E mërkurë, 21.11.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Një udhëtim në Kukës për të ndarë këtë eksperiencë me studiuesit e florës shqiptare të mahnit për punën dhe përkushtimin e tyre...
Ka edhe një tulipan shqiptar!?







Ben Andoni

Nëse dikush do të thoshte se ekziston dhe një tulipan endemik shqiptar, atëherë do të çuditeshe dhe do të thoshe se ishte ndonjë çudi e radhës shqiptare, por ja që kështu është. Ai gjendet në Kukës dhe është tashmë një nga113 tulipanët që ka bota. ‘Kushërinjtë’ e tij janë në Ukrainë dhe Kaukaz, por edhe në pak vende të Azisë Qendrore dhe Jugperëndimore. Një udhëtim në Kukës për të ndarë këtë eksperiencë me studiuesit e florës shqiptare të mahnit për punën dhe përkushtimin e tyre... dhe i jep vërtetësi kërkesës së tyre, që ky vend në të ardhmen të kthehet në një kopsht natyral në natyrë.

Ndërsa bora ka mbuluar gjithçka në Kukës, në ditët e fundit të dimrit, një burrë planifikon dhe hulumton në çdo moment kapriçot e kohës dhe se kur do të ngrohet moti. Është i ndrojtur dhe, si të gjithë ata që merren me studime, flet pak. Do çelet befas kur bie fjala për qëllimin tonë: zbulimin e tulipanit shqiptar. Besnik Hallaçi, ky studiues i pasionuar, ka qejf të flasë dhe të mos heshtë për këtë zbulim të madh për florën e vendit, por edhe në nderim të studiuesve shqiptarë dhe në respekt në florës së vendit. Edhe pse historia e zbulimit të tulipanit shqiptar, ashtu si ndodh rëndom, është eklipsuar nga lajmet e përditshme ogurzeza të kronikës së zezë dhe, kuptohet, nga thashethemnaja politike. Gjithsesi mostra shqiptare që iku në Danimarkë, provoi se tulipani ishte unik dhe kishte vetëm pak “familjarë” në Ukrainë dhe Kaukaz.

Bima e certifikuar është sot një nga 113 tulipanët që njeh Bota. Megjithatë, na duhet jo pak, të mbledhim veten nga e gjitha ajo që rrëfen ai. Kukësi, është i veçantë në këto ditë të fundit dimri dhe më tepër në të gjithë atë bukuri natyrore, që ia ka dhënë prore mjedisi. Jo më kot, kuksianët, i atribuojnë me zemër qytetit të tyre, mrekulli natyrore të rralla. Kuptohet se kjo nuk shkon asnjëherë dhe nuk përputhet kurrsesi me ata, të cilët e kanë administruar qytetin.

Në të gjitha konjukturat politike, ky qytet ka njohur varfëri dhe shmangie, dhe duket se vetëm në vitet e fundit, qyteti ka një frymëmarrje, që gjithsesi, nga ana ekonomike nuk duket se justifikohet ende. Rruga e Kombit e ka vitalizuar fuqishëm dhe qyteti që priti qindra-mijëra kosovarët është një nyje e leverdishme për Shqipërinë dhe po ndryshon. Anipse, natyra, veç mrekullive, i ka falur dhe vetminë, sepse dimri është bash i egër, ndërsa pak makinat që qarkullojnë deri aty, nuk mund ta prishin qetësinë e motit të rëndë, plot re dhe grihnajën që qëndron gjatë mbi qytet. Bardhësia e bën më të paqmë, ndërsa për studiuesin tonë, më të bukur. Të gjitha këto i ndajmë me Besnikun dhe kolegët e tij, që janë gjithë sy e vesh se kur dimri do të flakë mbulesën e tij. Treva ka një pozicion të mrekullueshëm gjeografik, ku larmia e relievit, me ndryshimin e madh në lartësi, nga 300m – 2486 mbi nivelin e detit (mali i Gjallicës) dhe rrjeti i pasur ujor, nën kushte klimatike të favorshme dhe me ndërfutje të rrymave mesdhetare nëpërmjet luginës së Drinit e favorizojnë zonën e Kukësit për një zhvillim të shumëllojshëm të habitateve, ekosistemeve, dhe vegjetacionit në veçanti. Ne jemi të interesuar për historinë e tulipanit, dhe përpjekjen e tij. Tulipanin, fillon...

Këtu, studiuesi Hallaçi, e bën dhe shkencor rrëfimin e tij: ‘Vegjetacioni te ne paraqitet me një diversitet të lartë speciesh ku përfshihen bimë të rralla, endemike dhe subendemike të një rëndësie të veçantë. Në rrethin e Kukësit gjenden substrate serpentinore, gëlqerore, përzierje gëlqerorësh e silicorësh, të cilët ndikojnë në zhvillimin e bimëve karakteristike. Shquhen zona të rëndësishme, si ajo e Shishtavecit, e Malit të Gjallicës, Korintikut, Zebës, Rrunës dhe serpentinat e Kolsh Surrojit. Në të gjitha këto zona gjenden bimë të rralla, relikte endemike e subendemike’.

Burrit

Në këtë mot të ftohtë, të ulur dhe duke rrëfyer për ato që qyteti mbart në këto ditë fundi dimri, ke se çfarë të kujtosh. Shmangim për pak problemet sociale dhe vështirësinë e dimrit, për t’iu falur asaj gjëje të bukur që ka natyra. Dhe, vërtetë, ky burrë me trup mesatar dhe me një vështrim të kthjellet dhe shumë të drejtë, ka çfarë të thotë për fushën e tij. Biseda shkon nga e përditshmja, nga mbijetesa, padashur politika dhe shumë gjëra të tjera, por mbetemi vetëm aty. Tek Tulipani dhe flora. Ai është ngazëllimi, puna dhe e ardhmja e tyre. “Gjatë pesë viteve të fundit janë zbuluar 7 bimë të reja për Kukësin, 3 prej tyre janë të reja, për florën shqiptare, Dianthus superbus (karafil), Silene lerchenfeldiana (klokëz), Aristolochia merxmuelleri (petrik), 1 endemike shqiptare (gjendet vetëm në Mirushë, Kosovë dhe Surroj Kukës) dhe më interesantja që është një endemike Tulipa albanica (tulipani shqiptar)”.

Besniku flet me një admirim rilindësi për vendin e vet dhe, teksa na shqyrton dhe na shpjegon bimët barishtore, na rrëfen për një vend, si të jetë përrallor, mes Kolshit e Surroit “në të cilën si në asnjë vend tjetër gjendet një përqendrim i bimëve endemike e subendemike, ku dy prej të cilave janë të reja për florën e Shqipërisë. Pra ky areal i ngjan një kopshti botanik natyror. Dhe “margaritari” i këtij kopshti është tulipani shqiptar”. E, sfida e tij s’mbaron këtu: botanistët kanë ende punë për të këqyrur. Dhe, kuptohet, zbulimi më i madh është bash ai i mbiquajturi Tulipani Shqiptar, me një areal të tulipanit që në këtë rreth ai e shtrin deri në zonën e Arrnit dhe të Bicajve.

“Ky është zbulimi më i rëndësishëm i këtyre viteve të fundit dhe unë ndjehem krenar që Shqipëria tashmë ka një specie të re endemike, në sajë të insistimit dhe punës së palodhur të prof. Shukës”. Petrit Palushi, shkrimtari i njohur vendas, një prozator shumë psikologjik dhe një si lloj ure e letërsisë së sotme shqiptare me atë të Kosovës, është i kënaqur dhe mundohet të përpijë botanistin, që flet me një qetësi matematikani. Bashkim Shala, gazetari dhe kolegu ynë i vjetër, e ndjek i qetë dhe më thotë se ka vuajtur shumë t’ua shpjegojë lajmin organeve mediatike të Tiranës. Besniku, pasi sqaron, heshton. Të tre bashkë duket se të thonë, këtu është mrekullia: Shikojeni vetë. Është pak e ekzagjeruar, e pyes Besnikun?! “Unë nuk di një zonë tjetër analoge në Shqipëri me këtë larmi dhe pasuri kaq të veçantë bimore. Numri i bimëve endemike në shkallë vendi është 30, ndërsa vetëm në këtë zonë dhe afër saj janë 10, pa hyrë në gjithë “inventarin” e zonës, i cili është shumë i pasur”, ma kthen.

Ky park i madh natyror

Ashtu si ne, në këto ditë dimri, që mundohemi të ngjitemi deri në skaje të Kukësit, ku fillon ky areal, në mënyrë më të përgjithshme dhe ajo nuk besoi. Por, në qershor të vitit të kaluar, kur e vizitoi këtë vend, Profesoresha Kit Tan, eksperte e një rangu të lartë, realisht u befasua nga ajo çfarë pa aty. Zona përbën një pasuri e paçmueshme natyrore, e cila jo vetëm që duhet njohur e promovuar, por duhet të shpallet e mbrojtur.

“Ajo përbën një nga trashëgimitë natyrore me vlera të rralla në vendin tonë. Këtu mund të vrojtohen bimë që në pranverën e hershme, me krocuset e deri në vjeshtën me Asterin shqiptarë”, më sqarojnë biologët. Në fakt, mbrojtja dhe ruajtja e saj do të sillte shumë turistë dhe studiues të fushës, që biologu i fut në idenë e një turizmi, i cili mund të sjellë të ardhura edhe për njësinë e qeverisjes vendore. Kjo e fundit, është e vetmja gjë që nuk ndaj me ata. Qeverisja lokale, jo vetëm aty, por në kryeqytet dhe në të gjithë vendin, ka pa fund të meta dhe është krejt indiferente.

Qoftë dhe për këtë rast dhe këtë aset të madh lokal, që ka tharm kombëtar. Ndalojmë pak, sepse ndërkaq, jashtë, bora ka rifilluar dhe trafiku është rënduar. Ky çast i fundit shërben që të ndajmë një opinion edhe për ndryshime klimatike me Besnikun, që tregon se është bash i kulturuar. “Ndryshimet klimatike gjithnjë e më shumë po ndikojnë në biodiversitetin natyror të globit, kësisoj edhe vendi ynë nuk mund të përjashtohet nga ky ndikim. Për të thënë se çfarë ndikimesh ka sjellë klima për bimësinë e Kukësit është e vështirë, mbasi mungojnë monitorimet dhe studimet në këtë fushë”. Dhe, fjala, ashtu si gjuha, shkon te plaga: “Gjatë këtyre20 viteve të fundit, si pasojë e dëmtimeve masive në pyje (nga djegiet dhe prerjet pa kriter), dëmtimeve nga veprimtaritë e kërkim-zbulimit dhe shfrytëzimit minerar, ndërhyrjeve në shtratin e lumenjve dhe përrenjve, ka sjellë ndryshime thelbësore të habitateve dhe ekosistemeve. Kjo është lehtësisht e konstatueshme, jo vetëm nga specialistët, por edhe nga njerëzit e thjeshtë”. Nën këtë kërcënim duket se është edhe zona në fjalë, ku kemi tulipanin shqiptar, ndaj këtu stepen të gjithë kur kujtojnë se mbetet urgjente dhe e domosdoshme për të ndërhyrë në mënyrë ligjore e institucionale, sa nuk është vonë, për mbrojtjen dhe ruajtjen e kësaj pasurie të trashëgimisë natyrore.

Nuk kemi çfarë të themi më. Në këtë ditë të ftohtë, ku bora ka lënë pirgjet e saj kudo, shikojmë siluetat e tyre teksa zvogëlohen kontrastueshëm me borën, që ka bërë disa togje ndanë rrugës. Një polic zhurmaxhi dhe prepotent disiplinon sipas mënyrës së tij udhën. Besniku ikën pak më tutje me Petritin, dhe të dy na kthehen në imazhe, që mbeten në kujtesë. Koha fillon të errësojë, ndërsa gjithnjë e më shumë re të hirta e vrenjtin motin. Nga tutje, bimët që folëm po përpiqen të durojnë këtë mot të ashpër, për të nxjerrë shpejt krye. Sikur të mos jetë asgjë, një frymë e mirë ajri mbetet e kënaqur prej këtyre njerëzve të mirë.

Publikuar: 03.08.2012 | 11:34
Lexuar: 2365 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime