Transferet sociale mbesin të pandryshuar, ndërsa rritje parashihet për furnizimin e barërave dhe vaksinave për gripin e ri. Nuk ka ulje të pagesave për subvencione të bujqësisë. Shpenzimet kapitale janë zvogëluar për 18 për qind.
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, sot pas debatit treditësh, e miratoi ribalancin e Buxhetit për vitin 2009, me të cilin shkurtohen të ardhurat dhe shpenzimet për 3,2 për qind.
Të ardhurat sipas ribalancit janë projektuar në 138,459 miliardë denarë, kurse shpenzimet në 149,5 miliardë denarë. Deficiti mbetet në kornizën e projektuar paraprake me zvogëlim të dukshëm prej rreth 300 milionë denarë, gjegjësisht ai do të jetë 2,8 për qind nga BPV-ja. Me ndryshimet më të reja të Buxhetit, shkalla e BPV-së në nivel vjetor është minus 0,6 për qind, kurse inflacioni 0,1 për qind.
Nga ana e të ardhurave, të ardhurat tatimore janë më të ulëta për 5,7 për qind, me ç'rast zvogëlimi është më i madh te TVSH-ja për 6,5 për qind, tatimi personal për dy për qind dhe doganat për 16,7 për qind. Kontributet sociale sipas ribalancit do të shënojnë rritje prej 2,4 për qind.
Te shpenzimet, ulje ka në vlerën e plotë të rrogave dhe kontributeve për tre për qind, respektivisht për 684 milionë denarë, te shkalla e mëditjeve dhe udhëtimeve zyratre, ku shkurtimet te disa shfrytëzues është edhe deri 50 për qind. Transferet sociale mbesin të pandryshuar, ndërsa rritje parashihet për furnizimin e barërave dhe vaksinave për gripin e ri. Nuk ka ulje të pagesave për subvencione të bujqësisë. Shpenzimet kapitale janë zvogëluar për 18 për qind.
Shkaku i miratimit të këtij ribalanci, i cili është i dytë me radhë këtë vit, është adaptimi i harxhimeve të shtetit me gjendjet reale të ekonomisë, si dhe realizimi më i vogël i të ardhurave.
Për shumicën në Parlament, ribalanci është pasqyrim i gjendjes reale në ekonomi, kurse sipas opozitës ribalanci nuk ofron zgjidhje për dalje nga kriza ekonomike dhe se qëllimi i Qeverisë është të grumbullohen sa më shumë para nga qytetarët dhe ekonomia.