E hënë, 17.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Në të vërtetë, falë lojës ekspresive të Adriana Matoshit, ‘Kthimi’ po aq sa kreacion origjinal, është gjithashtu edhe një kreacion i fuqishëm aktorial”, shkruan “Koha Ditore”.
Adriana Matoshi, aktorja më e mirë në festivalin italian

“Gjithsesi filmi ‘Kthimi’ nuk do të ishte ky që është pa praninë aq të ‘padukshme’, të ‘pandjeshme’ dhe aq joimponuese sidomos të aktores Adriana Matoshi.

Në të vërtetë, falë lojës ekspresive të Adriana Matoshit, ‘Kthimi’ po aq sa kreacion origjinal, është gjithashtu edhe një kreacion i fuqishëm aktorial”, shkruan “Koha Ditore”.

Kështu kishte shkruar regjisori Bekim Lumi, në kritikën e tij për filmin “Kthimi”, të cilin e kishte titulluar “Poezia filmike e Blerta Zeqirit”.

Por për jurinë e festivalit italian “FilmLabFestival”, loja e Matoshit nuk ka qenë e “padukshme”. Festivali, i cili sivjet ka zhvilluar edicionin e 27-të, e ka shpërblyer aktoren kosovare Adriana Matoshi, si aktoren më të mirë të festivalit.

Ky është shpërblimi i dytë ndërkombëtar që ka marrë Matoshi për rolin në filmin “Kthimi”. Filmi për autorësinë e të cilit producenti Blerim Gjoci dhe regjisorja Blerta Zeqiri janë në kontest gjyqësor, ka vazhduar serinë e sukseseve në festivalet e ndryshme të filmit.

“Kthimi” deri më tani është shpërblyer me gjashtëmbëdhjetë çmime në festivale që u dedikohen filmave të shkurtër, dhjetë prej të cilave janë ndërkombëtare.

Aktorja Adriana Matoshi ka thënë se 2012-ta ka qenë vit i suksesit për të.

“Uroj që kush punon e mundohet me shpirt të arrijë diçka, një ditë do të shpërblehet”, ka thënë ajo.

Fillimisht Matoshi nuk ka dashur të pranonte rolin që ia solli çmimin, për shkak të disa komplikimeve me shëndetin.

“Por kur pranova, nëpër mend më sillej se ndoshta për mua ky është roli i fundit, ndërsa pjesën tjetër mendoja se si çdo sekondë ta kaloj me familjen time. Me dëshirën më të madhe dhe me energjinë e fundit doja që ta realizoja rolin në mënyrën më të mirë”, ka thënë Matoshi. “Më duket se më shumë se kurrë e kam ndier atë personazh”, ka shtuar ajo.

Regjisorja Blerta Zeqiri ka thënë se Matoshi e ka merituar të shpërblehet për një rol të tillë.

“Mendoj që është një vlerësim shumë i mirë për Adrianën, sepse e ka merituar. Çdo çmim që merr është një konfirmim që ka bërë punë të mrekullueshme”, ka thënë Zeqiri.

Në fillim të këtij muaji filmi me regji të Blerta Zeqirit dhe me producent Blerim Gjocin ka marrë mirënjohje speciale në edicionin e 27-të të “Leeds International Film Festival”, i cili zyrtarisht mbyllet sot (e enjte). “Kthimi” me Lulzim Bucollin e Adriana Matoshin në rolet kryesore ishte shfaqur në këtë festival në kuadër të programit ndërkombëtar për filmat e shkurtër që mban emrin “Louis Le Prince”.

Filmi kishte fituar edhe në festivalin e famshëm “Sundance”. Më vonë “Kthimi” kishte pasur edhe suksese të tjera, të cilat do të zbeheshin nga konflikti që do të lindte mes producentit dhe regjisores për shkak të autorësisë. Kjo kishte pasuar me heqjen e filmit nga gara për çmimet e Akademisë Evropiane të Filmit. (Koha Ditore)

Publikuar: 26.11.2012 | 13:30
Lexuar: 2972 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime