Përveç përurimit të busteve të rilindësve, manifestimet për Ditën e Flamurit kanë vazhduar me mbajtjen e një koncerti dhe promovimin e një reportazhi, kurse shoqatat joqeveritare kanë ndarë mirënjohje për aktivistët e dalluar
Manifestime në Dibër për Festën e Flamurit
Vjollca SADIKU
Me rastin e Ditës së Flamurit në sheshin e Dibrës janë përuruar bustet e dy iluministëve shqiptar Josif Bageri dhe Said Najdeni, ndërsa sheshi tani e tutje do të mbaj emrin Sheshi i rilindësve shqiptar.
Gjatë përurimit të busteve, ku merrnin pjesë struktura të pushtetit vendor dhe qendror, në mesin e të cilëve kryetari i BDI-së Ali Ahmeti dhe ambasadori shqiptar në Shkup, Arben Çejku, të afërmit e familjeve Najdeni dhe Bageri, kryetari i Komunës së Dibrës, Argëtim Fida, tha se me vendosja e busteve është amanet për kontributin e dy pishtarëve dhe patriotëve të Rilindjes kombëtare.
Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Arben Çejku, në fjalën përshëndetëse ka falënderuar kontributin e pushtetit qendror dhe vendor, të cilët sipas tij, pa reshtur ngrisin dhe vlerësojnë lartë figurat eminente shqiptare.
Ndërkaq, me moton Përjetësisht nuk na ndan më as guri, në organizim të Unionit artistik të kombit shqiptar është mbajtur një koncert, ndërsa është projektuar edhe reportazhi Gjurmë të pashlyera. Koncerti është hapur nga kryetari i Dibrës, Argëtim Fida,ndërsa është shoqëruar me këngë patriotike nga këngëtarët Qerim Sula, Shaban Zeneli, Artan Kola dhe të tjerë, ndërsa nuk kanë munguar as edhe vallet nga vise të ndryshme ku jetojnë shqiptarët. Presidenti i Unionit artistik të kombit Shqiptar, Azgan Haklaj tha se është hera e dytë që takohen në Dibër për ta festuar këtë ditë të shënuar të kombit shqiptar.
Ndërkaq, shoqata qytetare One $ For Dibra me mirënjohje ka nderuar me mirënjohje gjeneralin Gëzim Ostreni, ordinancën Florina RusiMarku, doktorin e ndjerë Buran Pasholli, disa klube sportive, Mentaz Allajbegun, Art Klubin, muzikologun e ndjerë Musa Piperku, si dhe disa dibranë të tjerë të cilët kanë kontribuar për qytetin.
Ndërkohë, është prezantuar peportazhi filmik Gjurmë të pashlyera që prezanton fatin tragjik të ndarjes të dy Dibrave, nga Konferenca e Ambasadorëve e deri në kohën e sotme.
Ky reportazhe 55 minutësh është film i tragjikes dhe së keqes kombëtare e në veçanti e Dibrës e cila ashtu si Berlini u nda në dysh, tha në vlerësimin e tij publicisti dhe autori i disa reportazheve në Maqedoni, Alush Kamberi.
Gjurmë të pashlyera i autorëve Atli Dema dhe Nuri Koleci është një përpjekje që të rikujtojë shikuesit një të kaluar tragjike të ndarjes së padrejtë të kufirit shqiptaro-shqiptar, ku Shqipëria administrative është i vetmi shtet në botë që në të katër anët e horizontit është e kufizuar me troje shqiptare.
Në reportazh autorët kanë ditur të kombinojnë faktet historike nëpërmjet historianëve Moisi Murra e Iljaz Kaca, por edhe përmes dëshmive të njerëzve nga brezi kufitar në të dyja anët e kufirit.