Më shumë gjatë javës së kaluar dhe më pak gjatë kësaj jave, një nga çështjet që dominoi aktualitetin në Shqipëri, ishte incidenti midis gazetarit Mero Baze dhe biznsemenit Rezart Taçi.
Nga
Robert Goro
Më shumë gjatë javës së kaluar dhe më pak gjatë kësaj jave, një nga çështjet që dominoi aktualitetin në Shqipëri, ishte incidenti midis gazetarit Mero Baze dhe biznsemenit Rezart Taçi. Pas kallzimit të Bazes kundër Taçit për ushtrim të dhunës fizike, ky i fundit u vetëdorëzua në polici dhe po mbahet në paraburgim, pasi gjykata refuzoi kërkesën e anëvokatëve të tij për tu gjykuar në gjendje të lirë kundrejt një garancie prej 100 mijë eurosh.
Në shumë gazeta e televizione, kjo temë u bë objekt emisionesh e komentesh të pafundme, të cilat ishin fokusuar ekskluzivisht tek incidenti. Dhe kjo ishte e natyrshme përderisa vetëgjyqësia, dhe sidomos vetëgjyqësia që dikush i ofron vetes nisur nga pozicioni i privilegjuar ekonomik, është njëkohësisht turp dhe kërcënim për shoqërinë shqiptare e cila pretendon dhe aspiron një vend mes shoqërive të përparuar europiane.
Mirëpo, shumica e emisioneve dhe e artikujve në shtyp të sillte ndërmend një proces gjyqësor, ku secila palë i bënte gjyqin tjetrës. Dhe shikuesi apo lexuesi, që normalisht përfaqëson dhe gjykatësin, e kishte të vështirë të vendoste se cilën palë do të dënonte.
Përtej karakterit juridik të kësaj teme, personalisht, do të dëshiroja që çështja Baze të shërbente si një shkëndijë që do të ndizte një debat mjaft të gjerë, mbi gjendjen, rolin dhe vendin e medias në Shqipëri. Një media që shumëkush thotë se ka një mori probleme, por që askush nuk ndalon ti shqyrtojë e ti prekë. Një media që, përgjithësisht, e fillon jetën jangllësh që në konceptim, që shumë pak interesohet për të informuar, apo qoftë dhe për të përpunuar opinione në dobi të shoqërisë. Një pushtet i vërtetë, por i kthyer përgjithësisht në parodi të funksionit dhe misionit të vet, duke u shndrruar thjesht në një patericë të pushtetit politik dhe ekonomik.
Për nga popullsia, Shqipëria ka një numër rekord mediash elektronike dhe të shkruara. Por gjithë gazetat së bashku nuk shesin më shumë se 35 mijë kopje në ditë. Nga ana tjetër, biznesi shqiptar tregohet shumë dorështrënguar në dhënien e reklamave. Vetëm kompanitë e telefonisë dhe bankat disponojnë një pjesë të buxhetit për tu reklamuar. Shteti, që në vende të tjera të Europës e ka obligim subvencionimin transparent të mediave, nuk jep asnjë kacidhe, përkundrazi, ka prerë edhe publikimin e njogtimeve shtetërore. Ndërkohë, prodhimi i një gazetë kushton vetëm në shtypshkronjë 15-18 lekë (pa llogaritur shpenzimet e tjera, si pagat, telefona, internet, etj.), dhe gazeta shitet në treg me 20 deri në 50 lekë. Lind pyetja: në kushtet e numrit të kufizuar të shitjeve dhe të reklamave po aq të kufizuara, si e sigurojnë mbijetesën këto gazeta, ose më saktë shumica e gazetave...

Me këtë nuk kemi bërë asnjë zbulim, pasi këtë gjë më mirë se kushdo e dinë vetë kolegët tanë në Tiranë, shumë prej të cilëve janë gazetarë shumë të mirë, me të vërtetë misionarë e vizionarë, por që në kushtet e ashpra të ekonomisë së tregut dhe mungesës totale të statusit të gazetarit, preferojnë të ulin kokën, e të shkruajnë duke u kujdesur me shumë takt e mund që të mos lerosin dorën dhe cipën e tyre. Ashtu sikurse ka kryeredaktorë të përkushtuar që rropaten të gjejnë një ekuilibër midis interesave të pronarit apo të politikanit tutor, dhe interesit të përgjithshëm për informim të opinionit.
Tribuna intervistoi tre nga gazetarët më të njohur shqiptarë dy prej të cilëve janë gjithashtu dhe krerë të unioneve sindikale të shtypit. Siç do ta shihni, ata kanë shumë opnionie të përbashëta, çka në një farë mënyre vërteton e dëshmon gjendjen e vështirë në të cilën gjendet media dhe gazetarët në Shqipëri.
Pavarësisht konstatimeve të tyre të zymta, Tribuna dëshiron të mbajë si mbititull të kësaj ankete, fjalët e Aleksandër Çipës se shpresa vdes e fundit...
Pyetjet:
1. A nuk do të ishte më mirë që çështja Baze, në vend se të trajtohej nga mediat si një proces gjyqësor, të shëbente si shkas për hapjen e një debati të gjerë mbi gjendjen e medias dhe pozicionin e gazetarit në Shqipëri?
2. Cilat janë, sipas jush, problemet më akute me të cilat ndeshen mediat dhe gazetarët në Shqipëri?
3. Media shqiptare ka nevojë më shumë analistët dhe opinionistët, apo gazetarët që do të përcjellin lajmin dhe faktin?
4. Shqipëria ka një numër rekord mediash të shkruara dhe elektronike, në raport me numrin e popullsisë. Ky fakt, mendoni se përbën impakt pozitiv apo negativ?
5. Në raportin e fundit të organizatës Reporterë pa Kufij, Shqipëria ka bërë hapa prapa në renditje sa i përket lirisë së shtypit. Për këtë zhvillim, ka përgjegjësi vetëm qeveria, siç po thuhet shpesh, apo kanë pjesën e tyre edhe gazetarët si dhe unionet e tyre sindikale?
6. Cilat mendoni se janë alternativat për tu përmirësuar gjendja?