Sipas historianit nga Shqipëria, Marenglen Verli, tezat e përfshira në enciklopedinë maqedonase janë teza serbe të cilat janë jo objektive të cilat kanë qenë në shërbim të politikës.
Edhe përkundër deklaratave të redaktorit kryesor të Enciklopedisë Bllazhe Ristovski se pjesët kontestuese nuk do të tërhiqen por vetëm do të zëvendësohen me disa fjalë shtesë, akademikët shqiptarë Luan Starova dhe Alajdin Abazi presin vendimin e Kuvendit të Akademisë për të vepruar më tej në këtë drejtim, nëse do të mbeten ose jo anëtarë të Akademisë së Maqedonisë.
Kjo është deklaruar për ALSAT nga Starova. Akoma nuk ka një njoftim nëse Kuvendi do të mblidhet javën që vjen ndërsa në prononcimin e fundit kryetari i Akademisë Georgi Stardellov tha se Kuvendi do të thirret
Atëherë kur anëtarët të kenë marrë Enciklopedinë. Ndërkohë gjatë simpoziumit të albanologjisë në Shkup, u mbështetën tezat e njohura dhe të argumentuara të historiografisë shqiptare, për autoktoninë e popullit dhe kombit shqiptar. Sipas historianit nga Shqipëria, Marenglen Verli, tezat e përfshira në enciklopedinë maqedonase janë teza serbe të cilat janë jo objektive të cilat kanë qenë në shërbim të politikës.
"Me krijimin e shtetit serb një historiografi për fat të keq jo objektive por në shërbim të politikës kanë lançuar teza që kanë të bëjnë me vjetërsinë e shqiptarëve në këto treva, me civilizimin e tyre, me mënyrën se si janë zgjeruar dhe kur janë zgjeruar dhe në të gjitha këto raste është punuar mbi motive politike e jo shkencore. Për fat të keq në mendësinë e disa historianëve maqedonas këto teza u transplantuan në botimin më të fundit të promovuar të enciklopedisë së Maqedonisë. Mendoj që askujt nuk i shërben largimi nga e vërteta, vënia e shkencës në shërbim të politikës apo segmenteve të caktuara të politikës", thekson Marenglen Verli nga Instituti i historisë nga Shqipëria.
Reagimet rreth shtrembërimeve të fakteve për autoktoninë e shqiptarëve vazhdojnë edhe më tej pas publikimit të enciklopedisë maqedonase. Në këtë drejtim nisma e BDK për protesta gjithë popullore ka hasur në mbështetje të fuqishme ndërsa dita e mbajtjes do të publikohet të hënën.
Gjyltene Rexhallari