Të shes Milanin? Nuk kam menduar asnjëherë ta bëj një gjë të tillë. Dhe motivi është i qartë nga ana e Berluskonit: Kjo skuadër nuk bën pjesë në sferën ekonomike, por në sferën e dashurisë, ‑ thotë Berluskoni.
Presidenti kuqezi pret rikthimin e Bekhamit. Ndërsa Galiani do dëmshpërblim për dëmtimin e Onievut
Për Milanin e tij, presidenti Silvio Berluskoni, një fjalë të mirë e gjen gjithnjë. Edhe këtë herë, nga Sofja ku ndodhet i përkushtuar me punë, numri një i kuqezinjve është kthyer të theksojë një dyshim të kohëve të fundit: Të shes Milanin? Nuk kam menduar asnjëherë ta bëj një gjë të tillë. Dhe motivi është i qartë nga ana e Berluskonit: Kjo skuadër nuk bën pjesë në sferën ekonomike, por në sferën e dashurisë, ‑ thotë Berluskoni.
Pasioni që lidh në mënyrë të dyfishtë Kryeministrin Italian me skuadrën e tij, vështirë se do të sjellë goditje të paparashikuara në skenë. Madje Berluskoni ka parapëlqyer të flasë për projekte. Njëri, ndoshta më emergjenti, quhet David Bekham: Shpresojmë që të vijë sa më shpejt. Tifozët kuqezinj dyshojnë, por presidenti buzagaz, përpiqet të thotë, Këta nuk kanë kuptuar asgjë, duhet të ketë menduar ai. Sepse Milani është akoma një çështje zemre, që zgjat prej një jete. Dhe që pavarësisht nga zhgënjimet e fundit, nuk do të shitet asnjëherë.
GALIANI: DËMSHPËRBLIM PËR ONIEVUN - Dëmtimi i rëndë që pësoi Oguçi Onievu me kombëtaren e SHBA‑ve ndaj Kosta Rikës (në një kërcim me kokë bie keq dhe këput tendinën e gjurit (duhet të qëndrojë jashtë për rreth katër muaj), e ka inatosur jashtëzakonisht Adriano Galianin: Jam shumë i irrituar, sepse kombëtaret edhe një herë na kanë marrë lojtarët dhe ne tani duhet të përballemi me dëmtimet, që ata pësojnë atje, ‑ shpjegoi administratori i deleguar kuqezi. - Ky është një problem për tu zgjidhur. Ne si Milan, pretendojmë një dëmshpërblim nga ana e Federatës Amerikne të Futbollit. Nuk mund të paguajmë për gjashtë muaj një futbollist që nuk mund të luajë dot. Galiani ndaloi më pas edhe mbi mundësinë që një ditë Leonardo të kthehet të bëjë sërish rolin e drejtuesit në skuadër: Leonardo tani është trajneri i Milanit dhe për këtë problem nuk kam menduar. Shpresoj të qëndrojë sa më gjatë të jetë e mundur në stolin e Milanit.
Pasi ka konfirmuar që bisedimet për Bekhamin, nuk janë mbyllur përfundimisht, por ka shumë mundësi që lojtari të vijë në janar, Galiani ka folur me ironi për trigolëshin e Xhilardinos në kombëtare: Shtypi shkruante dikur që unë paskam gabuar që e bleva para disa vjetësh nga Parma, tani do të thonë se paskam gabuar që e shita te Fiorentina.
RIKTHEHET TIAGO SILVA - Stërvitje intensive në Milanelo, ku kuqezinjtë kanë punuar dje, paradite dhe pasdite. Pjesa e parë, e zhvilluar në mëngjes, e pa skuadrën e Leonardos të përkushtuar në ushtrime atletike, ndërsa në pjesën e dytë të ditës, stërvitja u karakterizua nga ushtrime tekniko-taktike në prag të sfidës të së dielës në mbrëmje kundër Romës në San Siro. Kundër verdhekuqve do të rikthehet qendërmbrojtësi Tiago Silva, që u stërvit me grupin së bashku me Huntelarin, i rikthyer nga përkushtimet me Kombëtaren Holandeze. Lajme jo të mira për Bonerën: mbrojtësi shpresonte të rikthehej shpejt, por mjekët kanë vendosur të mos luajë para fundit të këtij viti për shkak të disa problemeve të vazhdueshme muskulare.
BEKHAM: JAM GATI - Tashmë është gati dhe rikthimi i David Bekhamit te Milani. Është vetë mesfushori anglez që konfirmon, siç kishte bërë shpesh këto javë, që bisedimet janë drejt mbylljes: Është thuajse e bërë për rikthimin tim te Milani, nuk shikoj asnjë motiv ose arsye përse marrëveshja duhet të dështojë. Me 95% do të jem sërish kuqezi, - tha Bekham.