Historiani Kujtim Bevapi, shprehet se Aqif Pashë Elbasani, që ndihmoi kryengritjen e përgjithshme antiosmane në vitin 1912 dhe në organizmin e çetës së Elbasanit, njihet si bashkëpunëtori më i ngushtë i Ismail Qemalit gjatë Shpalljes së Pavarësisë dhe në mbështetjen e plotë që i dha qeverisë së tij.
Miranda Sadiku
Aqif Pashë Biçakçiu (Elbasani), njeriu i pajisur me dije, kulturë e shpirt liridashës është patrioti i parë që ngriti në 25 nentor 1912 të parin flamur të Pavarësisë në Elbasan e Shqipëri.
Si një nga figurat më në zë të luftës për bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet kombëtar, veprimtaria e tij politike atdhetare e shtetërore, spikati gjatë lëvizjes kombëtare shqiptare kur u shpall pavarësia dhe krijimin e shtetit të parë shqiptar. Aqif pashë Bicakciu u shqua në periudhat më kritike të lëvizjes politike kombëtare, në vitet e ndërlikuara të Luftës së Parë Botërore e pas saj, në Kongresin e Lushnjës dhe në përpjekjet për konsolidimin e demokratizimin e shtetit shqiptar.
Historiani Kujtim Bevapi, shprehet se Aqif Pashë Elbasani, që ndihmoi kryengritjen e përgjithshme antiosmane në vitin 1912 dhe në organizmin e çetës së Elbasanit, njihet si bashkëpunëtori më i ngushtë i Ismail Qemalit gjatë Shpalljes së Pavarësisë dhe në mbështetjen e plotë që i dha qeverisë së tij.
"Ai bashkë me popullin e Elbasanit dhe me mbështetjen e Ismail Qemalit ngritën flamurin kombëtar më 25 nëntor të vitit 1912, shpallën të parët pavarësinë duke i treguar ushtrisë Serbe, që po i afrohej Elbasanit se kishte shkelur në vise të Shqipërisë së Pavarur", thotë historiani Bevapi, duke shtuar se "më 25 nëntor 1912 Elbasani shpalli i pari pavarësinë kombëtare duke vënë kështu gurin e parë në themelet e kësaj pavarësie".
Sipas tij, Aqif Pasha shkëlqeu në bashkëpunimin e ngushtë me Ismail Qemalin në Shpalljen e Pavarësisë, në mbështetjen pa rezerva që i dha qeverisë, në organizimin e ngritjen e administratës shtetërore, si dhe kundër ambicjeve e intrigave te Esat Toptanit e bashkëpunëtorëve të tij.
"Aqif Pasha përjetoi me dhimbje të thellë ndarjen e trojeve etnike shqiptare, nuk u pajtua asnjëhere me këtë ndarje dhe u përpoq të çante shtigjet për bashkimin kombëtar, duke mbeshtetur kryengritjen antiserbe të shtatorit 1913, që shpërtheu në rrethinat e Peshkopisë e që u përhap në Dibër, qytete e krahina të tjera shqiptare, duke marrë në mbrojtje mijëra viktima të terrorit sërb", shprehet Bevapi.
Për veprimtarinë e gjithanshme atdhetare të Aqif Pashës, vetë Ismail Qemali i shkruante: "Në këtë kohë transformimi, historia do të dallojë patriotin nga tradhëtari dhe do t'i caktojë secilit vendin e tij... Se ç'vend do të kem unë në histori këtë nuk e di. Sa për ju, emri juaj i shkëlqyer si patriot do te mbetet i shkruar në faqet e ndritura të historisë sonë...".
Edhe gjatë Luftës së Parë Botërore, vijon Bevapi, kur ushtritë Austro-Hungareze hynë në Shqipëri, Aqif Pasha shpejtoi të ngrinte administratën shtetërore vidiste në Shqipërinë e Mesme për t'i treguar shteteve ndërluftuese se Shqipëria ishte shtet asnjanës, i garantuar prej tyre. Ai mbante korrespondencë të vazhdueshme me patriotë si Hoxha Kadriun, Bajram Currin, Hasan Prishtinën, etj".
Sipas historianit Bevapi, shkëmbimi i mendimeve dhe pikëpamjeve politike ndërmjet atdhetarëve bënë të mundur thirrjen e Kongresit te Lushnjes. "Duke patur konsideratë të madhe për atdhetarizmin konsekuent të Aqif Pashës, kongresi e zgjodhi atë kryetar të tij dhe anëtar të Këshillit të Lartë dhe për një kohë, u njoh e veproi si kryetar i këtij Këshilli. Ishte ky fakt që nga shtypi i kohës vendas dhe i huaj, Aqif Pasha u cilësua si President i Parë i Shqipërisë" sqaron më tej ai.
Aqif Pashë Elbasani e vlerësonte lart Kongresin e Lushnjes, duke menduarse "në këtë kongres u përfaqësuan nga tërë krahinat e Shqipërisë aristrokratë, njerëz fetarë dhe popullore. Asnjëherë populli nuk ka qënë i bashkuar si sot me dëshirën e patundur që kufinjtë tanë të përfshijnë tërë viset ku rrojnë shqiptarët".
Në enciklopedinë e Elbasanit thuhet se "më 20 mars 1920, patrioti Aqif Pasha e ftonte Fan Nolin dhe shqiptarët e Amerikës të bashkëpunonin për Shqipërinë. Ai u rreshtua në krahun liberaldemokrat dhe kur forcat e djadhta e konservatore forcuan pozitat e tyre në organet shtetërore, ai u detyrua të largohej nga Shqipëria drejt Vjenës, ku krijoi Partinë Kombëtare, dhe më 4 maj të vitit 1923, shpalosi programin e partisë me bindje liberaldemokrate. Në programin e kësaj partie shtrohej idea e pluralizmit politik parlamentar, për një shtet juridik ku të zotëronte ligji si dhe domosdoshmëria e bashkimit të të gjithë shqiptarëve. Pas zgjedhjeve të Asamblesë Kushtetuese të dhjetorit 1923 Aqif Pashë Elbasani kthehet në Shqipëri dhe merr pjesë në Asamble si deputet i Korçës. Vdiq në 20 shkurt 1926, i përcjellë me shumë nderime nga i gjithë populli i Elbasanit".
Me ardhjen e komunizmit, pas viteve 1950 djali i vetëm i Aqif Pashës, Ibrahim Biçakçiu u dënua me 18 vite burg, dënim që e kreu në Burrel. Më pas, për shumë vite ai jetoi pranë motrës së tij në lagjen " Kala" në Elbasan, ku e mbylli jetën duke punuar si pastrues i banjove publike.
Kështu përfundoi thuajse e gjithë familja e pinjollit të Aqif Pashë Elbasanit gjatë viteve të komunizmit. Madje edhe në ditët e sotme, kockat e Aqif Pashë Biçakçiut prehen në një varr pa emër, diku në varrezat publike. Asnjë nuk është interesuar për ngritjen e varrit të tij, ndërkohë që populli elbasanas por dhe gjithë Shqipëria krenohet me veprën e këtij atdhetari. Edhe shtëpia e Aqif Pashë Biçakçiut, e ndërtuar në shekullin XIX, u tjetërsua duke u kthyer në Muze Lufte gjatë diktaturës dhe me ardhjen e demokracisë u ble nga një biznesmen, që e shndërroi atë në një lokal luksoz.
Ndërsa një bust është ndërtuar para pak vitesh në qendër të qytetit për nder të tij./ATSH/