Nga dashuria e çiftit shqiptaro-ukrainas, ka lindur djali i vogël Mishel që është vetëm 2 vjeç e gjysmë, frutë i një dashurie me shikim të parë. Por, Shqipëria përveç dashurisë i ka falur kënaqësi dhe emocione të tjera Katerinës
Para pesë vitesh, as nuk e kishte menduar që mund të ishte martuar me një të huaj, por ja që fati është i paparashikueshëm. Katerina Kongoli, vajza ukrainase tashmë është nuse në Shqipëri. Bionde mbi 1 e 80 centimetra e gjatë, me sy blu, është mëshirimi tipik i prejardhjes së saj. Ndërsa nga ana tjetër, bashkëshorti, Arenci, brun, me tipare të errëta. E ku ka më mirë se një kombinim i tillë. Me një theks të dallueshëm rusisht, ajo ia ka dalë më së miri të mësojë shqip dhe të integrohet në shoqërinë e vendit të bashkëshortit të saj. Është munduar të përshtatet me çdo gjë, të respektojë rregullat dhe zakonet e vendit ku është martuar, duke e quajtur si një gjë të zakonshme dhe jo imponim.
Paralelisht me shkollimin e saj për "filozofi-sociologji", Katerina është e specializuar dhe si estetiste, në Ukrainë, kjo e ka ndihmuar që të ketë një qendër të sajën në Tiranë, ku edhe kalon pjesën më të madhe të kohës.
Nga dashuria e çiftit shqiptaro-ukrainas, ka lindur djali i vogël Mishel që është vetëm 2 vjeç e gjysmë, frutë i një dashurie me shikim të parë. Por, Shqipëria përveç dashurisë i ka falur kënaqësi dhe emocione të tjera Katerinës, më e fundit ishte prezantimi i "Këngës Magjike" në Pallatin e Kongreseve. Në një intervistë për SH2-shin, Kongoli na tregon dashurinë dhe jetën e saj në një vend të huaj.
Katerina, ju tashmee jeni një nuse në Shqipëri, kur keni dëgjuar për herë të parë për vendin e bashkëshortit tuaj?
Kontakti im i parë ka qenë para 5-vitesh, nëpërmjet një turisti Shqiptar në atë kohë në Ukrainë që tani është bashkëshorti im. Kjo, pasi në vendin tim nuk flitej shumë për Shqipërinë dhe unë pak kisha dëgjuar më parë për të. Kur njoha burrin, mësova edhe më shumë gjera për këtë vend, dhe tani ja ku jam mes shqiptarëve, me punën dhe shoqërinë.
Si u njohët ju me djalin shqiptar që tani është bashkëshorti juaj?
Ai kishte ardhur për turizëm me një vizë që kishte leje qëndrimi tremujore. Takimi ishte shumë rastësor. Isha vetëm 19 vjeç dhe studioja për Psikologji-Sociologji, ndërkohë edhe punoja në një qendër tregtare. Pas punës, zakonisht, pija kafe me miket dhe koleget e punës. Aty më pa, më kërkoi menjëherë që të pinim diçka bashkë, dhe kështu vazhduam të takoheshim pothuajse çdo ditë.
Sa kohë zgjati njohja juaj, deri në zyrtarizimin e lidhjes suaj?
Kishin kaluar 2 muaj, dhe dalëngadalë, atij po i vinte fundit i lejes së qëndrimit dhe në këtë mënyrë donte të bënte gjithçka zyrtare, të vinte në familje dhe të kërkonte dorën time. Ne ishim shumë të dashuruar në atë periudhë, edhe ishte Arenci që ishte më i vendosur se kurrë. U tregua shumë kokëfortë, i binte telefonit pa pushim, i ishte fiksuar dhe mua jo më pak. Kështu që vendosi të takonte prindërit, pasi problemi ishte viza. Por, kjo ishte diçka shumë e papritur. Ai shqiptar, unë Ukrainase. Kisha shkollën atje, punën, domethënë, çdo gjë e kisha të stabilizuar. Kur i tregova prindërve që djali që kishte kërkuar t'i takonte, ishte shqiptar, u shokuan. Ai do të vinte në shtëpinë time të më kërkonte për t'u martuar, pasi atje te ne edhe fazee e fejesës që është këtu në Shqipëri, quhet martesë, nuk ka ndonjë dallim. Prindërit e mi nuk është se e pritën direkt mirë këtë gjë. Si çdo prind, ata donin të njihnin familjen e djalit, babi im nuk e dinte se ku do ta jepte vajzën. Por, gjithsesi një lidhje e gjetëm. Shoku i burrit tim është martuar me një Ukrainase. Dhe prindërit u takuan me prindërit e saj (nuses së shokut të Arencit) dhe kjo ishte një lloj "garancie" për ta. Ajo ishte e martuar me shokun e Arencit prej 10-vitesh. Nëpërmjet prindërve të asaj vajzës, babai im, krijoi, në njëfarë mënyrë, siguri. Më pas, bëmë edhe një fejesë të vogël para se Arenci të ikte, pasi po i përfundonte viza. Pas një jave, ai erdhi sërish dhe më pas u mundësua edhe ardhja e prindërve të tij, të cilët duhet të takonin prindërit e mi dhe mua gjithashtu. E gjitha kjo ndodhi brenda një periudhe të shkurtër kohe.
E patët të vështirë të merrnit vendimin për të ardhur dhe jetuar në Shqipëri?
Dikush duhet të bënte një sakrificë. Bashkëshorti im kishte punën këtu, shtëpinë dhe në fakt shkon gruaja pas burrit dhe jo burri pas gruas. Por, nga ana tjetër edhe unë kisha një punë të mirë, isha administratore në një dyqan orësh, shkollën po ashtu. Duke biseduar me burrin, ai kishte këtu edhe një familje që më kanë pritur shumë mirë. Në këtë më mënyrë vendosëm të vinin dhe të jetonim këtu.
Çfarë vështirësie pate ditët e para me përballjen e jetës këtu?
Shumë vështirësi kisha me gjuhen, e kisha të pamundur të komunikoja, vetëm me personat që dinin anglisht, por sa do nuk funksiononte. Arenci me ka ndihmuar dhe qëndruar shumë pranë, pasi ishte ndryshe, sepse unë gjendesha në një vend të huaj. Ishte shumë ndryshe. Befas ndryshova gjithçka në jetën time. Po pastaj avash-avash u stabilizova, fillova kursin e gjuhës shqipe me një mësuese private shumë të mirë. Pas pesë muajsh qëndrimi, unë fillova me të folur shqip. Më ka ndihmuar shumë edhe bashkëbisedimi me vjehrrën, vjehrrin, dëgjoja edhe lajme, shihja televizor dhe duke e vrarë veshin ia arrita.
E përfunduat shkollën atje, apo martesa ndodhi shumë shpejt?
Unë kisha bërë një vit e gjysmë shkollë kur u njoha me Arencin dhe pasi u martova shkoja çdo tre muaj për të dhënë provimet.
Po tani që kanë kaluar katër vjet e gjysmë nga ajo kohë, si ju duket?
Po unë kam ardhur 19 vjeç këtu dhe jam stabilizuar goxha, kam gjetur edhe shoqet ruse këtu me anë të ambasadës e shpesh dalim me njëra-tjetrën dhe flasim gjuhën tonë. Ndihem shumë mirë.
Ceremonia e damës suaj, ishte një ceremoni tradicionale, ju u bëtë nuse në Shqipëri?
Po, u bëra nuse edhe këtu edhe andej, këtu e kemi bërë sipas traditave, me lekë me valle shqiptare, ka qenë shumë bukur.
Keni miqësi me shqiptaret?
Po kam, madje kam edhe një shoqe të ngushtë, që prej 3 vitesh ne jemi bashkë, nuk ndahemi as një ditë. Pastaj kam edhe shumë goca të tjera shqiptare te shoqëria ime që i respektoj shumë! Unë komunikoj mirë me njerëzit, nuk kam probleme.
Jetoni në një shtëpi me prindërit e bashkëshortit?
Në fillim kemi qenë komshi me vjehrrën, jetonim në një pallat, dhe isha shumë mirë se kisha krahë, për çdo gjë shkoja tek ajo. Kur linda djalin, na duhej një dhomë tjetër se ishim ngushtë, dhe kështu vepruam, kemi marrë një shtëpi tjetër.
Me ke e lini djalin, tani që jeni në punë?
Tani është në çerdhe, pastaj me burrin ose e çojmë te vjehrra, e bëjmë me radhë.
Keni dëgjuar për ritet dhe tradita shqiptare?
Edhe ne në Ukrainë kemi rite të tilla. Por, një gjë që ekziston te ne është se shumë shpejt ne fillojmë punojmë, jo për arsye se prindërit nuk na ndihmojnë, por për arsye se duam të jemi të pavarur. Ndërsa për punët e shtëpisë, jemi njëlloj, pasi nënat na mësojnë edhe ne të gatuajmë, të lajmë, të pastrojmë, është normale dhe nuk kemi gjëra ndryshe. Ndryshimi këtu është kur vjen një mik dhe duhet të dalësh me tabaka ta qerasësh, por edhe këtë e bëj se normale unë do të respektoj traditat tuaja.
Dini të gatuani?
Gatuaj, por atë Ukrainase, pasi më ndihmon edhe fakti që burri im është kuzhinier dhe pjesën e gatimit e mbulon ai në familje. Nga gatimet shqiptare, më pëlqejnë shumë byreku, gjella me presh apo grosha.
A e keni vizatuar Shqipërinë gjatë kësaj kohe?
Po, gati një vit para se të lindja kam udhëtuar pothuajse në të gjithë vendin. Jugun e kam vizituar të gjithë, ndërsa veriun, pak më pak, shpresoj të shkoj në ditët që vijnë. Është shumë e bukur dhe interesante Shqipëria.
Ju jeni një estetiste, si ju duken vajzat shqiptare, e mbajnë veten?
E mbajnë, por, problemi është se këtu fillojnë e mbajnë veten që në mëngjes, ky është ndryshimi mes ukrainasve. Ne kur shkojmë në punë, nuk i kushtojmë rëndësi grimit, makijazhit, takave, apo flokëve. Ka edhe diçka tjetër këtu, njerëzit të venë shumë re se si je veshur, ne jemi pak më të thjeshtë nga kjo anë. Dhe çfarë është me e rëndësishmja, këtu i kushtojnë rëndësi fasadës, por nuk është se kujdesen në brendësi. Po nga njëra anë është shumë mirë që vajzat mbahen, por e gjitha duhet të ketë një lloj limiti, pa ekzagjerim.
E kishit menduar ndonjëherë që do të merrnit një burrë shqiptar?
Asnjëherë, nuk e kisha menduar për të huaj. Në fakt nuk e kisha menduar fare martesën, kisha shkollën, punën dhe isha një fëmijë i lidhur pas familjes, dhe nuk e mendoja që do të vinte kaq shpejt kjo ditë. Por, dashuria jonë ishte një ndjenjë që ka lindur tamam me shikim të parë dhe nuk mund të shprehet dot me fjalë.
Jeni natyrë xheloze?
Jo shumë, as ai. Në fillim, ndonjëherë kishte momente që ndihesha vetëm, apo e huaj, sepse si do që të jetë edhe pse prindërit e Arencit me duan shumë, por përsëri nuk krahasohen asnjëherë me familjen tënde. Por shkoj shpesh e çmallem.
Çfarë ju pëlqeu më shumë tek Arenci?
Komunikimi, zgjuarsia, takti, ishte shumë interesante si njeri, shumë xhentëlmen, këto ishin gjerat e para që me goditën.
Dhe papritur papara një jave, u gjende në skenën e Pallatit të Kongreseve, duke prezantuar "Këngën Magjike", na tregoni pak?
Ishte diçka shumë interesante dhe e papritur. Lindi në momentin kur më ftuan tek "E diela shqiptare" për një temë që do të diskutohej; të huajt e martuar me shqiptar. Unë thash "ok" për këtë program dhe shkova. Pasi disa ditësh, domethënë tre ditë para se të fillonte "Kënga Magjike" me merr Ardit Gjebrea në telefon, dhe më propozon të prezantoja bashkë me të "Këngën Magjike". Unë e pyeta nëse po bënte shaka. I thash që, unë nuk jam prezantuese dhe nuk di të flas mirë shqip. Por jo, ai nguli këmbë që e kishte seriozisht. Dhe u takuam përsëri, diskutuam paraprakisht, e kisha me pak frikë, por thonë që ia kam dal shumë mirë J. Kam marrë shumë urime dhe komplimente dhe për këtë jam e kënaqur, ishte një eksperiencë e re dhe unë e shijova.
/Shekulli /