Nëse kriza financiare botërore vazhdon, Maqedonia mund të presë ndikim indirekt, ndaj bilancit tregtar dhe dinamikës së investimeve, deklaroi ministri i Ekonomisë, Fatmir Besimi, pas promovimit të sotëm të Programit kombëtar për punë praktike dhe punësim.
Tani për tani, vlerësoi Besimi, sektori financiar është stabil. Edhe krahas krizës ekonomike, kompanitë e mëdha kanë plane strategjike dhe përcaktime për drejtimin e biznesit personal në të ardhmen.
"Deri tani, sektori financiar i Maqedonisë mbeti stabil, për momentin nuk ka shenja për krizë të gjeneruar vendore, ndërsa implikime eventuale indirekte nëse kriza botërore do të zgjasë më shumë, në vitin 2009 mund të ketë, ndaj bilancit tonë tregtar dhe ndaj dinamikës së investimeve në kuptim të prolongimit të saj", theksoi Besimi.
Qeveria mbetet në qëndrimin se masat ekonomike që i realizon, i mundësojnë sektorit privat që të ballafaqohet me të gjitha sfidat. Sipas Besimit, deri tani në sektorët e tyre financiare nuk kanë intervenuar as vendet e tjera edhe pse për këtë vazhdimisht flitet.
"Programi qeveritar ekonomik për përmirësimin e klimës së punës, zvogëlimet e harxhimit të biznesit, të të ardhurave, të doganës për lëndë të caktuara të para, rritjen e konkurrencës dhe të tregut të fuqisë së punës, u mundëson kompanive që të ballafaqohen me sfidat", tha Besimi dhe shtoi se në sektorin real, kriza transmetohet me vonesë të caktuar.
Sinjalet e para, thotë ministri i Ekonomisë, arrijnë, por megjithatë, treguesit ekonomikë zyrtarë (Bruto prodhimi vendas, prodhimtaria industriale, lëvizja e depozitave dhe kredive) në periudhën e deritanishme kanë trend rritës.
Në pyetje të gazetarëve nëse Ministria e Ekonomisë i kontrollon investimet e EVN-së, ai tha se do të përgjigjet pas përfundimit të revizionit.
"Hollësi lidhur me këtë kanë menaxhmenti dhe bordi drejtues i kompanisë, të cilët bëjnë plan afarist", theksoi Besimi, duke potencuar se marrëveshja e nënshkruar me EVN-në do të ruhet dhe respektohet.