Dafina Zeqiri është këngëtarja që brenda një kohe të shkurtër arriti të korrë suksese të njëpasnjëshme me këngët e saj. Ajo së fundi ka lansuar në treg këngën Amazing Girl, së cilës ia ka përgatitur edhe videoklipin. Dafina ndihet e kënaqur me këtë projekt, ngase ka punuar shumë në të dhe thotë që videoklipi është punuar shumë mirë dhe e veçon nga të gjitha klipet paraprake. Për më shumë rreth këtij projekti flet Dafina.
Na flisni diçka rreth projektit të fundit?
Së fundi kam lansuar këngën dhe videoklipin e këngës Amazing Girl. Kam punuar shumë në këtë projekt dhe tani pres suksese.
Tekst pak më ndryshe
Sa jeni e kënaqur me këtë projekt?
Jam shumë e kënaqur, shpresoj që edhe publiku të ndahet i kënaqur me këtë këngë.
Me kë e përgatitët këtë këngë?
Kam bashkëpunuar me producentin Enis Presheva, dhe më ka pëlqyer muzika shumë. Vendosa ta bëj një tekst pak më ndryshe, kështu që ia lashë përsipër Ledri Vulës të ma shkruajë tekstin. Pra, teksti ka dalë ashtu siç e kam paramenduar unë më parë. Ndërsa muzikën apo vijën melodike e ka realizuar Stine.
Me çfarë tematike është kënga dhe çfarë zhanri ka?
Kënga Amazing Girl është e zhanrit RnB. Ndërsa tema e këngës është pak më ndryshe prej teksteve të tjera që i kam pasur deri më tani.
Mendoni se kënga do të pëlqehet në publik?
Shpresoj se publikut tashmë u ka pëlqyer kënga, ngase në festivalin Polifest 2009 e mora prapë çmimin i publikut. Prandaj besoj që publiku e ka pëlqyer këngën, meqë më dha këtë çmim.
Këngës ia keni realizuar edhe videoklipin, me kë bashkëpunuat?
Videoklipin e këngës e ka realizuar produksioni Entermedia, këtu edhe na ka ndihmuar Zero Pozitive, të cilët i falënderoj shumë. Për dukjen time në këtë videospot është përkujdesur Vjosa , salloni Angel. Stylingun 4ID dhe frizurën salloni Vogue Hair. I falënderoj të gjithë për këtë bashkëpunim të mirë.
Së bashku me të dashurin
Sa jeni e kënaqur me këtë klip?
Me produksionin dhe bashkëpunëtorët e tjerë në videoklip jam ndarë shumë e kënaqur. Besoj që është videoklipi më i mirë që e kam realizuar deri më tani.
Meqë thoni se është klipi më i mirë deri më tani që e keni realizuar, cilat janë veçoritë?
Mua më pëlqen shumë pjesa e vallëzimit, sepse kam pasur një koreograf të Amsterdamit, i cili ka bashkëpunuar me artistë shumë të njohur botërorë, emrin e ka Louis Warnig. Këto janë disa nga veçoritë e videoklipit tim.
Keni nisur përgatitjet për projektet e festave të fundvitit?
Ende jo, por besoj që së shpejti do të fillojmë, meqë po u afrohemi festave të fundvitit.
Si po ecën lidhja juaj në dashuri?
Momentalisht jam me të dashurin, lidhja jonë po ecën për mrekulli.
Cilat janë planet për të ardhmen?
Planet e mia janë për të realizuar një videoklip në Australi, dëshiroj që atje ta xhiroj klipin. Ndërsa në plan të dytë kam realizimin e albumit më të ri, që pres ta lansoj në verën e vitit të ardhshëm 2010.