E shtunė, 11.02.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

-Maqedonia, krahas Shqipërisë ka qenë mbështetja më e madhe për Kosovën, si gjatë zhvillimit të luftës në 1999, por edhe më pas. Hapi më i ri, që u bë në drejtim të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, jo vetëm e ka konfirmuar këtë, por ka shënuar një konsolidim të mëtejshëm në marrëdhëniet tradicionale mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës.
Maqedonia, krahas Shqipėrisė ka qenė mbėshtetja mė e madhe pėr Kosovėn








Intervistë me Ambasadorin e Shqipërisë në Maqedoni Arben Çejku


Z. Ambasador, si mund t’i përkufizonit marrëdhëniet midis Maqedonisë dhe Shqipërisë?

- Marrëdhëniet midis Maqedonisë dhe Shqipërisë janë dëshmi e bashkëpunimit dhe fqinjësisë shumë të mirë. Dy vendet tona kanë një bilanc pozitiv të bashkëpunimit në të gjitha fushat, si ato politike, ekonomike, social-kulturore, në fushën e sigurisë dhe luftën kundër trafiqeve, në fushën ushtarake dhe të reformave integruese. Për më tepër, dy vendet tona kanë luajtur dhe po luajnë një rol të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë.

Duke lënë anash për një moment bilancin protokollar të vizitave në nivele politike, marrëveshjet e nënshkruara dhe bilancin e shkëmbimeve tregtare e kulturore, mund të theksoj se në themel të këtij bashkëpunimi qëndron vizioni ynë i përbashkët për të ardhmen tonë euro-atlantike. Është ky vizion, janë këto sfida që na bashkojnë çdo ditë, çdo javë, çdo muaj dhe në vijimësi për të ecur përpara si dy vende që me modelin e tyre të bashkëpunimit dhe integrimit, frymëzojnë gjithë rajonin.

Maqedonia dhe Shqipëria, nuk patën të njëjtin model tranzicioni, por ata po plotësojnë standarde të njëjta evropiane për të merituar anëtarësim në NATO dhe BE. Çdo progres i yni në këtë drejtim është pikësëpari në dobi të popujve tanë, në dobi të dy vendeve tona dhe të rajonit në përgjithësi.
Përtej filozofisë së integrimit euro-atlantik, shtrohet pyetja se, a ka vend për të parë më mirë nevojat tona për një bashkëpunim ekomomik më të mirë dypalësh? Sigurisht që po. Edhe në fushën e turizmit, kulturës, arsimit, shkencës etj, kemi vend për përmirësime dhe ato kanë nisur. Një rëndësi domethënëse ka infrastruktura që lidh dy vendet tona.

Në këtë drejtim, mund të përmend ndërtimin e rrjetit të transmetimit të energjisë Elbasan-Shkup, përfundimin e hekurudhës që lidh Shqipërinë me Maqedoninë si dhe ndërtimin e rrugës Tiranë –Dibër (e quajtur Rruga e Arbërit) e cila lidh portin e Durrësit me Shkupin. Rruga e Arbrit do të përfundojë deri në vitin 2012 dhe ajo do të shumëfishojë bashkëpunimin ekonomik e tregtar midis Maqedonisë e Shqipërisë si dhe do të afrojë portet tona me Maqedoninë dhe Bullgarinë jugore.


Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi morën rekomandim për liberalizimin e vizave vitin e ardhshëm. Pse Shqipëria vonohet në këtë proces?

-Ne kemi përshëndetur hapin, që Brukseli ndërmori pak më parë në drejtim të zgjerimit të Shengen-zonës, duke përfshirë në janar të vitit tjetër edhe tri vende të Ballkanit, Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi. Ky ishte një vendim inkurajues për të gjithë Ballkanin Perëndimor, i cili u pasua javën e kaluar nga vendimi i Komisionit të Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Punë të Brendshme, për përfshirjen e Shqipërisë dhe Bonjë-Hercegovinës në listën e bardhë të Shengenit.

Lajm pozitiv ishte edhe vendimi që procesi për liberalizimin e vizave të fillojë edhe për Kosovën.
Shqipëria ka marrëdhënien e saj bilaterale me Brukselin dhe kriteret teknike që duhet të plotësojë. Një nga këto kushte është pajisja me karta dhe pasaporta biometrike. Mund të them se dokumentet e reja të identifikimit që do të kenë shtetasit e Shqipërisë, janë të standardit më të lartë në Evropë.
Ambasada e Shqiperise ne Maqedoni

Njëkohësisht, progres i madh po bëhet edhe në drejtim të menaxhimit dhe kontrollit të kufirit. Përfaqësues të BE-së po monitorojnë dhe inkurajojnë të gjithë hapat që ka ndërmarrë qeveria. Me ritmet e tanishme të plotësimit të standardeve dhe klimës së përgjithshme të marrëdhënieve Shqipëri-BE, jemi optimistë se objektivi i qeverisë sonë për liberalizimin e vizave brenda një viti do të realizohet.

Kriza ekonomike botërore përfshiu edhe Ballkanin. Cilat janë masat që i ndërmerr Republika e Shqipërisë për ballafaqimin me këtë problem global. Një bashkëpunim rajonal do të ndihmonte në këtë drejtim?

-Natyrisht. Bashkëpunimi rajonal, forcimi i tregjeve tona, shtimi i investimeve dhe bilanceve tregtare, janë premisë. Por, mbështetur në natyrën që pati kjo krizë financiare globale, mund të them se efektet ajo i ka shkaktuar sipas specifikave të organizimit të tregut financiar të vendeve që ka prekur. Nga ky pikëvështrim, mund të them se Shqipëria, për vetë natyrën e organizimit të tregut të saj financiar, politikave të menaxhimit dhe zhvillimit ekonomik, nuk u bë viktimë e recesionit botëror.
Kriza financiare e gjeti ekonominë shqiptare në një ekspansion të qëndrueshëm të shoqëruar me rritje ekonomike dhe inflacion të ulët. Qeveria, natyrisht mori disa masa mbrojtëse, duke rritur financimin nga tregjet ndërkombëtare, investimet publike u shtatëfishuan, duke u synuar infrastruktura rrugore, energjia dhe sektorë të tjerë të ekonomisë. Rritja ekonomike, sipas Bankës Botërore në pjesën e parë të vitit 2009 ishte 6.8 për qind dhe po kjo bankë parashikon që Shqipëria deri në vitin 2014 të ruajë rritjen ekonomike në këto kufij. Edhe FMN, në raportin e saj të fundit, duke marrë në analizë efektet e krizës financiare globale, thekson se përkundër kësaj krize, Shqipëria do të jetë ndër vendet e pakta në Evropë që do të vijojë me rritje ekonomike.

Megjithatë, nuk mund ta mohojmë se kur kriza është globale dhe ka prekur shumicën e vendeve evropiane dhe të rajonit, edhe Shqipëria t’i ndjejë efektet e saj. Mirëpo këto efekte, nuk e frenojnë rritjen e qëndrueshme ekonomike të Shqipërisë, e cila po udhëheq rritjen ekonomike në rajon. Vetëm në këto 6-muaj, investimet e huaja janë rritur 59 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjatë këtij viti ne patëm rreth 3 milionë turistë. Për katër vitet në vijim do të investohet për zhvillimin e parqeve industriale dhe energjetike, për ndërtimin e porteve dhe aeroporteve, për infrastrukturën rrugore etj. Shqipëria në 4 vjet bëri 6 mijë kilometra rrugë (përfshi autostrada) dhe tani po vazhdon puna për të ndërtuar përfundimisht rrjetin e brendshëm rrugor të modelit evropian dhe lidhjen e vendit me rrjetin rrugor ndërkombëtar. Për të përmbushur objektivin “Shqipëria-superfuqi e vogël energjetike në rajon”, janë licencuar deri më tani 4000 megavat energji që do të prodhohet nga hidrocentralet, termocentralet etj, që kapin 5 milion euro investime. Hidrocentrali i Devollit, p.sh., do të jetë një nga më të mëdhenjtë në Evropë.
Ambasadori i Shqiperise ne Maqedoni Arben Çejku


Para se të emëroheni ambasador në Maqedoni, keni përfaqësuar Shqipërinë në Republikën e Kosovës. Cili është opinioni i Juaj për përparimin e këtij shteti pas shpalljes së pavarësisë?

-Dy javë më parë ishte në Kosovë Kryeministri Berisha, i cili identifikoi dhe përshëndeti një progres të jashtëzakonshëm që ka bërë shteti më i ri në botë, Republika e Kosovës. Gjatë vizitës së tij të parë atje, ai nënshkroi disa marrëveshje të rëndësishme të bashkëpunimit dypalësh me Kosovën. Kjo tregon se Kosova ka rrugën e vet të pandalshme si një shtet demokratik i Ballkanit Perëndimor, i cili zhvillohet në fqinjësi të mirë me vendet që e rrethojnë dhe ka një të ardhme euro-atlantike.

Personalisht mendoj se vetëqeverisja, integriteti, demokracia e brendshme, njohja ndërkombëtare dhe stabiliteti i brendshëm që prodhoi pavarësia e Kosovës, treguan se jo vetëm që skeptikët nuk kishin të drejtë, por procesi u prolongua pa arsye të mjaftueshme. Nga ana tjetër, pavarësia e Kosovës ndihmoi edhe rajonin tonë, duke mbyllur një kapitull të errët të urrejtjeve dhe luftërave ndëretnike dhe duke hapur një kapitull të ri të integrimit tonë euro-atlantik. Duke qenë dëshmitar i një procesi të gjatë e të vështirë, nëpër të cilin kaloi Kosova, së paku që nga dita kur filluan bisedimet për statusin final e deri sot, mund të them se progresi është shembullor dhe se Kosova e ka merituar pavarësinë e saj. Çdo ditë që kalon, pavarësia e Kosovës vetëm konsolidohet dhe Kosova do të progresojë si një demokraci e re e modelit perëndimor. Në këtë drejtim, mund të vija theksin tek sfida më e re, që janë zgjedhjet për pushtetin lokal. Gjatë viteve që kam shërbyer në Kosovë, partitë politike dhe zgjedhësit, kanë realizuar zgjedhje të standardeve demokratike.

Atëherë ato zhvilloheshin të menaxhuara nga ndërkombëtarët. Unë besoj se edhe në zgjedhjet e 15 nëntorit për pushtetin vendor, Kosova do të demonstrojë pjekuri demokratike, stabilitet dhe progres në implementim të standardeve. Këto janë zgjedhjet e para që organizohen nga institucionet e Kosovës, ndaj dhe rëndësia e tyre është historike. Unë jam i bindur se për këtë janë të ndërgjegjshëm të gjithë faktorët dhe, për të qenë i sinqertë, deri më tani po shoh se fushata po zhvillohet brenda parametrave demokratik.

Ambasadori i Shqiperise ne Maqedoni Arben Çejku

Maqedonia dhe Kosova vendosën marrëdhënie diplomatike. U ratifikua marrëveshja për demarkacionin e kufirit. Vlerësimi i Juaj për këtë sistem të ri të vlerave mes shteteve nga rajoni?

-Maqedonia, krahas Shqipërisë ka qenë mbështetja më e madhe për Kosovën, si gjatë zhvillimit të luftës në 1999, por edhe më pas. Hapi më i ri, që u bë në drejtim të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, jo vetëm e ka konfirmuar këtë, por ka shënuar një konsolidim të mëtejshëm në marrëdhëniet tradicionale mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës. Njohja që Maqedonia dhe Mali i Zi i bënë shtetit të ri të Kosovës vitin e kaluar ishte historike dhe si e tillë forcoi stabilitetin e rajonit.

Demarkacioni dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve është përshëndetur nga të gjithë faktorët në Shqipëri si dhe nga të gjithë miqtë e Kosovës dhe të Maqedonisë. Edhe në harkun kohor të një viti, kur Kosova e Maqedonia nuk kishin marrëdhënie diplomatike, kanë patur një bashkëpunim të mirë, kryesisht në fushën ekonomike. Rikujtoj me këtë rast se, Republika e Maqedonisë ka qenë e përfaqësuar në Kosovë nëpërmjet Zyrës së saj Ndërlidhëse.
Besoj se demokratizimi i mëtejshëm i rajonit, siguria dhe kontrolli i kufijve, lufta e përbashkët kundër rrjeteve kriminale dhe të trafiqeve, rritja e investimeve dhe shkëmbimeve reciproke, lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave si edhe bashkëpunimi për sfidat tona të integrimit, janë hapa të dobishëm për të gjithë.

Cili është statusi i pakicave kombëtare në Shqipëri?

-Më lejoni që në përgjigje të kësaj pyetjeje, të përsëris se Shqipëria nuk është më vetëm modeli më i mirë i harmonisë fetare, por edhe modeli pozitiv i trajtimit të minoriteteve. Diktatura komuniste 50-vjeçare ishte një shtypje dhe persekutim për të gjithë ne, pa dallim etnik apo fetar. Që nga vitet ’90, liritë politike, sociale, ekonomike, kulturore etj, të gjithsecilit, kanë njohur progres. Në këtë drejtim, minoritetet në Shqipëri kanë përfituar nga kjo hapësirë demokratike që është krijuar. Nëse është fjala për minoritetin maqedonas, mund të them se ai tashmë jo vetëm që ka strukturën e vet organizative dhe politike, përmes të cilave adreson kërkesat e veta deri tek institucionet më të larta, por ai shërben edhe si një urë e fortë bashkëpunimi e dialogu midis dy vende tona. Në vijimësi të plotësimit të standardeve që kërkon BE për trajtimin e minoriteteve (ku ne jemi palë nënshkruese e çdo dokumenti) si dhe në vijim të traditës sonë kombëtare, do të mbajmë në vëmendje kërkesat e çdo njërit prej minoriteteve për t’i plotësuar ato sipas parimeve të një vendi demokratik evropian. / Besnik Shuki/

Publikuar: 26.10.2009 | 22:06
Lexuar: 1439 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet
N-BERISHA (25/06/2010 22:24:14) une si banor i kosoves kam deshi qe te kem nenshtetsin e dyte te shqiprise dhe ne qe menir do munem te aplikoj qe te kem shancin e nje shtetsije qe me duhet
se po kam deshir dhe po me duhet
arsye se me duhet se ne disa vende nuk mundem te udhtoj dhe nuk um lejohet me pasosh te republikes se kosove
me respekt nga une N-Berisha
Nr. Tel. 044/631145

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime