Të intervistosh, do të thotë të japësh nga vetja. Duke iu dhënë njerëzve nga vetja e saj, Kozeta Zavalani përbën një kualitet natyror specifik, një vlerë më vete, të një spektri shumë të gjerë... Mimoza Ahmeti
Kozeta Zavalanin, e vleresuar nga "Connect Us Communications Canada" me qëndër në Toronto si: Një ndër 26 gratë e shquara në botë.
Është disi e vështirë që në pak fjalë të tregosh për jetën. A mund të na thoni diçka për fëmijërinë Tuaj?
-Në fëmijëri kam qenë një vajzë e gjallë, sa e qetë aq edhe e shkathët, pa ndrojtje e plot inisiativë. Më kujtohet që me mikrofonin e radios jam lidhur qysh në klasën e 4 fillore. Atëhere kisha fituar një çmim për poezinë më të mirë nga revista Pionieri dhe erdhi e më intervistoi në shkollë redaktorja e emisionit të fëmijëve nga Radio-Korça, Liljana Raco, Mitre. Si mbaruam inçizimin unë iu luta që ta ndihmoja për emisionet e tjera. Ajo u habit pak me guximin tim dhe më tha se këtë e vendoste drejtori, i ndjeri Andon Mara. Dhe unë pa ndrojtje trokita në zyrën e tij dhe që të nesërmen më besuan magnjetofonin, një Uhergjerman, që rëndonte më shumë se unë dhe unë përgatita emisionin e pare në shkollën 7 Nëntori, ku kisha kryer nga klasa e parë deri të tretën, kurse të katërtën e më tutje e përfundova në shkollën 8 vjeçare Naum Veqilharxhi. Qysh atëherë nuk e shkëputa mikrofonin nga dora me emisionet per fëmijë, e më vonë me emisionet për rininë dhe të gruas. Nga fëminia mund të theksoj se momentet më të bukura kanë qënë ato të fitimit të diplomave Miku i vogël i librit-
Ndonjë kujtim nga shkolla e mesme apo Universiteti?
- Si mikeshë e librit, ndjehesha e lumturuar kur isha mes librave atëhere të ndaluara, në bodrumin e bibliotekës së Korçës, që falë mikeshës Klara Çelo, Mitrushi, kisha mundësinë të rëmoja midis rafteve, me një kënaqsi aq të madhe, sikur të isha midis xhevahiteve të ndonjë thesari të fshëhur. Klara, të cilën e kam përfshirë në librin tim të parë Gra që më kanë frymëzuar, më ka futur dashurinë për librin. Kurse dashurinë për ekranin e poezinë e kam nga mësuesja ime e letërsisë Natasha Pano, e cila është nga spikeret e para të RTSH, qysh me çeljen e tij, pastaj u martua me Gjergji Panon dhe jetoi në Korçë, për shumë vite derisa ardhën në Tiranë, ku ajo punoi drejtoreshë e bibliotekës së Akademisë së shkencave . Ishte mesuesja ime e letërsisë për vitet e gjimnazit, vite që brumosën karakterin tim artisik e krijues. Fatkeqsisht për spikeren e Radio-Korçës, të mrekullushmen Flora Bibolli, Titani, ndodhi largimi nga puna per shkak të arrestimit të vëllait të saj, ushtatakut madhor Gjergj Titani, e fatmirësisht për mua që e zëvëndësova, derisa u largova më studime për në Tiranë.

Ju jeni diplomuar, për ekonomi, çfarë ju shtyhu të studioni në këtë degë? Si trokiti te ju krijimtaria artistike? Cilat janë krijimet Tuaja fillestare?
-Siç e dini unë i përkas atij brezi që për të vazhduar studimet e larta duhet të deklaroje- ku të ketë nevojë atdheu, dhe siç duket atdheu kishte nevojë që unë të bëhesha ekonomiste, por fatkeqësisht vetëm pak vite punova si ekonomiste. Por krijimtaria letraro-artistike më bëri që ta shihja ekonomisten si një qënie të infektuar, brenda meje, ndaj të ardhmen e kam parë të lidhur me botën publicistike, artistike e shoqërore. Krijimet e para kanë qenë poezi të botuara tek
Zëri i Rinisë-Drita-Nëntori-e vëllimi poetik-Këngët e para-më bashkautorë, reportazhe nga jeta në ndërmarrje të ndryshme në rrethin e Korçës, apo tregime të përmbledhura në vëllimet-heronj të heshtur, etj. Bashkëpunimi me Radio-Korçën ishte një shkollë e veçantë që më çeli shumë dritare në krijimtarinë time letraro-artistike.
Ju jeni autore e disa librave. Si ju lindi ideja për t'i shkruar ato. Mesazhi që ju transmetoni dhe nga e kini marrë inspirimin?
- Për të punuar me librat vol I dhe II Gra qe me kane frymezuar dhe Gjysmebota kushtuar grave, që kanë sakrifikuar nga jeta e tyrë në dobi të përparimit dhe emancipimit shoqëror, frymëzim për mua ka qenë thënia e Zj. Hilari Klinton:"Liria dhe përparimi nuk kanë lindur nga heshtja".
Pra,të mos heshtim! Zëri i gruas duhet të dëgjohet. Vetëm kështu,duke dëgjuar mbi jeten, opinionet e tyre; duke mbrojtur interesat dhe idalet e tyre; duke i inkurajuar ato për t'i shprehur me kurajo dhe forcë problemet që i shqetësojnë në rrjedhën e jetës, do të bëhëmi një burim i vyer në inkurajimin e të gjitha grave, që të marrin pjesë gjerësisht në jetën politiko-shoqërore te vendit.Kjo për dy arësye të forta: të ndikojë tek opinioni publik dhe të gjenerojë debat,si burim i përparimit.

Jeni një krjiuese e mirëfilltë në publiçistikë, prozë, poezi. Reportazhet janë po aq të goditura, e të bukura, sa edhe proza apo poezia. Cila është gjinia Juaj më e preferuar?
- Reportazhi, mbetet gjithmonë si shtëpia e dashur e prindërve, që gjithmonë të pret në çdo kohë, natën edhe ditën, ku hyn pa trokitur. Megjithëse unë mundohem të ndihem mirë, në çdo gjini, kudo ku hyj. Kur e ndjej që nuk e shpreh diçka ashtu si dua p.sh në prozë, i kthehem poezisë, që ka mbetur bashkudhëtare e përhershme, të cilën ndonëse ndonjëherë e kam tradhtuar, ajo zemërgjerë më ka mbajtur gjithmonë në gjirin e saj.
[b]Jeni shumë e njohur në shtypin shqiptar, për mendimin Tuaj inteligjent, paqësor, shpirtëror, ku qëndron forca e karakterit Tuaj intelektual, si një grua e virtytshme?
- Ndryshimet demokratike sollën një stad të ri të botëkuptimeve dhe kërkesave ndaj jetës. Vendosa të punoj për Familja dhe Media Fuqia për Ndryshim një shoqatë themeluar vitet e fundit, për të ndikuar në forcimin e pozicionit të familjes, nën parullën Një familje e shëndetshme për një shoqëri të shëndetshme. Nën siglën e saj botoj revistës "Stina për Ndryshim" e cila ka për kryefjalë të saj shëmbuj nga gra të forta e të emancipuara, ato modele shpresëdhënëse për të cilat ka nevojë shoqëria shqiptare.
Vlerat thelbësore, etika dhe forca e karakterit janë rrënjosur fort në ndërgjegjen time nga prindërit e mi, babai Vangjo dhe mamaja ime e dashur dhe e shtrenjtë, Anika, e cila ndonjëherë edhe nuk më ka kuptuar e nuk me ka dhënë të drejtë, për zgjedhjet e mia, megjithatë unë gjithsesi jam munduar ti ngjaj në shumë drejtime të jetës. Burimi i pasionit tim që i jep forcë karakterit janë dashuria për të ndihmuar njerzit, ndershmëria, sensibiliteti, intuita, sakrifica, energjia dhe entusiazmi për punë. Mundohem ti bëj të gjitha duke punuar shumë e fjetur shumë pak.
Jeni martuar në një familje intelektuale qytetare korçare. Familja ZAVALANI, një familje e shquar për vlerat atdhetare, qytetare, patriotike, letrare artistike e publiçistike, sa ka ndikuar kjo në formimin Tuaj?
- Në familjen e bashkëshortit tim duhet të theksoj vjehrrin, Mikel Zavalani, një prej njerëzve të letrave shqipe, që vlerat e kombit i kanë trashëguar ndër breza në vlera kombëtare, shpirtërore, atdhetare dhe vetë janë shndërruar në vlerë qytetarie, që meriton nderim, kujtim, obligim shpirtëror dhe moral, për ta sjellë në ditët e sotme, "të gjallë", si gjithmonë. Është ky një obligim sa shpirtëror e qytetar, sa intelektual e atdhetar, aq edhe familjar, që ne brezi i tashëm i Korçës sonë, i detyrohemi figurës të liceistit " francez" -korçar, intelektualit të shquar, patriotit, atdhetarit, autorit të disa librave, të apasionuarit pas letërsisë, përkthyesi i Jashar Qemalit, shkrimtarit bashkëkohor turk të propozuar disa herë për çmimin Nobel. E ska si të mos ndikonte për formimin e vlerave të qytetarisë e krijimtarisë, që ishin spikatur tek unë, qysh herët.
Përveç aktivitetit Tuaj krijues letrar artistik, jeni një luftëtare e të drejtave të gruas dhe pjesëmarrjes së saj në proçeset demokratike, por edhe për çeshtjen kombëtare, ju jeni vlerësuar nga "Connect Us Communications Canada" me qëndër në Toronto si: Një ndër 26 gratë e shquara në botë? Ç'mund të na thoni si arritët deri këtu?
- Jam zgjedhur ndër gratë e vitit 2007, me motivacionin:Editor & Mother, Rol Model for Women Ishte tamam koha pasi kisha kryer disa specializime pasuniversitare, dhe nëpër vende te ndryshme te botës, kam mbajtur leksione nëpër konferenca ndërkombëtare grash, me nivel të lartë lektorësh e dëgjuesesh. Një ndër to ishte edhe konferenca e Rrjetit botëror të grave WIN, në Gjenevë ku u bë edhe promovimi i librit tim Gjysmëbota në anglisht HalfWorld I cili u vlerësua shumë dhe u bë pikënisja e nominimit për këtë çmim, pas plotësimit të formularëve mbi veprimtarinë e jetës sime të 5W-Who, What, Where, When dhe Why, pra Kush isha, Çfarë kisha bërë, Ku ishte përqëndruar veprimtaria ime, Kur e kisha filluar veprimtarinë me gratë dhe Pse. Prej tyre isha përzgjedhur. Nominimin ma dha znj. Donna Messer, themeluese e Rrjetit Ndërkombëtar " Connect Us Communications Canada" me qendër në Tironto.

Vomen of the Vorld 2007 më kujtoi momentet kur për herë të parë flisja nëpër konferenca ndërkombetare mbi veprimtarinë e grave shqiptare dhe me vinte shume keq, që atëhere kishte gra që nuk e njihnin Shqipërinë, as si shprehje gjeografike dhe unë mundohesha tua bëja të njohur nëpërmjet nobelistes Nënë Tereza, si simboli i përkushtimit femeror për paqen në botë. Më vonë si Ambasadore e Paqes, zgjedhur nga Federata për Paqe Universale, më pëlqente shumë motivi i bashkëpunimit pa njohur dallime kombësish e kufijsh, e dëshiroja shumë që të isha pjesë e përbashkët e atyre grave të suksesshme nga vende të ndryshme të botes dhe mendoj se ia kam arrijtur. Kam bërë të mundur që edhe një grua shqiptare të jetë përkrah tyre, duke dashur që të rris sado pak edhe prestigjin e grave shqiptare në botë. Mu kujtuan gjithë përpjekjet, lidhjet, kontaktet dhe intervistat me gratë e ndryshme dhe them se në një farë mënyre dedikimin e morën ato shumë natyrshëm, nëpërmjet lidhjeve të brendshme shpirtërore nga unë. Mu kujtua nëna ime e ndjerë, me të cilën na kanë bashkuar dhe ndarë sa mendimet për emancipimin e gruas dhe vendin e saj në shoqëri, po aq edhe këmbëngulja për të arritur rezultatet më të larta në çka kemi në duar dhe çduhet të bëjmë. Them se do të ishte krenare me këtë vlerësim që mu bë dhe do kisha dëshirë ta kisha pranë, që të ndihesha jo vetëm grua, por dhe vajzë që perkëdhelet nga nëna, kur bën diçka të mirë...
Si ndjeheni, kur dëgjoni, për dhunimin e grave, shfrytëzimin e tyre si prostituta, apo një lajm tragjik se burri vrau gruan apo gruaja vrau burrin? Si mund të ndihmojë shoqëria civile apo politika për reduktimin e këtij fenomeni të dhimbshëm?
-Filozofi Xhon Stuard Mill (1806-1873) ka thënë: Duket se gruas i erdhi koha
por çmund të thoshte ai sikur të jetonte sot, kur duket se ne ende themi gruas i ka ardhur koha?
Ne jemi ende shumë mbrapa përfshirjes së tyre në jetën sociale. Fuqizimi i grave nuk është vetëm një objektiv. Është një kusht për ndërtimin e një jete më të mirë për gjithkënd e veçanërisht për Shqipërinë, që synon hyrjen në familjen evropiane. Askush nuk mund të kundërshtojë vërtetësinë e faktit se barazia gjinore dhe të drejtat e njeriut janë elementë thelbësorë për përparimin e zhvillimit, paqes dhe sigurisë. Ne jemi tepër larg nga shndërrimi i kësaj bindjeje në një praktikë pune, sepse gratë vazhdojnë të mbeten të nën-përfaqësuara në pozicione vendimmarrëse. Puna e grave vazhdon të nënvlerësohet, të paguhet më pak. Dhuna ndaj grave dhe vajzave shkakton një humbje shkatërruese në jetën e grave, familjet e tyre, dhe mbi shoqërinë, me të cilat duhet të punojmë. Shoqëria shqiptarë në ditet tona po kalon situata dhe po përjeton dukuri që bartin probleme të natyrave të ndryshme, me ngarkesa dhe pasoja negative, për sot dhe për nesër. Dëgjohen për vrasje, kontrabandë, përdhunime, grabitje, për imoralitete
Pse ndodhin gjithë këto dukuri negative?! Mos vallë ne shqiptarët abuzojmë me demokracinë?! Plot i luzione, vizione, koncepte barazie dhe demokracie, ne vrapojmë në realitetin e çmëndur shqiptar. Luftojmë të ngrejmë diçka dhe i a kemi arrijtur. Nuk e dimë sa do ti rezistojë kjo që ne po ndërtojmë, kohës së egër të pseudo-demokracise. Gjithsesi ne shpresojmë dhe jemi gati të pranojmë sfidat e realitetit të egër shqiptar.

Ndaj gruaja, duhet të jenë bërthama e parë e rëndësishme e injektimit me virtyte, tek familja me pjesëtarët e saj, duke kordinuar punën e përbashkët për fuqizimin e familjes dhe indirekt te gjithë shoqërisë. Perparimi e emancipimi i një kombi nuk arrihet pa potencialin dhe energjitë e pjesës më njerëzore, të grave dhe vajzave, që përbëjnë mbi 50% të popullsisë, Ndaj ky potencial duhet të nxitet, të motivohet dhe te ndihmohet, për të dhënë një kontribut real dhe të vlefshëm në të gjitha fushat e jetës, veçanërisht në reformat e ndërrmara për të realizuar standartet e domosdoshme për antarësimin e Shqipërisë në BE.
-Kanë thënë për Kozeta Zavalanin......
-Po përmend disa prej atyre që kanë vlerësuar punën time në promovimet e librave te mi, si p.sh -Një rrjedhë e tërë jete, që vetëm pena dhe vëmendja e Kozeta Zavalanit ka ditur se si ti zhbirojë e ti qëmtojë me kujdes. Shtëpia botuese DITA ka dhënë kontributin e saj në botimin e këtij libri. DIANA ÇULI
Libri i Kozeta Zavalanit është një libër me vlera njerëzore, sepse përfaqëson gruan e sotme moderne të epokës demokratike, që është në kërkim të identitetit të saj, përballë sfidave shumë të ashpra që ka koha sot. Spikerja dhe gazetarja e talentuar ka dhënë një pasqyrim të jetës së grave, që përbëjnë ekuilibrin e shoqërisë shqiptare, që zbut egërsinë dhe urrejtjen, lind jetën.-Xhevahir Spahiu
Unë do ta falenderoja Kozetën, për punën me përkushtim të saj, që ka ngritur në art jetën, sakrificat e grave të spikatura në fusha të ndryshme të jetës, veçantitë e tyre, që unë jam munduar ti pasqyroj edhe në rolet e mia. Dhe ashtu të bukura siç janë paraqitur në kopertinën e librit, ato janë të bukura edhe në jetë, sepse kanë të bukur shpirtin e tyre, botën e tyre shpirtërore, që kanë bërë mrekullira me punën e tyre, sepse ajo ka zemrën e madhe; "det i gjerë, pakufi
" siç shprehet Kozeta Zavalani në poezinë e saj - Zemra e gruas.
Këte poezi unë do ta mbaj gjithmonë në repertorin tim për ta recituar, sepse me të vërtetë është një poezi e shkruar jo vetëm me ndjenjë e dashuri për gruan e nënën, por edhe me art mjeshtëror. Margarita Xhepa
-Të intervistosh, do të thotë të japësh nga vetja. Duke iu dhënë njerëzve nga vetja e saj, Kozeta Zavalani përbën një kualitet natyror specifik, një vlerë më vete, të një spektri shumë të gjerë... Mimoza Ahmeti
A ka ndonjë ngjarje në jetën tënde që ja sheh gjurmët edhe sot?

- Mendoj se çdo njeri është vizitor i përkohëshëm në këtë botë, dhe ikën duke lënë gjurmë në të, por e rëndësishme është që kur të ikë, të lerë gjurmë që të mbetën me vite e shekuj e jo të zhduken me largimin e tij.Ndaj mendoj se secili duhet ti bëjë pyetje vetes, se cilat gjurmë ka lënë në jetë. Unë justifikohem me faktin që kam lënë gjurmët e mia në TVSH, në librat e mi dhe në djemtë e mi. Në jetën time ka kaq shumë njërëz të veçantë për të kujtuar, intervista, vëmendje, kaq shumë dashuri. Unë thjesht nuk mund të përzgjedh pasi çdo moment është një grumbullim i asaj çka ka ndodhur tek unë. Gjithçka që dua të bëj është të ndaj me të tjerat, ato çka unë kam mësuar, kënaqësite, që unë kam qënë kaq me fat për ti marrë nga jeta. Mund të përmend kohën kur kam kryen disa specializime pasuniversitare, kue kam udhëtuar nëpër vende te ndryshme te botës, ku kam pasur rastin të mbaj leksione në konferenca nderkombetare grash, me nivel të lartë lektorësh e dëgjuesesh si në Universitetin e Amstedamit në Holandë, në Institutin ISIDA të Palermos në Itali, në sallen e Unescos ne Paris, në CIPE- Vashington D.S., Nju-Jork apo Los Angeles të SH.B.A., por edhe në Marok, Varshavë, etj.,
Në këto veprimtari të rëndësishme jam njohur me personalitete të mëdha të jetës politike e shoqërore të botës si me zonjën Hillary Clinton, zj.Susane Jalbert, znj. Donna Messer,
themeluese e organizatës " Connect Us Communications Canada" e cila do të më shpallte ndër gratë e vitit 2007.
Cili autor ju inspiron më shumë?
-Në përgjithësi vlerësoj të gjithë shkrimtarët që kanë kontribuar me veprat e tyre, si në kënaqësintë shpirtërore që u kanë falur lexuesve ashtu edhe injektimin me vlera për ecjen përpara të shoqërisë. Nuk e di pse qënkam pak snobiste, sepse vlerësoj më tepër të huajt, të cilëve ndonëse shumë larg Shqipërisë simë u kam vizituar shtëpitë ku kanë jetuar e krijuar si Xhek London në Oklend të Kalifornisë dhe Mark Twain, në Hartford Conecticat, USA. Po kështu edhe nga femrat- në fëmini më ka frymëzuar Harriet Beecher Stove me Kasollja e Xha Tomit- dhe Anna Frank dhe shtëpitë e tyre përkatësisht I kam vizituat në Hartford e Amsterdam. Dua të theksoj se më ka inspiruar gjithmonë Olympe de Gouges, e para që formuloi të drejtat e njeriut dhe ato qytetare. Marie Gouze nuk u kënaq asnjëherë me jetën që i ishte paracaktuar Olympe de Gouges iu pre koka, si idhtare e të drejtave të gruas.Tashmë kjo figurë për mua është shndruar në portretin e znj. Hillari Klinton, së cilësi uroj fitore në zgjedhjet për presidente e SHBA-ve.
Çasti më i vështirë për Kozeten?
-Momenti më i vështirë ka qenë ai kur vëllëzerit që jetojne e punojnë në Greqi, më njoftuan se mamaja ishte renduar shumë, pas kemioterapisë dhe ndoshta nuk do ta përballonte me luften për jetë a vdekje.Unë pas shumë peripecish mbërrita në Iralkio të Kretës me mendimin se prania ime do ti zgjaste jetën, por mamaja ime e shtrenjtë, gjysmë ore para ishte ndarë nga frymëmarrja e fundit, me vështrimin nga dera, duke më pritur. Nuk munda dot ti beja asnjë shërbim, të dëgjoja këshillat e saj të embla, ti njomja buzët apo ti mbyllja sytë. Ai moment i vështirë me rrëndon gjithmonë në shpirt, duke më sjellë trishtim.
Jeni anëtare e fondacionit "Nermin Falaski Vlora", ç'mund të na thoni, diçka për kontributin e këtij fondacioni?
-Ndër veprimtaritë kryesore të Fondacionit janë kuvendet mbarëkombëtarë të gruas intelektuale. Kuvendi i parë është mbajtur në Vlorë, drejtuar nga gazetarja Zenepe Luka, i dyti në Prishtinë, i treti në Shkup, i katërti në trevën arbëreshe San Giorgo Albanese, i pesti në Ulqin dhe i gjashti në Stamboll. Ne to janë zhvilluar debate rreth temës-gruaja intelektuale shqiptare, model i bashkëjetesës mes etnive-etj.Në vazhdimësi janë botuar monografi të ndryshme si ai për Nermin Vlora Falaskin, varrosur në Kaninë të Vlorës, Kryezonja e skenës, Violeta Manushi, etj.
-Keni vizituar vende me një demokraci të mirëfilltë. Çfarë do dëshironit të kishte Shqipëria jonë nga këto vende?
-Shumë gjëra do të doja të ishin ndryshe tek ne, që nga infrastruktura e deri tek vlerësimi i gjendje së gruas. Duke parë diferencat e theksuara të shtresës së grave, me gjithë programet revolucionare-të emancipimit të saj. Ky makth shoqëror, kjo kontradiktë, kur gruaja dashurohet si vajzë, admirohet si nënë e përbuzet si femër, kanë qenë shqetësimet e mia kryesore. Madje vazhdojnë ende keqardhjet për ato vajza të emancipuara që shpesh janë mbytur nga mediokriteti, xhelozia e idetë kanunore të burrave shqiptarë, që dashurinë ndaj gravë e rrethojnë më tela më gjemba.Nga përvoja e vendeve perëndimore do të theksoja se do dëshiroja shumë ti ngjanim Norvegjisë, megjithëse jemi shumë larg saj, sepse në Norvegji barazia është e caktuar me ligj, diskriminimi në bazë seksi është i ndaluar. Kur shteti dhe komuna shpallin njoftim për vende të lira pune, duhet të shkruajne në lajmërim që preferohen grate.Rreth ¾ e grave norvegjeze janë në punë. Në majë të politikës ka shumë gra të dëgjuara norvegjeze, prej së cilave duhet të mësojmë.
Cilën ëndërr nuk keni realizuar?
- Si natyrë ëndërrimtare them që gjithë jeta është një ëndërr... Jeta është si rrjedha e një lumi, me të përpjeta e të tatëpjeta.Nuk mund të them se nuk kam pasur dështime. Në jetë gjithkush i ka ato. Por vazhdimisht unë kam realizuar çdo qëllim që i kam vënë vetes, me këmbengulje e passion dhe me mbështetjen e ndihmën e bashkëshortit dhe të fëmijve. Në vazhdim dua të përmend se-Njerëzimit i kontribuan ata të cilët në fillim u konsideruan ëndërrues. Përkundër të gjitha ironive, përkundër çdo ndjekjeje dhe nënçmimi, ata vazhduan angazhimin e tyre. Dhe në rastet kur nuk e arritën qëllimin, ata megjithatë ecën dhe e sollën botën përpara." [J. G. Herder]
Cilat janë marrdhëniet me dy djemtë e tu/sa ju mbështet bashkëshorti dhe ata në aktivitetin Tuaj gjithpërfshirës?
-Jam një nënë e lumtur, ndonëse e vështirë vetëm me meshkuj. Mundohem ti trajtoj si shokë. Dua të theksoj se lumturia ime bazohet në sinqeritet dhe ndihmë.Këtë kërkoj edhe prej bashkeshortit Gjergj, i cili si mjek me ka dhene mbeshtetjen humane dhe prej bijve të mi; Mendi, student i Arkitektures e Mikeli, gjimnazist i dalluar i Qemal Stafes, të cilëve njëkohesisht u kërkoj të falur, që shpesh nuk u ndodhem pranë.
Jeta nuk është e lehtë dhe njerzit nuk janë të lehtë për njëri tjetrin. Në jetë ka edhe kompromise edhe sakrifica. Jeta është një zgjedhje, është zgjedhja ime dhe unë u qëndroj besnike vendimeve që kam marrë në jetë si një botuese, aktiviste për të drejtat e gruas, një grua e nenë shembullore dhe një bashkëshorte e mire. Të gjitha këto cilësi të marra së bashku, eshte vështirë të arrihen. Jeta shoqërore e politike mund të të detyrojë të lësh pas dore jetën familjare, ose e kundërta. Mundohem të mbaj drejtpeshim në këtë qerthull të vështirë të jetës sonë ku endet lodhja, mentaliteti, vështirësitë ekonomike, etj.. .
Suksesi është mjaft i rëndësishëm për mua, por unë nuk e dua suksesin në kurriz të shëndetit tim. Të qënit e shëndoshë, gjenëron energjinë dhe entusiazmin për punë. Pa shendet nuk ka punë, unë nuk mund ta imagjinoj të kundërtën. Ka mjaft njërëz, që kanë suksese të jashtëzakonëshme në biznes, por jeta e tyre e shtëpisë është rrëmujë. Ne të gjithë e dijmë sa divorce ka kudo në botë. Unë nuk e dëshiroj suksesin në kurriz të jetës sime vetjake. Burri im, është jashtëzakonisht i rëndësishëm për mua dhe unë nuk mund ta sakrifikoj atë, për hir të të bërit biznes.
Keni shumë miq e mikesha, shqiptarë e të huaj. Cili është sekreti i këtyre lidhjeve të qëndrueshme?
- Një nga liritë më të çmuara, që fitohen me vështirësi, është liria për të folur dhe shprehur publikisht opinionet. Fjala sot më tepër se kurrë eshte çelësi i suksesit. Lidhjet e miqësitë e mia janë të qendrushme, ndoshta nga që gjithmonë kam parasysh një ndër thëniet e çmuara të Nënë Teresës, kur thotë-Kurrë mos lejo që ta takosh dikë, i cili pas takimit me ty nuk është më i lumtur.
Jeni anetare e Forumit Pan Albanian Vomen Netvork. Si ndjeheni në këtë forum dhe ç'mendim keni për fëmren intelektuale, krijuese shqiptare. Ndonjë sugjerim për organizimin e këtij forumi?
-Dua të falenderoj Merita Bajraktari-McCormack për krijimin e Forumit PAWN dhe Aida Boden, që më antarësoi në të. Forumi është si një strehë e ngrohtë ku secila nga ne jo vetëm gjen një vend për tu çlodhur e mësuar, por edhe merr informacione për gjithçka ndodh në atdhe, rajon e botë. Ne kemi shumë nevojë të mësojmë nga njëra tjetra.
Gjyshja ime kishte një thënie të saj të parapëlqyer prej meje:Duart e zëna me punë, janë duar të lumtura Duke qënë gjithmonë duar zënë me punë, jam ndjerë mjaft mire, ndaj ju them mikeshave të mia-gjithmonë duart mbajini të zëna me punë, duke shkruar e komunikuar me njera tjetrën.
Jetoni në Tiranë ..Ç'ju lidh me Korçën?
-Korça është vendlindja ime, djepi që më rriti e më edukoi me vlerat e qytetarisë. Për ilustrim të kësaj pyetje po vazhdoj me vargjet e poezisë -Luledelet e vendlindjes
Luledelet më mungojnë
E dini!?
Brodha shumë, e pagjumë
Në parajsën e Perëndimit magjik
Në Europë dhe Amerikë
Të gjeja një gjerdan perlash
Për të më veshur me lavdi
Por çkërkova unë kaq larg
Kur zemra ime e mjerë
Gjeti vetëm mërzi?!
Luledelet më mungojnë
E di!
Harlisur kodrave të Moravës
Luledelet- çelësi
Për të hapur zemrën e kyçur
Tek kraharori im.
Luledelet e vendlindjes, erëmirë
Më mungojnë
Pranverë, mos vdis!
Me luledelet e vendlindjes
Gjithë botën ta stolis!...
Ju ishit pjesëmarrëse në Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Në Prishtinë. Si u ndje Kozeta në atë ditë?
-Fjalët e mia janë shumë pak për të treguar gëzimin e madh të shumëpritur, që vjen nga thellësia e viteve dhe e zemrës sime.Një ëndër e bukur që i ka udhëhequr vazhdimisht shqiptarët, që i kanë dhënë shumë botës dhe ajo na ka shumë borxhe ne dhe ky është një borxh i vogël, që po u japin shqiptarëve. Isha shumë e lumtur që këtë gëzim e mora në Prishtinë, mes shqiptarëve të një gjuhe, të një gjaku e të një bese. Kemi derdhur shumë gjak për këtë ditë dhe shumë trimëri e lotë për tokën martire të Kosovës. Ndonëse ishte një mot i ftohtë, dielli i lirisë e pavarësisë që shpërtheu në zemrat e gjithë shqiptarëve, do të shkrijnë njëherë e përgjithmonë dimrin e gjatë. ëndrra e 1912-tës u realizua më 2008. Ky eveniment është pika kulminante e realizimit të ëndrrës së popullit shqiptar dhe të nënave e gruas shqiptare, që në parlamentin kosovar përfaqësohet me 36 gra intelektuale, që do ti japin zhvillim Kosovës, prej të cilave duhet të marrim shëmbull edhe ne në Shqipëri.

Diçka që doni të shtoni... Për krijimet Tuaja në të ardhmen?
- Në se unë nuk kënaqem nga puna ime, atëherë nuk kënaqem nga jeta. Puna që nuk më sjell kënaqësi është e pa perceptueshme për mua. Si e lindur më 8 mars, nuk do të rresht së shkruari për gratë, sepse them që mamaja ka pasur një qëllim, kur më lindi në ditën Ndërkombëtare të grave, ndaj do përfundoj edhe volumin e II-të të Gysmëbotës. Krahas me të kam në përfundim një përmbledhje poetike dhe romanin ANKTH.
Unë duhet ta ndjej se jam duke kontribuar, duke bërë një ndryshim të vogël në botë dhe në jetët e njërëzve.E dij që do të jem duke punuar përgjithmonë. Ndaj unë them:
Mundesh Zot të më japësh kurajon të ndryshoj çfarë unë mund të ndryshoj, qetësinë për të pritur çfarë unë nuk mund të ndryshoj dhe zgjuarësinë, për të njohur-ndryshimet.
Si një ndër 26 gratë e shquara në botë, si një publiçiste, prozatore e poete, cili është mesazhi i Juaj, jo vetëm për femren intelektuale e krijuese në Diasporë, por në përgjithësi, e kudo?
-Unë do të theksoja se është bukur të jesh grua
; suksesi, mirësia, ëmbëlsia, qëndrushmëria, shpirti amtar, shumëanshmëria, por edhe buzëqeshja, vështrimi, mënyra e të ecurit, toni i zërit, etj, janë veti të botës femërore. Të thuash cili është sekreti i feminitetit, kjo praktikisht është e pamundur. Por nga ky mister, mund të përpiqesh të njohësh të paktën disa elemente, për të individualizuar dhe vlerësuar pasurinë potenciale, që zotëron një ministre, deputete, afariste, artiste
pasurinë potenciale që zotërojnë të gjitha gratë, që bashkëbiseduan me mua. Dhe në mbyllje si Ambasadore e Paqes doja të theksoja për të gjithë moton e Federatës për Paqe Universale- Të jetosh për hir të të tjerëve dhe thënien e Martin Luter Kingut-Errrësira nuk mund ta dëbojë errësirën; vetëm drita mund ta bëjë këtë. Urrejtja nuk mund ta dëbojë urrejtjen; vetëm dashuria mund ta bëjë këtë.Ndaj në themel të çdo pune në jetë vendosni dashurinë dhe gjithçka do të zgjidhet mirë.
Ju zotëroni disa gjuhë të huaja, sa kanë ndikuar këto në krijimtarinë dhe jetën Tuaj?
-Mendoj se prirja për gjuhët e huaja është në genet e mia, ndoshta nga stërgjyshi im, të cilin nuk e kam njohur, por babai im krenohej me të, duke thënë se ai njihte nëntë gjuhë të huaja. Se cilat ishin këto gjuhë, nuk e di, por di që edhe mbiemrin e vajzërisë Qirjo, që greqisht do të thotë Zotëri, e kam prej tij, madje si zotëri i vërtetë ai është vrarë, sepse nuk ju bind të huajve për të përkthyer jashtë dëshirës...Gjuha, si çelësi që hap portën kryesore në komunikimin njerëzor, të ndihmon në njohjen e jetës e kulturës, diversitetit e ngjajshmërisë së kombeve. Por për mua 24 orë në ditë janë shumë pak për të mësuar e studiuar. Po të kisha më tepër kohë, me siguri do tia kisha kaluar stërgjyshit. Do të doja të njihja të paktën 21 gjuhë, aq sa shtetet që kam vizituar deri tani, kështu do të kisha mundësi të komunikoja edhe me njerzit e thjeshtë, për të njohur edhe të fshehtat e jetës njerëzore së kombeve të ndryshme të botës. Sa më shumë gjuhë të njohësh, aq më shumë dritare ke për të parë botën. Vërtet më pëlqen që brezi i ri ka dëshirë dhe po mëson gjuhë të huaja.Por kjo nuk do të thotë që fjalë të huaja, të zëvëndësojnë gjuhën shqipe, sepse fatkeqsisht këtë e ndeshim edhe në gjuhën mediatike, duke cenuar pastërtinë e gjuhës sonë të bukur, amtare, gjë që fatmirësisht nuk ka ndodhur me mua.
Ju faleminderit shumë e Suksese!
Intervistoi :Raimonda Moisiu.
Moderatore e Forumit Pan Albanian Women Netvork