Synimi kryesor është bashkimi dhe koordinimi i burimeve të ndryshme financiare të kredive dhe granteve në një pikë të vetme hyrjeje për projektet që do të nënshtrojnë vendet përfituese si dhe për seleksionimin e tyre nga financuesit.
Bashkimi Evropian dhe Institucionet ndërkombëtare financiare hodhën bazat e krijimit të një mekanizmi të ri financiar për kredi dhe grante në ndihmë të rritjes ekonomike të Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës, Kroacisë, Malit të Zi, Bosnjes dhe Serbisë në kuadër të procesit të anëtarësimit të këtyre vendeve në BE.
Komisioni Evropian, Banka Evropiane e Investimeve, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës me miratimin e shteteve anëtare të BE-së, ranë dakort për krijimin e Kuadrit Investues për Ballkanin Perëndimor (WBIF) i cili do të ofrojë një strukturë të përbashkët grantesh dhe një strukturë të përbashkët kredie për të financuar projektet më prioritare në rajon.
Synimi kryesor është bashkimi dhe koordinimi i burimeve të ndryshme financiare të kredive dhe granteve në një pikë të vetme hyrjeje për projektet që do të nënshtrojnë vendet përfituese si dhe për seleksionimin e tyre nga financuesit.
Fokusi kryesor do të jetë për sektorin e infrastrukturës, përfshirë infrastrukturën sociale, mbështetjen për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, sektorin e energjisë si dhe sektorë të tjerë. Për përfitimin e kredive dhe granteve duhet që vendet të përgatisis projekte serioze si dhe t'i zbatojnë ato me përpikmëri.
Komisioni Evropian ka ofruar deri më tani rreth 110 milion euro në formë grantesh për të mbështetur financimin në infrastrukturë lokale dhe në projekte të tjera të ndihmës teknike, tre institucionet financiare të mësipërme nga 10 milion euro secila për projekte të të njëjtit lloj, ndërsa vendet anëtare janë të ftuara të japin kontributet e tyre në grante nëpërmjet Fondit të Përbashkët Evropian për Ballkanin Perëndimor, i cili do të menaxhohet njëkohësisht nga Banka Evropiane për Investim (EIB) dhe nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD).
Në formë kredish, EIB dhe EBRD janë angazhuar të ofrojnë deri në 1 miliard euro ndërsa Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës angazhohet të rrisë kreditë e saj ndaj rajonit për projektet në fusha sociale.
Sipas një komunikate për shtyp të lëshuar nga Komisioni Evropian, Marrëveshja për Kuadrin Investues për Ballkanin Perëndimor pritet të nënshkruhet në javët e ardhshme.
Ernest Bunguri