Zëdhënësi i Aleancës James Appathurai deklaroi sot se në aleancë nuk zhvillohet kurrfarë diskutimi rreth kësaj nisme e as që ka ndonjë ndryshim në qëndrimin e NATO-s përsa i përket Marrëveshjes së Kumanovës.
Në NATO nuk ka gatishmëri që të diskutohet për mundësinë e ndryshimit të Marrëveshjes së Kumanovës, kanë konfirmuar zyrtarët e aleancës. Ata thonë se nga mediat janë njoftuar për nismat e zyrtarëve serb, përfshirë këtu kryetarin e Serbisë Boris Tadic dhe shefin e shtatmadhorisë Zdravko Ponosh të cilët kanë paralajmëruar diskutimet me aleancën rreth ndryshimeve të marrëveshjes me të cilën përfunduan bombardimet e vitit 99.
Sido që të jetë, zëdhënësi i Aleancës James Appathurai deklaroi sot se në aleancë nuk zhvillohet kurrfarë diskutimi rreth kësaj nisme e as që ka ndonjë ndryshim në qëndrimin e NATO-s përsa i përket Marrëveshjes së Kumanovës.
Zyrtarët e Aleancës gjithashtu thonë se mundësia e ndryshimit të Marrëveshjes së Kumanovës as që do futet në agjendën e takimit në nivel të ministrave të jashtëm që do fillojë nesër në selinë e NATO-s.
Një diplomat nga vendet anëtare madje konfirmoi se aleatët e NATO-s as që kane gatishmëri që të marrin parasysh nismën për ndryshim të Marrëveshjes së Kumanovës.
Marrëveshja e Kumanovës funksionon shume mirë, andaj nuk ekziston asnjë arsye për ndryshim të diçkaje që funksionon si duhet, u shpreh një diplomat i NATO. /Gjeraqina Tuhina/