Policia e Kosovës ka identifikuar katër persona të dyshuar për përfshirje në trafikim me qenie njerëzore, në lidhje me rastin e kalimit ilegal të kufirit Serbi-Hungari të një grupi prej rreth 19 personash nga Kosova.
Nga
Jeton Musliu
Autoritetet e sigurisë në Kosovë kanë identifikuar katër persona të dyshuar për trafikim me qenie njerëzore, lidhur me kalimin ilegal të një grupi kosovarësh nga Serbia për në Hungari.
Policia e Kosovës ka identifikuar katër persona të dyshuar për përfshirje në trafikim me qenie njerëzore, në lidhje me rastin e kalimit ilegal të kufirit Serbi-Hungari të një grupi prej rreth 19 personash nga Kosova.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, pa përmendur emra konkret, thotë se Policia e Kosovës ka arritur ti gjejë katër personat, të cilët dyshohet të kenë qenë pjesëmarrës në organizimin e kalimit të kufirit përmes lumit Tisa në Hungari.
Lidhur me ngjarjen tragjike, e cila ka ndodhur në lumin Tisa të Hungarisë, Policia e Kosovës falë bashkëpunimit të ngushtë me autoritetet policore hungareze dhe falë bashkëpunimit të mirë me qytetarët e Kosovës, si dhe zhvillimit të hetimeve intensive, ka arritur që të bëjë identifikimin e katër personave të dyshuar për trafikim me qenie njerëzore. Mund të themi se te dyshuarit janë shtetas të Republikës së Kosovës, deklaron Kelani.
I pyetur se cilave rajone të Kosovës u përkasin të dyshuarit, Kelani shprehet:
Katër të dyshuarit i përkasin katër rajoneve të ndryshme të Republikës së Kosovës dhe janë shtetas të Kosovës.
Ditë më parë u bë e ditur se edhe autoritetet e misionit evropian për forcimin e sundimit të ligjit, EULEX, do të kryesojnë hetimet për rastin Tisa.
Pra, një prokuror i EULEX-it dhe dy policë hetues kosovarë do të udhëtojnë për në Hungari, për të hetuar rastin e mbytjes së, të paktën, tre shtetasve kosovarë në lumin Tisa. /rel/
"Tragjedia e Tisës", s`ka të arrestuar
Policia hungareze përgënjeshtron informacionet se janë arrestuar 20 persona si të dyshuar për trafikim, në rastin e tragjedisë së Tisas në kufirin serbo-hungarez.
Jo, një informacion të tillë nuk mund ta konfirmoj. Ky duhet të jetë një gabim apo një keqkuptim. Ne nuk kemi arrestuar ende persona në lidhje me këtë çështje, thotë Szabolcs Szenti, zëdhënës i Policisë së Hungarisë.
Në bisedën e para pak çasteve me Express, Szenti shpjegon se gjithashtu kërkimet në anën hungareze për persona që dyshohet se mund të jenë mbytur, kanë përfunduar të shtunën në mbrëmje.
Ne kemi mbaruar kërkimet në anën tonë. Nuk besojmë më se ka persona të mbytur në atë vijë prej dy kilometrash sa është në territorin tonë, shpjegon ky zyrtar i policisë.
I pyetur nëse i mbijetuari i këtij rasti, Blerim Rama ka mundësi të arrestohet apo akuzohet, ai përjashtoi mundësinë që i njëjti të arrestohet për trafikim ilegal.
Ai ka kërkuar strehim në Hungari. Ky person mund të akuzohet për rrezikim të jetës së dy fëmijëve ku si pasojë e këtij rreziku ka humbur jetën edhe gruaja e tij. Por ai nuk do të akuzohet për trafikim, shpjegoi toger Szenti për Express.
Ai shpjegoi se hetimet në lidhje me këtë rast, megjithatë janë duke vazhduar në bashkëpunim edhe me Policinë e Serbisë dhe atë të Kosovës.
Lidhur me spekulimet se personat dyshohet se janë hedhur në lumë nga trafikantët në momentin kur ata kanë kuptuar se janë diktuar nga policia, zyrtari i policisë hungareze tha se një informacion të tillë nuk mund ta konfirmojë.
Gjithashtu nuk mund të them se asgjë rreth identitetit të viktimës së dy femër të gjetur nga policia serbe sepse kjo do të ishte thyerje e ligjit dhe vepër penale, deklaroi Szabolcs Szenti, zëdhënës i Policisë së Hungarisë.
Mbi 20 të arrestuar për tragjedinë në lumin Tisa
Mbi 20 persona janë arrestuar në Hungari, Serbi dhe në Kosovë, të dyshuar për mbytjen e 18 shqiptarëve të Kosovës në lumin Tisa. ...
Zëdhënësi i policisë hungareze, Jano Pal, ka deklaruar se Zyra e Interpolit në Budimpeshtë, Gjyqi komunal në Kanjizhë dhe Misioni i EULEX-it në Kosovë, kanë nisur hetimet kundër të arrestuarëve, ngase dyshohën për përfshirje në trafikimin e njerzëve.
Sipas RTK-së e cila i referohet mediave hungareze, policia në Hungari ka arrestuar 15 trafikantë me qenie njerëzore, ajo e Serbisë 5, ndërsa me urdhër të Eulex-it janë arrestuar edhe 11 organizatorë të trafikimit me qenie njerëzore në Kosovë, 7 prej të cilëve nga Podujeva dhe 4 nga Prishtina. Për zbulimin e grupit të trafikantëve ka ndihmuar, Agron Rama, i mbijetuari i tragjedisë, i arrestuar më 15 tetor në Hungari.
Kush i dërgoi në lum?
S. H. nga Podujeva, është personi të cilin Policia e Kosovës, të enjten, ka shkuar dhe e ka kërkuar, në lidhje me përgjegjësinë e tij të mundshme për Tragjedinë e Tisas.
Vizita e policisë në shtëpinë e këtij personi është bërë menjëherë pasi Vesel Jahaj, babai i Elvira Jahajt, gruas që dyshohet se ka vdekur në këtë tragjedi, në kufirin serbo-hungarez, e ka denoncuar atë për trafikim ilegal me njerëz.
Por meqë S. H. atë ditë nuk ka qenë në shtëpi, pesë policët, i kanë lënë atij porosinë që tu lajmërohet menjëherë organeve të rendit në Podujevë.
Megjithëkëtë, burime të sigurta të Expressit nga policia në Prishtinë sqarojnë se ky person, edhe pse kanë kaluar tre ditë nga momenti kur i është lënë thirrja për tu paraqitur në stacion, ende nuk është lajmëruar.
Ai ende nuk është lajmëruar në polici, thotë ky zyrtar për Express, pa qenë në gjendje të sqarojë se çfarë procedurash do të ndiqen më tej në lidhje me këtë person.
Vizitën e policisë në shtëpinë e tyre, e pohon për Express edhe gruaja e të kërkuarit, SH. H., e cila megjithatë, e kundërshton mundësinë që burri i saj të ketë lidhje me këtë tragjedi. Kam tridhjetë vjet e martuar me S., e njoh mirë. Ai nuk ka lidhje me këtë për çka ju po thoni, thotë bashkëshortja e tij për Express.
Pavarësisht kësaj, ajo nuk shpjegon se ku mund të gjendet burri i saj, duke thënë se atë e gjeni gjithë ditën në rrugën Podujevë-Prishtinë.
Vesel Jahaj, është babai i Elvira Jahës, trupin e pajetë të së cilës policia hungareze e ka gjetur në bregun e lumit Tisa, dhe sipas tyre, e njëjta është identifikuar nga burri i saj Blerim Rama.
Unë e kam përfunduar punën me policinë. Atyre u kam treguar krejt çfarë di. Edhe për personin që ka organizuar këtë udhëtim, thotë shkurt Veseli për Express.
Ai dhe familja e tij janë më shumë të shqetësuar, ngase nuk e dinë se si të veprojnë në këtë rast, të udhëtojnë privatisht drejt Suboticës apo të presin ndonjë udhëzim nga shteti.
Deri të shtunën pasdite, atyre nuk ka shkuar askush nga organet përkatëse që tu japë ndonjë shpjegim.
Por përmasat e Tragjedisë së Tisës, e cila ende zyrtarisht nuk vërtetohet si e tillë, pritet të jenë më të mëdha se sa që janë menduar deri më tash.
Në varkën e përmbysur në natën e 15 tetorit të këtij viti, në lumin që ndan Serbinë dhe Hungarinë, dyshohet se kanë qenë gjithsej 19 persona.
Kështu së paku u ka deklaruar të afërmeve të tij, Blerim Rama, i cili së bashku me dy fëmijët e tij 1 dhe 3 vjeç, deri më tash janë të vetmit të mbijetuar.
Sipas Blerimit, në varkën e përmbysur ka pasur fëmijë, burra dhe gra të komunave Mitrovicë, Vushtrri dhe Podujevë, në përpjekje për të shkuar në shtete të ndryshme të perëndimit.
Deri të shtunën pasdite, Policia e Kosovës, në lidhje me këtë tragjedi, së paku zyrtarisht, nuk ka arrestuar askënd dhe nuk ka lëshuar asnjë fletarrest.
Por sipas tyre, një prokuror i EULEX-it dhe dy policë hetues kosovarë do të udhëtojnë drejt Hungarisë, për të hetuar rastin e mbytjes së shtetasve kosovarë në lumin Tisa.
Fillimisht parashihet që të nisen dy zyrtarë policorë hetues nga shtylla e hetimeve të Policisë së Kosovës dhe një prokuror i rastit. Udhëtimi i tyre pritet të bëhet shumë shpejt, ka thënë Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës.
Ai ka sqaruar se policia po zhvillon hetimin e rastit edhe brenda Kosovës, në përpjekje të kapjes së personave të dyshuar për këtë rast.
Në çështjen e cilësuar si dyshim për trafikim me qenie njerëzore, tashmë është përfshirë edhe EULEX-i.
Prokurori i EULEX-it është zgjedhur të udhëheqë rastin. Ne ende nuk e dimë se kur do të udhëtojë ky prokuror për në Serbi, apo Hungari, është shprehur Nocholas Hoten, një nga zyrtarët e këtij misioni.
Ndërkohë, Policia e Hungarisë nga ana e saj ka vazhduar kërkimet për gjetjen e ndonjë trupi të pajetë edhe gjatë ditës së shtunë.
Szaeolcs Szendi, zëdhënës i policisë së këtij shteti sqaron se kërkimet janë intensifikuar me ardhjen e një njësie të veçantë nga kryeqyteti i hungarez, Budapest.
Gjatë ditës së shtunë nuk kemi gjetur ndonjë trup tjetër të pajetë. Kërkimet ende do të vazhdojnë. Gjatë ditës së shtunë janë angazhuar 5 anije, policë me 4 qenë, si dhe zhytës të tjerë, thotë zyrtari i policisë hungareze për Express.
Përveç dy kufomave të identifikuara, një mashkulli të gjetur në territorin hungarez dhe një femre të gjetur në territorin serb, zëdhënësi i policisë së Hungarisë tha se është bërë identifikimi edhe i femrës së dytë të gjetur në bregun lumit në pjesën serbe.
Nuk mund ët them emrin e saj ngase nuk e di, pasi ajo është gjetur ne territorin e një shteti tjetër, thotë Szaeolcs Szendi. /express/