi shumë dhe më futi në një atmosferë magjike të cilën kisha shumë kohë që nuk e kisha provuar. U riktheva në moshën 8-vjeçare…

A keni ndonjë zakon jo të mirë gjatë leximit? A e ndërprisni shpesh leximin e një libri? A e keni zakonin e të kaluarit të faqeve pa i lexuar kur nuk ju ka pëlqyer ndonjë pjesë e librit? A qëllon që t’ju zërë gjumi ndërsa lexoni?

I kam bërë të gjitha ato që më the. Sigurisht që ndërpres shumë shpesh të lexuarit e librit që kam në dorë dhe për arsye nga më të ndryshmet. Lë shenja në libra me laps, stilolaps, i përthyej dhe madje më ka qëlluar që edhe të gris pa dashje ndonjë faqe libri. Sigurisht. Pak nga të gjitha. Pjesa më e madhe e librave të tij janë të zhubravitur, sepse mua më pëlqen që të lexoj ndërsa jam duke bërë banjë në vaskë. Për këtë më vjen shumë keq.

Cili është libri juaj i preferuar nga librat që keni shkruar?

Zakonisht ndihem shumë i lidhur me librin e fundit që shkruaj. Ndoshta është një lloj inercie, nuk e di. Por ndërkohë në distancë ai libër të cilin e kam për zemër gjithmonë, nga ata që kam shkruar është: “Një hologram për një mbret”. Është një libër që më doli shumë ndryshe nga libri që kisha ndërmend të shkruaja, ndaj e shoh edhe si në fenomen interesant.

Nëse do të mundeshit që të takonit një shkrimtar, të gjallë, apo që nuk jeton më, cilin do të zgjidhnit? Dhe çfarë do të donit të dinit prej tij?

George Orwell. Dhe do ta pyesja në lidhje me mustaqet e tij.

Nga shkrimtarët që keni njohur, cili ju ka lënë më shumë mbresa?

Christopher Hitchens ka qenë qenia njerëzore më e zgjuar dhe ekspresive që kam njohur ndonjëherë. Mund të fliste për çdolloj argumenti me lehtësinë dhe informacionin më të madh dhe më të fundit dhe këtë e bëtë në çdo orë të ditës, apo të natës pa ndërprerje dhe arrinte që në këtë mënyrë të tërhiqte gjithmonë vëmendjen e personave që kishte rrotull. Nuk ndaja me të idetë e tij politike, por ai ka qenë gjithmonë një njeri shumë i edukuar, i sjellshëm dhe bujar.

A ekziston ndonjë shkrimtar të cilin e konsideroni si mentorin tuaj? Të paktën në ndonjë këndvështrim?

Më frymëzon tërësia e madhe dhe variacioni i temave që trajton William T. Volmann, por çmoj shumë edhe kuriozitetin e tij. Ai është një nga ata shkrimtarë që i jep lexuesit shumë informacion, i jep edhe këndvështrimet tij në lidhje me çështje nga më të ndryshme, por nga ana tjetër i lejon atij hapësira që të dyshojë për sa ka shkruar dhe të ketë madje edhe idetë e veta.

Si i merrni librat? Shkoni në bibliotekë? I blini online? I merrni borxh?” A vizitoni shpesh bibliotekat dhe libraritë e vogla? Po ato në të cilat shiten libra të përdorur?

Nuk lexoj libra elektronikë, por vetëm në versionin e tyre prej letre dhe i blej të gjitha në librari dhe jo në libraritë luksoze dhe të famshme të metropoleve të mëdha, por nëpër librari të qosheve, të vogla ku mund të gjesh me të vërtetë thesare të mëdha. Më pëlqejnë shumë edhe librat e përdorur dhe si pasojë them po, i frekuentoj shpesh libraritë e librave të përdorur. Shpesh kam gjetur gjëra që më kanë befasuar, libra të cilët i kam kërkuar dhe nuk i kam gjetur në asnjë vend tjetër, apo edhe risi befasuese dhe njohje të reja me libra, apo me autorë të cilët nuk e kam ditur që ekzistonin. Është një eksplorim i jashtëzakonshëm. Një herë më kujtohet se bleva gjithë koleksionin e përmbledhjeve të veprës së Balzakut për 20 dollarë.

Cili është libri i radhës që keni ndërmend që të lexoni?

Pak kohë më parë një poet me emrin Arif Gamed më ka dhuruar librin e tij. Titullohet: “Mëngjes në Serra Mattu”. Për fat të keq, pasi lexova dhe u mrekullova nga faqet e para ky libër më humbi. Isha në një udhëtim dhe nuk e di se ku e kam lënë. Por dje krejt rastësisht në një librari e pashë dhe e bleva duke kujtuar se kjo ishte një shenjë që më tregonte se këtë libër nuk duhet që ta lija përgjysmë, por duhet ta çoja deri në fund. Bëhet fjalë për një poemë epike në lidhje me përvojën e të lindurit dhe të jetuarit në Sudanin e Jugut, një vend shumë problematik. Është një libër i mrekullueshëm, i ndrysëm nga çdolloj poeme të tillë që kam lexuar më parë. Jam shumë i lumtur që e kam përsëri në dorë dhe do ta lexoj menjëherë.

Publikuar: 01.08.2012 | 21:38
Lexuar: 1138 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime