Prej shfrytëzuesve të përgjithshëm, dy të tretat janë përgjigjur se internet përdorin çdo ditë, e madje 81 për qind e shfrytëzuesve, internet shfrytëzojnë në shtëpi.
Gjithsej 49 për qind e qytetarëve të Maqedonisë shfrytëzojnë internet, 80 për qind përdorin telefon celular, përderisa telefonia fikse është e pranishme në 69 për qind të shtëpive në Maqedoni.
Këto të dhëna, të fituara përmes anketës së zbatuar në fillim të muajit në mesin e 1.100 qytetarëve sot i publikoi Agjencia për Komunikime Elektronike (AKE).
Prej shfrytëzuesve të përgjithshëm, dy të tretat janë përgjigjur se internet përdorin çdo ditë, e madje 81 për qind e shfrytëzuesve, internet shfrytëzojnë në shtëpi.
Shfrytëzues më të shpeshtë të internetit në Maqedoni janë popullata e re dhe personat me arsim të mbaruar sipëror.
Gjithsej 81 për qind e shfrytëzuesve të telefonisë celulare posedojnë vetëm një SIM kartelë, 14 për qind dy, ndërsa pesë për qind tri kartele.
Kënaqësi nga çmimet e shërbimeve në telefoninë celulare kanë shprehur 73 për qind e të anketuarve, ndërsa përkundër tyre 27 për qind e të anketuarve janë të pakënaqur me çmimet.
Madje 78 për qind e shfrytëzuesve nuk e kanë ndryshuar operatorin e tyre celular, ndërsa ata që e kanë bërë këtë si arsye më të shpeshtë e kanë përmendur çmimin e shërbimeve.
Rreth 31 për qind e amvisërive në Maqedoni nuk posedojnë telefoni fikse, ndërsa si përgjigje më e shpeshtë për arsyet, të anketuarit kanë përmendur se më parë kanë poseduar, por u është shkyçur linja për shkak të pamundësisë që t`i paguajnë llogaritë. Një pjesë e madhe kanë pushuar me përdorimin e telefonisë fikse meqë shfrytëzojnë atë celulare.
Nga popullata e përgjithshme që posedon telefoni fikse, 15 për qind e kanë ndërruar operatorin, ndërsa si arsye më e shpeshtë është përmendur dallimi në çmimet.
Rritja e çmimit të shërbimeve prej 10 për qind ka qenë arsye e mjaftueshme për madje 64 për qind të qytetarëve që ta ndërrojnë operatorin.
Vlera mesatare e kënaqësisë nga çmimet për telefoninë fikse arrin 2.4 (1 për pakënaqshëm, 4 për më të kënaqshëm), përderisa vlera mesatare për kënaqësinë e shërbimeve arrin 3.1.