Në vizitën e parë në Kosovën e pavarur, Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga zonja e tij, Liri Berisha, zhvilloi homazhe dhe nderime në varrin e ish- Presidentit të Kosovës, zotit Ibrahim Rugova, në Prishtinë, dhe më pas një vizitë në familjen Rugova, ku u takua me bashkëshorten dhe fëmijët e tij.
Një burrë shteti, unik në historinë e kombit shqiptar, i cili ia doli të shkrijë në një politikanin, shtetarin dhe misionarin, e ka vlerësuar ish-Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, Kryeministri Sali Berisha, i cili nga dje ndodhet për një vizitë zyrtare në Kosovë, me ftesë të homologut të tij, Hashim Thaçi.
Në vizitën e parë në Kosovën e pavarur, Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga zonja e tij, Liri Berisha, zhvilloi homazhe dhe nderime në varrin e ish- Presidentit të Kosovës, zotit Ibrahim Rugova, në Prishtinë, dhe më pas një vizitë në familjen Rugova, ku u takua me bashkëshorten dhe fëmijët e tij.
Erdha për ti shprehur nderimin më të thellë zonjës Rugova për ndihmesën e madhe që ajo ka dhënë në mbështetjen ndaj Presidentit Rugova, tha Kryeministri Berisha gjatë vizitës që zhvilloi në familjen Rugova.
Duke vlerësuar figurën e ish-Presidentit Rugova, Berisha u shpreh se në shpirtin e tij qëndrestar, mençurinë, intelektualizmin, vendosmërinë, Presidenti Rugova lartësoi çdo ditë të veprimtarisë së tij, çështjen e drejtë të shqiptarëve në Kosovë.
Pas lufte, vijoi Berisha, Ibrahim Rugova udhëhoqi Kosovën deri në prag të pavarësisë, duke u shndërruar në shtyllën kryesore të besimit të shqiptarëve dhe të komunitetit ndërkombëtar për Kosovën e lirë, të pavarur dhe multietnike.
Ibrahim Rugova ka frymëzuar dhe do të frymëzojë shqiptarët në të gjitha përpjekjet e tyre për zhvillimin, integrimin dhe të ardhmen që meritojnë, vlerësoi Kryeministri Berisha. Në ditën e dytë të vizitës në Kosovë, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, do të shpallet Qytetar nderi i Prizrenit.