Shkrimtari Dritëro Agolli, themelues i PS-së i kundërpërgjigjet Fatos Nanos, duke mohuar që të jetë përdorur nga Edi Rama. "Veprimi i PS-së është i drejtë, është demokratik dhe që kërkon një zgjidhje, sepse opozita këtë punë ka".
Intervistoi:
Roland Qafoku
- A e quani të mbyllur debatin për Enciklopedinë që botoi Akademia e Shkencave të Maqedonisë, tashmë që ky produkt u tërhoq për t'u korrigjuar?
Unë kam shkruar edhe më parë dhe e quaj një gjë akoma jo plotësisht të mbyllur, por mesa duket qeveria maqedonase ka marrë masa, por edhe anëtarë të Akademisë së Shkencave atje, kanë marrë disa masa për të shkarkuar redaksinë dhe kryetarin e Akademisë, meqenëse ai nuk jep dorëheqjen. Një debat i tillë bëhet në një vend si Maqedonia, ku një shumicë e madhe janë shqiptarë. Pa shqiptarët nuk bëhet dot as qeveria dhe jo më t'i fyesh duke i quajtur njerëz të zbritur nga mali në shekullin 16. Kjo është amorale dhe antinjerëzore.
Për hir të jetesës së përbashkët nuk duhet të flisnin kështu. Ne Republikën e Maqedonisë e kemi aprovuar të parët. Ne ishim vendi i parë që e përkrahëm, kështu që ata duhet ta kenë parasysh edhe këtë gjë, por mesa duket këto përsëritje të së kaluarës rrjedhin nga tradita e hershme e keqe e shtetit jugosllav që ishte në atë kohë, kur disa shkrimtarë ishin kundër shqiptarëve dhe që i kanë shfaqur këto mendime. Ndonjëherë ndodh që shtete të vogla, që nuk kanë ndonjë zhvillim aq të madh u mungon hapësira e kulturës dhe duan të afirmojnë identitetin e tyre me të tilla gjëra në botë.
-Çfarë duhet të bëjë shteti shqiptar në këtë rast, a është i nevojshëm një reagim edhe më i fortë?
Unë mendoj se nuk duhet t'i acarojmë marrëdhëniet, që t'i përgjigjemi bajonetë më bajonetë, më mirë me argumente e me qetësi se sa me veprime të tilla për t'i thënë që na bëtë këtë dhe nuk duhet pranuar në këto forume. Mendoj që qeveria jonë e ka të drejtë atë që nuk do të acarohet me një shtet fqinj, sepse acarimi nuk është i mirë gjithnjë. Mund të zgjidhet me forma të tjera. Shteti duhet të jetë shumë i matur që të mos acarohen.
Z. Agolli ju jeni shprehur dhe më parë lidhur me situatën politike që prodhuan zgjedhjen e 28 qershorit. Si do ta konsideroni qëndrimin, që ka mbajtur opozita deri më tani?
Partia Socialiste bën përpjekje për të arritur qëllimin e saj, pastaj se çfarë bëjnë ata që e kanë në dorë është tjetër. Por, veprimi është i drejtë, është demokratik dhe që kërkon një zgjidhje, sepse opozita këtë punë ka.
Ju jeni shprehur se bojkoti i PS-së nuk duhet të jetë përhershëm. Mendoni se momentalisht ai është i justifikuar?
Unë tani për tani s'mund të them gjë që të vihet ky bojkot, por bojkotet nuk janë të përhershme, të vazhdueshme domethënë që 4 vjet të rrish në bojkot, sepse është provuar nga partitë e tjera që e kanë bojkotuar 3 vjet me radhë. PD-ja edhe në 2001 edhe në 1997 e ka bojkotuar dhe nuk rezistoi dot dhe në vitin e fundit erdhi në Parlament. Kështu që bojkotet nuk janë të vazhdueshme pa fund, edhe PS-ja kur ta gjejë rastin do të vijë në Parlament.
Ndërkohë lidhur me një deklaratë tuajën të disa ditëve më parë ka reaguar edhe ish-kryetari i PS-së, Fatos Nano, i cili është shprehur se ju jeni përdorur nga Edi Rama. Si do t'i përgjigjeshit një deklarate të tillë?
Ai nuk është shfrytëzim sepse mundet që unë mund ta kem shfrytëzuar. Fatos Nano e ka gabim atë se më ka shfrytëzuar mua Edi Rama. Unë jam një njeri 78 vjeç dhe kam qenë themelues i PS-së para Fatos Nanos. Unë dhe të tjerët e kemi marrë Fatosin për të hyrë në PS, për t'u bërë kryetar se nuk donte të bëhej. Kështu që nuk ka kuptim. Mua, një themelues, më paska shfrytëzuar dikush. Asnjëri nuk më shfrytëzon mua. Unë nuk jam vetëm një njeri që flas vetëm për politikë, unë kam librat. Unë jam i pavarur dhe i lirë nga kjo anë, i pavarur relativisht. Në mendime jam krejtësisht i pavarur.
Mos t'i vijë keq Fatos Nanos për këtë gjë, se në një shkrim një herë ai ka shkruar se Dritëro Agollit asnjë nuk do t'i shkojë në varrim. Cila është me e rëndë ajo që thashë unë apo ajo që tha ai që kërkon vdekjen time sa më shpejt që të mos vijë ai. Është botuar ky shkrim. Atëherë si do të rrija unë duke folur ai nga Vjena me fjalët më të këqija. Po Edi Ramës që i tha ndyrësirë, mason. Pse ndyrësira çfarë është qenef? Dhe i ardhka keq atij për këtë gjë. Po vdekja? Kur i thotë ai fjalët, kujton se të tjerët hanë bar dhe nuk ia kujtojnë. Ai bën ahengje dhe me bixhoz andej dhe me qejfet e tij dhe tha edhe atë, kurse ne këtu blejmë domate./Shekulli/