Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti në një deklaratë për televizionin Alsat-M e përshëndeti vendimin e fundit të Akademisë së shkencave dhe arteve për të përmirësuar njësitë kontestuese të Enciklopedisë maqedonase.
Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti në një deklaratë për televizionin Alsat-M e përshëndeti vendimin e fundit të Akademisë së shkencave dhe arteve për të përmirësuar njësitë kontestuese të Enciklopedisë maqedonase.
Sipas tij vendimi i ASHAM-it është rezultat i të gjithëve duke filluar që nga intelektualët e deri tek partitë politike.
Mendoj se , kjo që ndodhi tani më me komunikatën e mbrëmshme të Akademisë së Shkencave është një kontribut jo vetëm për të ulur tensionet, por është një shërbim i madh që i bëhet shtetit, që në vend të dominojë paqja, urtësia dhe problemet të zgjidhen drejt dhe të pasqyrohet e vërteta në enciklopedinë e ardhshme të përmirësuar edhe me pjesëmarrjen e akademikëve shqiptarë, të dijetarëve shqiptarë dhe të gjendet gjuha e arsyes mes njerëzve të dijes, shkencës dhe kulturës, pavarësisht kujt komuniteti i takojnë ata, deklaroi Ahmeti.
I pyetur nëse ai dhe kryeministri Gruevski në takimin e tyre të fundit, kanë ndikuar mbi ASHAM-in, që ky institucion të marrë një vendim të tillë, Ahmeti tha se takimi me Gruevskin ishte i rëndësishëm dhe rezultoi me qetësimin e situatës.
Ishte një takim i rëndësishëm që ne ndamë mendime dhe vlerësuam bashkarisht që ky dokument i fyen i ofendon shqiptarët me çka edhe në komunikatën e përbashkët bëmë një thirrje shumë të arsyeshme ASHAM-it që ata të marrin hapat e duhur, kështu që mendoj që z.Gruevski ka ndikuar pozitivisht për uljen e tensioneve si dhe për të dhënë porosi tek qytetarët e Maqedonisë që ne nuk jemi të interesuar për probleme, për përplasje, shtoi Ahmeti.
Ahmeti tha për ALSAT se problemet e fundit me Enciklopedinë maqedonase hapën edhe mundësinë për reforma në Akademinë e Shkencave dhe Arteve.
Shpresoj që mos ndoshta tani më është koha të diskutohet edhe pozicioni i Akademisë së Shkencave, të shqyrtohen, rishqyrtohen dhe vetë ligjet e vendit siç është ligji për arsimim të lartë, ligji ku sanksionohet veprimtaria e ASHAM-it të shihet se sa janë në përputhje, harmoni ligji për arsimin e lartë dhe ligji për funksionimin e Akademisë së Shkencave, theksoi Ahmeti.