Ministri i Ekonomisë, Fatmir Besimi gjatë nënshkrimit të kontratave me përfaqësuesit e kompanive theksoi se projektet e tyre do të kontribuojnë për hapje të vendeve të reja të punës dhe për zhvillim të ekonomisë.
- Në 40 lokalitete në vend do të hulumtohen mundësitë për eksploatim të derivateve minerale. Kompanitë, të cilat do t'i zbatojnë hulumtimet gjeologjike sot nënshkruan kontrata me Ministrinë e Ekonomislë, si ofertuese të zgjedhura në shpalljen nga fillimi i vitit, përmes së cilës janë ofruar 133 lokalitete.
Në arkën shtetërore nga kompensimi i njëfishtë, që do ta paguajnë kompanitë për lejet për hulumtime, do të inkasohen rreth 5,5 milionë denarë. Tri nga 40-të kontratat janë për gurë të çmueshëm, po aq për hulumtim në ujërat nëntokësore, ndërsa të tjerat janë për derivate minerale jometalike, siç janë gëlqerorët, rëra...
Varësisht nga projekti, hulumtimet do të zbatohen në dy deri tre vitet e ardhshme. Nëse rezultatet janë pozitive, në fazën e ardhshme kompanitë duhet të marrin leje për eksploatim.
Ministri i Ekonomisë, Fatmir Besimi gjatë nënshkrimit të kontratave me përfaqësuesit e kompanive theksoi se projektet e tyre do të kontribuojnë për hapje të vendeve të reja të punës dhe për zhvillim të ekonomisë.
"Shumë me rëndësi është që të nënshkruhen kontrata këtë vit, i cili pas vete la shumë pasoja nga kriza globale ekonomike. Mendoj se kjo periudhë tashmë mbetet prapa nesh, këtë e tha edhe Samiti i G-20 dhe ka optimizëm", tha Besimi.
Ai përkujtoi se në vijim është shpallja e dytë për lokalitete të reja për hulumtim, që përfundon për pesë ditë.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve për mundësinë e masave të reja për ndihmë në ekonomi për shkak të krizës ekonomike globale, Besimi tha se kërkesat e minierave të derivateve minerale që janë në kornizë të Ligjit për derivate minerale, tashmë janë pranuar dhe se do të precizohen edhe kontratat ekzistuese për koncesion në mënyrë të veçantë për metalet e çmueshme.
"Kërkesat tjera janë zgjidhje sistemike për të cilëat kërkohet analizë e hollësishme. Mbetemi të hapur edhe për ata, me argumente dhe me analizë financiare që të shihet për çka bëhet fjalë. Përcaktimi ynë është me çfarëdo mase të mos i prishim parimet tregtare, të cilat janë në bazën e konceptit të zhvillimit të ekonomisë sonë në të ardhmen", tha Besimi.