Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, me rastin e liberalizimit të vizave për Republikën e Maqedonisë, përshëndeti të gjithë qytetarët në vend dhe theksoi se kjo paraqet sukses dhe fitore e madhe, me çka vendi del nga izolimi 20-vjeçar.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, me rastin e liberalizimit të vizave për Republikën e Maqedonisë, përshëndeti të gjithë qytetarët në vend dhe theksoi se kjo paraqet sukses dhe fitore e madhe, me çka vendi del nga izolimi 20-vjeçar.
"Përshëndes të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë, të ndajmë gëzimin të gjithë bashkarisht me rastin e vendimit të liberalizimit të vizave për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, gjë që paraqet sukses dhe fitore mjaftë e madhe, me çka përfundimisht po dalim nga izolimi i dy dekadave me radhë, ky është një sukses i radhës për vendin, i cili do t'u prijë edhe sukseseve të ardhshme, që vendi ynë sa më parë të anëtarësohet në NATO dhe sa më parë t'i fillojë negociatat për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian", tha kryetari i BDI-së.
Kjo fitore, siç tha Ahmeti, u dedikohet të gjitha forcave politike në vend që kanë kontribuar, u dedikohet të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, me ç'rast në veçanti theksoi se është një fitore e shqiptarëve të Maqedonisë.
"Siç dihet, ne kemi jashtëzakonisht numër të madh të njerëzve tanë që gjenden në punë të përkohshme në vende të ndryshme të Evropës Perëndimore, me ç'rast 20 vite njerëzit tanë e kanë pasur vështirë për të kontaktuar me të afërmit e tyre, vizitat kanë qenë mjaftë të kufizuara, sepse vendi dhe rajoni kanë qenë të trazuar me luftëra të ndryshme, kështu që krijohen rrethana jashtëzakonisht të mira për lëvizje të lirë të njerëzve dhe ne do të punojmë dhe do të angazhohemi që në të ardhmen bashkëpunimi brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor të jetë në nivel më të lartë dhe të gjithë të jemi pjesë e kontributit që si tërësi Ballkani perëndimor të jetë pjesë e NATO-s, e Evropës së bashkuar", tha Ahmeti.
Lideri i BDI-së, me këtë rast ka shprehur dëshirë që këtij numri të shteteve t'i bashkangjitet sa më shpejtë edhe Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës dhe Bosnja e Hercegovina.
"Shpresojmë se me këto vende, shumë shpejtë, do të jemi bashkë të reshtuar, siç është tani Shqipëria e rreshtuar në NATO, edhe ne shpresojmë në një kohë mjaftë të afërt të jemi pranë këtyre strukturave, po edhe Shqipëria, Kosova, Bosnja të kapin hapin e duhur për liberalizim të vizave dhe fillim të negociatave për anëtarësim në BE", potencoi lideri i BDI-së.
Kjo, siç tha lideri i BDI-së, është e ardhmja e rajonit dhe të gjithë brezave që vijnë pas.
"Në shërbim të kësaj do të angazhohemi maksimalisht sepse këtu është perspektiva, këtu është e ardhmja e të gjithë qytetarëve, por edhe njëherit edhe të gjithë brezave që vijnë pas nesh. Jemi në shërbim dhe materializim të idealeve të mëdha kombëtare, por edhe të idealeve dhe sakrificave të mëdha evropiane. Evropa e bashkuar është ideal siç kanë qenë idealet e mëdha të rilindjes sonë kombëtare, gjithashtu Evropa e bashkuar është ideal jashtëzakonisht i lartë, i cili është motivuar edhe nga rilindasit tanë kombëtarë, tha kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, i cili me këtë rast edhe njëherë uroi të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë.