Lëvizja qytetare Zgjohu dhe Shoqata e Artistëve Shqiptarë kërkojnë që rregullat e festivalit, ku përzgjidhet kënga për në Evrovizion, të lejojnë edhe interpretime në gjuhën shqipe.
Në Maqedoni, Radio Televizioni Publik shpall konkursin për të përzgjedhur këngën që do të përfaqësojë këtë vend në festivalin Evropian.
Lëvizja qytetare Zgjohu dhe Shoqata e Artistëve Shqiptarë kanë kërkuar që televizioni publik të ndryshojë rregullat dhe të lejojë që në këtë festival të këndohet edhe në gjuhën shqipe.
Nga Televizioni Publik nuk ka reagime
Ndërkohë një kërkesë e njëjtë që u bë edhe vitin e kaluar shkaktoi reagime politike.
Reagojnë shqiptarët
Festivali Evropian i këngës zhvillohet në maj të vitit 2010, por në Maqedoni ai diskutohet që tani.
Lëvizja qytetare Zgjohu dhe Shoqata e Artistëve Shqiptarë kërkojnë që rregullat e festivalit, ku përzgjidhet kënga për në Evrovizion, të lejojnë edhe interpretime në gjuhën shqipe.
Reagimi i tyre u bë në prag të shpalljes së konkursit, që ndryshimet e sugjeruara të rregullave të festivalit të bëhen në kohë.
Agim Poshka këngëtar dhe përfaqësues i Shoqatës së Artistëve Shqiptarë në Maqedoni thotë se këto nuk janë kërkesa ekstravagante, por etike.
"Ne duam që pjesa artistike të mos jetë ekskluzivitet vetëm i këngëtarëve maqedonas, por meqë edhe shqiptarët janë pjesë e Maqedonisë, detyrimisht duhet të krijohet mundësi që edhe ata të marrin pjesë në këtë konkurs duke interpretuar në gjuhën shqipe, thotë Agim Poshka.
Lëvizja Qytetare Zgjohu ndërkohë thotë se moslejimi i interpretimit të këngëve edhe në gjuhën shqipe është diskriminim, pasi festivali organizohet nga Radio-Televizioni publik, për të cilin taksa paguajnë edhe qytetarët shqitarë.
Blerim Grubi, muzikant dhe përfaqësues i Lëvizjes Zgjohu thotël se kjo gjë duhet të rregullohet me ligj që të mos ketë diskriminin gjuhësor.
"Në një gjuhë tjetër nuk mund të këndosh aq afër dhe emocionalisht i përqëndruar siç do të këndoje në gjuhën amëtare. Pse jo, një ditë Maqedonia të prezentohet në Eurovizion edhe me një këngë në gjuhën shqipe, që do të ishte një kualitet krejt tjetër i prezentimit të Maqedonisë, tha Blerim Grubi.
Nga Radio-Televizioni i Maqedonisë, nuk pati një përgjigje ndaj këtyre sugjerimeve, ata thonë se duan që të shikojnë më parë propozimet e bëra.
Sipas rregullores aktuale, në konkurs mund të konkurojnë të gjithë shtetasit e Maqedonisë, por këngët këndohen vetëm në gjuhën maqedonase.
Ndërkohë kërkesa për ndryshimin e kësaj rregulloreje kishte dhe vitin e kaluar, gjë që shkaktoi edhe debate politike në vend, për nivelin e përdorimit e gjuhës shqipe në Maqedoni. /Nazim Rashidi, BBC/